Shoqata “Together for life” në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta ka publikuar raportin “NGACMIMI SEKSUAL NE VENDIN E PUNËS, 2023.
Gjetjet e studimit shërbejnë për të ndërmarrë kërkime të mëtejshme, fushata ndërgjegjësuese për parandalimin e ngacmimit seksual në punë dhe ndërgjegjësimin e individëve, bizneseve dhe institucioneve për ta ndaluar, ndëshkuar dhe trajtuar këtë fenomen në ambjentet e tyre të punës.
Perceptimi për fenomenin në Shqipëri:
- 57% e punonjësve në Shqipëri besojnë se ngacmimi seksual në punë është një problem serioz.
- 61% besojnë se ngacmimi seksual në punë është i papranueshëm për kulturën dhe shoqërinë tonë.
- 49% e fuqisë punëtore beson se në shoqërinë tonë është e turpshme të flitet për ngacmime seksuale në punë.
- 35% e të anketuarve shprehin besimin se gratë vuajnë nga ngacmimet e rregullta seksuale në vendin e punës, ndërsa janë 43% e të anketuarve të grupmoshës 16-25 vjeç që besojnë se gratë janë më së shumti viktima të fenomenit.
Viktimat e ngacmimit seksual në vendin e punës
- 11% e të anketuarve pranojnë se kanë përjetuar ngacmime seksuale në vendin e punës në 2 vitet e fundit, nga të cilët 15.4% femra dhe vetëm 7.4% djem dhe meshkuj.
- 19% e punonjësve deklarojnë se janë ngacmuar të paktën një herë gjatë gjithë jetës së tyre të punës, nga të cilët 2 herë më shumë femra.
- Masa e fenomenit të ngacmimeve seksuale është mjaft më i përhapur mes grupmoshës 16-25 vjeç, duke ardhur në rënie me rritjen në moshë. Gati 1 në 3 të rinj të punësuar (27%) deklarojnë se kanë përjetuar ngacmim në 2 vitet e fundit.
- Vajzat dhe gratë përjetojnë më së shumti ngacmime nga eprorët ose kolegët, ndërsa djemtë dhe burrat nga koleget dhe palët të treta jashtë kompanisë, si vizitor apo klient të gjinisë së kundërt.
Raportimi i fenomenit
- Pavarësisht bindjes se ky fenomen mund të kufizohet, është shqetësues fakti që 7 në 10 të punësuar besojnë se ngacmimet seksuale në punë kalojnë rëndom pa u hetuar.
- Kjo përforcohet edhe nga një tjetër e dhënë nga studim, ku 8 në 10 punonjëse vajza ose gra që kanë përjetuar ngacmim në 2 vitet e fundit nuk kanë ngritur ankesë sepse: (1) kanë turp të raportojnë, (2) nuk kanë besim se do gjejnë zgjidhje ose (3) kanë frikë nga paragjykimet dhe përgojimet.
Përhapja e fenomenit
- Fenomeni i ngacmimeve seksuale është më i përhapur në kryeqytet dhe institucione apo kompani me numër të madh punonjësish. Sa më i vogël komuniteti, qyteti apo institucioni aq më e fortë është fryma e kujdesit dhe ruajtjes ndaj ngacmimeve seksuale.
- Fenomeni është ngjashëm i përhapur mes institucioneve publike dhe kompanive private me një masë lehtësisht më të lartë tek këto të fundit. 11% e punonjësve në institucione publike kanë përjetuar ngacmim seksual në 2 vitet e fundit, kundrejt 12% e punonjësve në kompani private.
- REKOMANDIME
- Qeveria dhe Parlamenti duhet të avancojnë me amendimin e infrastrukturës ligjore për t’u përshtatur me standardet ndërkombëtare që garantojnë mbrojtje më efektive të punonjësve nga ngacmimi seksual, konkretisht:
- kriminalizimin e ngacmimit seksual në punë bazuar në llojin e ngacmimit, seriozitetin e tij, dëmin moral, fizik dhe shëndetësor të viktimës dhe pozicionit hierarkik të ngacmuesit dhe të të ngacmuarit;
- kriminalizimin e kanosjes quid pro quo (atë për këtë) për shkak të pozitës drejtuese, si faktor rëndues për qëllimet e dhënies së dënimit;
- kriminalizimin e ngacmimit me forma të digjitalizuara nëpërmjet pajisjeve digjitale.
- Trajnimi i personelit ligjzbatues dhe gjykatësve për qasjet me ndjeshmëri gjinore në trajtimin e shkeljeve që lidhen me ngacmimin seksual në punë, si formë e dhunës me bazë gjinore. Zbatimi i ligjit dhe dënimi i fajtorëve në rastin e ngacmimeve seksuale në vendin e punës do të shërbejë si një masë parandaluese në të ardhmen duke siguruar ambient më të sigurt për punonjësit në vendin e punës.
- Administrata publike dhe subjektet private të trajnohen për mbrojtjen e sigurisë së punonjësve nga ngacmimi seksual dhe vënies para përgjegjësisë të zyrtarëve shtetërorë dhe punëdhënësve privatë që përfshihen ose lejojnë incidentet e ngacmimit seksual dhe dhunës me bazë gjinore.
- Punonjësve të informohen dhe ndërgjegjësohen për të parandaluar dhe raportuar ngacmimin seksual në punë.
- Subjektet private të përcaktojnë rregulla mbi procedurat formale dhe joformale, për të krijuar, garantuar dhe promovuar një mjedis të sigurtë, si edhe luftuar çdo formë të dhunës, ngacmimit, ngacmimit seksual dhe abuzimit e autoritetin.
- Autoritetet drejtuese të institucioneve publike dhe private të përcaktojnë strukturat përgjegjëse për informimin, ndërgjegjësimin dhe monitorimin për ngacmimet seksuale në vendin e punës, si për shembull Drejtoritë e Burimeve Njerëzore. Në çdo institucion publik dhe privat të krijohen Këshillat e Etikës për shqyrtimin e çështjeve që lidhen dhunën, ngacmimin dhe ngacmimin seksual, të ndodhura gjatë ushtrimit të punës.
- Mediat duhet të luajnë rol aktiv në informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për pasojat e ngacmimit seksual dhe të kthehen në partnerët kryesorë në luftimin e fenomenit, nëpërmjet raportimit të rasteve ngacmimin seksual, pa dëmtuar interesin e viktimës. Me qëllim forcimin e rolit të medias në edukimin dhe informimin e publikut nevojitet rritja e njohurive të gazetarëve në këtë fushë nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme të ofruara nga strukturat përkatëse dhe organizatat e shoqërisë civile.