Dyshime për fitues të paracaktuar në tender, QSUT 2 vite pa skaner

Tani do të merremi me një rast absurd se si dy skanera të tenderuar nga Ministria e Shëndetësisë për të përballuar situatën COVID, njëri i parashikuar për QSUT, mbeti peng i një tenderi që ngre dyshime për fitues të paracaktuar.

Pajisjet mjekësore ishin një tjetër zë i rëndësishëm në dispozicion të të cilit u vunë 7.7 mln Euro gjatë pandemisë. Por pavarësisht emergjencës shëndetësore, sektori publik i shëndetësisë shpenzoi për periudhën janar-gusht 2021, vetëm 22.8% të planit vjetor për blerjen e pajisjeve mjekësore, ose 1.74 milionë Euro.

Alokimi i fondeve për blerjen e pajisjeve mjekësore u pengua nga tenderët e parregullt dhe ankesat që shoqëruan procesin e tenderimit.

Rast përfaqësues është blerja e një skaneri, i cili ishte programuar të realizohej që në vitin 2020, por procesi është stërgjatur nga ankesat e kompanive pjesëmarrëse në garë.

Blerja e kësaj pajisje me vlerë 1.17 milionë Euro pa TVSH, iu besua në gusht 2020 kompanisë “Montal”. Por dy kompanitë e tjera në garë “Health &Light” sh.p.k. dhe “BNT Electronics”, u ankuan në Komisionin e prokurimit publik në korrik të vitit 2020, për modifikimin e kritereve teknike nga Ministria e Shëndetësie, pasi favorizonin kompaninë fituese Montal.

Komisioni i Prokurimit vendosi të pranojë pjesërisht ankesat, dhe në shtator të vitit 2020 gara u përsërit. Në të morën pjesë 8 kompani, por sërish u shpall fituese kompania “Montal” me vlerë 810 mijë Euro, që ishte 22% më e lartë se oferta e kompanisë tjetër garuese “Medfau” prej 650 mijë Euro.

Kompanitë pjesëmarrëse në garë “Medfau” dhe BNT elektroniks u ankuan sërish në Komisionin e Prokurimit Publik. Komisioni i Prokurimit Publik vendosi për së dyti anulimin e garës, duke i kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë të ofrojë garë të hapur dhe me kritere logjike.

Kjo procedurë vonoi për gati dy vite instalimin e skanerit, duke ndikuar kështu në mënyrë direkte në shërbim të cunguar ndaj pacientëve.

Shumë pacientë iu drejtuan klinikave private për shërbimin e skanerit dhe duke u përballur në këtë mënyrë me tarifa dhe kosto të larta për përballimin e pandemisë. /Top Channel

Postime të ngjashme

Ndahet nga jeta doktori i njohur pediatër Edi Tushe
Trump thyen rekordet, 22 specialistë marrin pjesë në kontrollin e tij mjekësor
Dy fëmijë humbin jetën nga fruthi! Rriten rastet e infektimit në Britaninë e Madhe, ndërsa shkalla e vaksinimit bie
Projekti i shëndetësisë, Banka Botërore bën bilancin: Nga “rrëzimi” i reformës së financimit te digjitalizimi
Plotësoi skedën e vdekjes së një 85-vjeçareje, doktoresha merret nën hetim/ Reagojnë mjekët në Mamurras
Ndikimi i dezinformimit në vaksinimin e fëmijëve
Siguria ushqimore, OBSH: Rreth 866 milionë njerëz sëmuren çdo vit nga ushqimi i kontaminuar
10 ushqimet më hidratuese