Kryefaqja Aktualitet E ardhmja: Djem pa nuse

E ardhmja: Djem pa nuse

0
Shpërndaje

Blertina Koka

**Ky artikull botohet në kuadër të projektit “Forcimi i demokracisë në kujdesin shëndetësor duke respektuar të drejtat e njeriut”, realizuar nga Shoqata Together for Life dhe mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. 

Preferenca e prindërve për djem është e zakonshme në disa vende, si Azia, Lindja e Mesme apo në Afrikë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Djemtë duhen më shumë duke qenë se kanë kapacitetin/ mundësinë për të sjellë të ardhura më të larta (për shkak të forcës fizike, sidomos në vende që kanë prioritet zhvillimin e sektorit bujqësor), trashëgimia  (vazhdimësia e familjes varet nga ata) dhe janë zakonisht përgjegjës për kujdesin e prindërve me moshimin e tyre.

Në disa vende ka edhe disa arsye më specifike, si për shembull, në Indi, për shpenzimet e pajës, ndërsa në Korenë e Jugut dhe Kinë ka disa besime dhe sisteme familjare patriarkale të rrënjosura thellë.

Për shekuj me radhë, preferenca e djemve ka çuar në një zhvillim të diskriminimit ndaj vajzave që në lindje –  duke filluar që me abortimin e tyre deri në neglizhimin për t’u kujdesur apo ushqyer, duke përfunduar shpesh në vdekje të parakohshme.

Në vitet ’80 filluan të ofroheshin teknologjitë ultratinguj për qëllime diagnostike, dhe menjëherë njerëzit filluan t’i shfrytëzonin këto teknologji të reja për të kryer aborte me bazë gjinore. Në vende ku ekziston apo është e dukshme preferenca ndaj djemve dhe janë lehtësisht të aksesuesshme teknologjitë për zgjedhjen e gjinisë, ka një pabarazi/diferencë të madhe gjinore. Ky mosbalancim po prek sidomos grupmoshat riprodhuese në shumë shtete, sidomos në Kinë, Korenë e Jugut dhe në disa vende të Indisë.

Raporti gjinor në lindje përcaktohet sipas numrit të djemve të lindur për çdo 100 vajza, ku mesatarja në të gjithë botën është rreth 105 meshkuj për çdo 100 femra. Koreja e Jugut është shteti i parë ku është raportuar një raport shumë i lartë, duke qenë se në këtë shtet u përhapën më shpejt teknologjitë për zgjedhjen e gjinisë krahasuar me vendet e tjera aziatike. Ky raport filloi të rritej në Korenë e Jugut në mesin e viteve ’80, ndërsa nga viti 1992 arriti në 125 në disa shtete.

Shumë shpejt u pasua nga Kina. Këtu raporti gjinor në lindje është rritur në mënyrë të qëndrueshme nga 106 djem për 100 vajza në vitin 1979, në 111 në vitin 1990, 117 në 2001 dhe 121 në 2005. Për shkak të numrit të madh të popullsisë në Kinë, kjo diferencë gjinore përkthehet në një numër shumë më të lartë të meshkujve krahasuar me femrat. Në vitin 2005, u llogarit që 1.1 milionë më shumë djem u lindën në këtë shtet, ku numri i djemve nën 20 vjeç ka tejkaluar atë të vajzave me rreth 3 milionë.

Në Shqipëri, të dhënat e fundit të Instat për vitin 2017 tregojnë se raporti gjinor në lindje është 110,5 djem për 100 vajza, shifër kjo e rritur nga viti në vit (nga 106.9 që ishte në vitin 2016).

Shumë djem

Sipas Institutit të Statistikave në Shqipëri, struktura e popullsisë sipas gjinisë në 1 Janar 2018 rezulton me 1.438.609 burra dhe 1.431.715 gra.

Po të bëjmë një krahasim të lindjeve brenda vendit sipas raportit djem/vajza, nga viti 2010 deri në 2017, vihet re që raporti gjinor midis djemve dhe vajzave në lindje vijon të jetë ndjeshëm më i lartë në favor të djemve.

Të dhënat janë marrë nga Regjistri i Gjendjes Civile dhe Instituti i Statistikave për periudhën 2010 – 2017

Në Indi, një shtet që ka pasur gjithmonë një preferencë të dukshme për djemtë dhe trashëgimtarë meshkuj, ka 37 milionë më shumë meshkuj, sipas të dhënave më të fundit demografike. Numri i lartë i meshkujve krahasuar me femrat ka çuar në rritjen e numrit të beqarëve dhe të trafikimit njerëzor dhe prostitucionit. Ekspertët mendojnë se kjo ka ardhur për shkak të teknologjive për përzgjedhjen e gjinisë në 30 vitet e fundit, që, edhe pse e ndaluar me ligj, vazhdon të jetë një praktikë e përhapur.

Kina ka disa milionë meshkuj më shumë se femra për shkak edhe të politikave të këtij shteti për lindjen e një fëmije për çift (lejohej vetëm lindja e një fëmije dhe abortimi në rast se kishin më shumë se një, politikë kjo e imponuar në vitet ’70 për të kontrolluar rritjen eksponenciale të popullsisë), që u ndryshua në vitin 2015, edhe pse efektet e saj do të zgjasin për shumë dekada. Kjo politikë ka qenë një ndër faktorët kryesorë të krijimit të këtij mosbalancimi, pasi miliona çifte vendosën që fëmija e tyre duhet të jetë djalë dhe i abortonin vajzat.

Në këto dy shtete, janë më 50 milionë më shumë meshkuj nën moshën 20 vjeç.

Ky mosbalancim gjinor e bën më të vështirë për meshkujt të gjejnë një partnere. Nga viti 2020, llogaritet që të ketë 30 milionë më shumë meshkuj se femra, të cilët do të kërkojnë për një partnere. Në librin “E ardhmja demografike”, ekonomisti politik amerikan Nicholas Eberstadt citon parashikimet që deri në vitin 2030, më shumë se ¼ e meshkujve kinezë në të 30-tat mund të ngelen beqarë.

Perspektiva gjinore në Shqipëri

Raporti gjinor midis djemve dhe vajzave në lindje vijon të jetë ndjeshëm më i lartë në favor të djemve. Sipas Institutit të Statistikave, raporti gjinor në lindje ka pësuar një rritje, duke shënuar vlerën 110.5 djem për 100 vajza në vitin 2017, nga 106.9 që ishte në vitin 2016.

Të kesh një raport të vajzave ndaj totalit të lindjeve 47,5 % është njësoj sikur për çdo 100 vajza të lindura të kemi 110 djem të lindur. Kjo do të thotë pas 15 vjetësh vendi të përballet me një problem jo të vogël riprodhues.

Pasojat e diferencave të mëdha gjinore

Përcaktimi prenatal i gjinisë u bë i mundur në mesin e viteve ’80, ndërsa në zonat rurale edhe më vonë. Prandaj, djemtë të cilët janë më të shumtë në numër krahasuar me vajzat janë tashmë në moshën riprodhuese. Nëse ky trend do të vazhdojë, pas 20 vitesh mund të ketë 10-20% më shumë djem të rinj krahasuar me vajzat. Këta djem do ta kenë të pamundur që të martohen, në vende ku martesa dhe familja është e shenjtë.

Ka një sërë supozimesh në lidhje me efektet e pabarazisë gjinore dhe pamundësisë së këtyre djemve për t’u martuar për shkak të numrit të tyre të lartë krahasuar me vajzat. Së pari, thuhet se pamundësia për t’u martuar dhe lindur fëmijë mund të çojë në ulje të vetëbesimit dhe zhvillimit të një sërë problemesh fizike dhe psikologjike. Këto probleme psikologjike dhe frustrimi seksual mund të shkaktojnë gjithashtu agresion dhe shfaqje të shenjave të dhunës tek këta meshkuj.

Ka të dhëna që tregojnë se pjesa më e madhe e krimeve kryhen nga të rinj të pamartuar.

“Në të ardhmen, do të ketë miliona djem që nuk mund të martohen, duke u bërë kështu një rrezik potencial për shoqërinë”, paralajmëron Li Shuzhuo drejtues i demografisë tek Universiteti Xi’an Jiaotong.

“Mosbalancimi gjinor mund të nxisë një “krizë mashkullore”, meqë kanë filluar të ndryshojnë edhe rolet tradicionale burrë/grua dhe meshkujt ­mund të përqafojnë qëndrime shoqërore progresive për të vërtetuar burrërinë e tyre”, thotë prof. Prem Chowdhry, shkencëtar nga Nju Dehli.

“Njerëzit e zhvleftësojnë burrërinë e tyre. Nëse mbeten beqarë, mund të mos deklarohen më si meshkuj. Funksioni themelor i një mashkulli në shoqëritë rurale është të kenë një familje dhe të kujdesen për të.

“Në zonat rurale, meshkujt që nuk janë të martuar janë realisht të margjinalizuar; edhe pse socializmi në fshat është i vështirë”, thotë Therese Hesketh, profesor i mjekësisë së përgjithshme në Kolegjin Universitar të Londrës. “

Këta djem janë të stresuar”.

Përpjekja e dëshpëruar për të gjetur nuse

“Duhet të kesh patjetër shtëpi, të ardhura dhe një punë të mirë për të gjetur nuse. Shumë djem duhet të punojnë fort, të marrin përsipër punë të vështira dhe të padëshiruara për të tërhequr një vajzë. Është si një garë e hapur mes djemve”, thotë Shang-Jin Wei, ekonomist në Universitetin e Kolumbisë.

“Dikur të pasurit djem konsiderohej si mbrojtje kundër varfërisë në pleqëri. Tani prindërit po sakrifikojnë për të ndihmuar djemtë të gjejnë një nuse. Nuset dikur kujdeseshin për prindërit e bashkëshortëve. Në miliona familje, tani nuk është më e mundur”.

Masat që duhet të ndërmerren

Asgjë nuk mund të bëhet realisht për të ulur numrin e madh të të rinjve meshkuj sot krahasuar me femrat, por mund të bëhet shumë për të parandaluar abortet me bazë gjinore, ku do të përfitojë gjenerata e ardhshme. Duke parë këto efekte potenciale shkatërruese të kësaj diferenca të madhe të raportit gjinor, ka bërë që disa shtete të ndërmarrin masa. Në shumë shtete janë miratuar ligje që ndalojnë përcaktimin e gjinisë së fetusit dhe abortin me bazë gjinore. Në fillim të viteve ’90, mjekët në disa shtete humbën licencën për të kryer përcaktimin e gjinisë, që çoi në rënien e raportit gjinor në lindje nga 117 në 113. Në Korenë e Jugut, këto ligje së bashku me fushatat e ndërgjegjësimit, bënë që raporti gjinor në lindje të binte nga 118 në vitin 1990, në 109 në 2004.

Por, edhe pse aborti me bazë gjinore është i ndaluar me ligj, fakt është që në shumë vende aborti vazhdon të kryhet dhe është shpesh e vështirë të vërtetosh nëse ky abort është bërë për përzgjedhjen e gjinisë.

Përderisa institucione ndërkombëtare vazhdojnë t’u bien kambanave dhe ndërmarrin iniciativa panbotërore për abortin selektiv me bazë gjinore, duhet gjithnjë të ketë përditësime të legjislacionit dhe përcaktimin e kornizave profesionale e ligjore në raport me kohën, në mënyrë që të parandalojmë dhe minimizojmë këtë fenomen sa më shumë të mundemi.

 

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here