Kryefaqja Aktualitet E drejta pronësore e grave sipas instrumenteve ndërkombëtare

E drejta pronësore e grave sipas instrumenteve ndërkombëtare

0
Shpërndaje

Përgatiti Daniela Burnazi, eksperte ligjore

Instrumentet ndërkombëtare nënvizojnë se të drejtat pronësore nuk kanë asnjë ndikim gjinor: ato janë të barabarta për të gjithë.

Si e tillë, e drejta e pronësisë mbi pasuritë e luajtshme apo paluajtshme, mbi tokën, e drejta për strehim etj, janë të drejta themelore të njeriut dhe instrumentet ndërkombëtare mëshojnë mbi mbrojtjen e të drejtave të grave në pronësi dhe ndalimin e diskriminimit.

Gratë, duke njohur mirë  ligjet, instrumentet ndërkombëtare që i mbrojnë mbi të drejtën pronësore, janë më të fuqizuara jo vetëm në njohjen e të drejtave të tyre pronësore, por edhe në drejtime të tjera të jetës private dhe publike.

Për gratë në kontekstin familjar kjo do të thotë shumë më tepër. Të pasurit e një titulli pronësie mbi një tokë apo mbi një pronë të jep mbrojtje. Një titull pronësie përbën siguri për familjen në kohë të vështira, mund të rrisë pushtetin e negocimit brenda familjes dhe ofron mundësi për pavarësi ekonomike, qoftë dhe për mundësimin e kredive për nisma sipërmarrëse.

Pse duhet t’i njohin gratë instrumentet ndërkombëtare?

Së pari, ato e shikojnë të drejtën pronësore si të drejtë themelore të individit.

Së dyti, të drejtat pronësore, shikohen të barabarta për të gjithë dhe nuk lejojnë diskriminimin.

Së treti: marrëveshjet ndërkombëtare janë të ratifikuara në ligj dhe kanë fuqi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë (RSH).

Sipas nenit 116 të Kushtetutës së RSh, marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara, si akte normative që kanë fuqi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, renditen pas Kushtetutës.

Sipas nenit 122 marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara:

  • Janë pjesë e sistemit të brendshëm juridik pasi botohen në Fletoren Zyrtare;
  • Kanë karakter të vetëzbatueshëm, përveç rasteve kur nuk janë të vetëzbatueshme dhe zbatimi kërkon nxjerrjen e një ligji;
  • Kanë epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me to.

Në vijim do të rendisim disa instrumente ndërkombëtare që nënvizojnë rëndësinë që ka e drejta pronësore dhe ndikimin e saj në fuqizimin e gruas në jetën publike dhe private.

DEKLARATA UNIVERSALE E TË DREJTAVE TË NJERIUT

Kjo deklaratë është frymëzuar dhe mbështetëse e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, përfshirë këtu dhe të drejtën pronësore.

nenin 17:

  1. Gjithkush ka të drejtën të ketë pasuri, si vetëm ashtu edhe në bashkëpronësi me të tjerët.
  2. Asnjeri nuk duhet të privohet arbitrarisht nga pasuria e tij”.

Në nenin 25:

“Gjithkush ka të drejtë për një nivel jetese të mjaftueshëm që t’i përgjigjet shëndetit dhe jetës së përshtatshme si të atij personalisht, ashtu edhe të familjes së tij, duke përfshirë ushqimin, veshmbathjen, banesën, kujdesin mjekësor dhe shërbimet e nevojshme sociale, si edhe të drejtën për të qenë i siguruar në rast sëmundjeje, papunësie, vejanie, pleqërie dhe raste të tjera të humbjeve të mjeteve për jetesë për shkak të rrethanave të pavarura nga vullneti i tij/saj”.

Në këto nene shikojmë që askush nuk mund të diskriminohet apo t’i mohohet e drejta për pronësi. Çdo grua ka të drejta si burrat për të pasur pronë, për të qenë e pavarur ekonomikisht, për të gëzuar, poseduar dhe përdorur pronën e saj, pa u cenuar apo diskriminuar nga askush.

KONVENTA EUROPIANE E TË DREJTAVE TË NJERIUT (KEDNJ)

Edhe kjo konventë e ratifikuar me ligj është një instrument ndërkombëtar që mëshon në të drejtën e pronës.

Sipas nenit 1, protokolli 1 të KEDNJ:

Mbrojtja e pronës: “Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë e tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare”.

Neni 5, protokolli  i  KEDNJ:

“Bashkëshortët gëzojnë barazi të drejtash dhe përgjegjësish të karakterit të së drejtës private midis tyre dhe në marrëdhëniet me fëmijët e tyre, në lidhje me martesën, gjatë martesës dhe në rastin e zgjidhjes së saj. Ky nen nuk do t’i ndalojë Shtetet që të marrin masa të nevojshme në interesin e fëmijëve”.

Siç mund të shikojmë konventa thekson që ASKUSH nuk mund të privohet nga e drejta e pronës dhe e gëzimit paqësor mbi të.

Përveç kësaj, ndalon diskriminimin midis bashkëshortëve në të drejtën e pronës, madje i “vesh” ata me të njëjtat të drejta dhe detyrime mbi pasurinë e tyre.

KONVENTA PËR ELIMINIMIN E TË GJITHA FORMAVE TË DISKRIMINIMIT NDAJ GRAVE [CEDAË], RATIFIKUAR ME LIGJIN NR. 1769/1993

Kjo konventë që në nenin e 5/a kërkon nga të gjitha shtetet të “marrin masat e përshtatshme për  tё ndryshuar karakteristikat dhe modelet sociale e kulturore të sjelljes së burrit dhe të gruas, në mënyrë që të arrijnë të zhdukin paragjykimet dhe praktikat zakonore, dhe tё gjitha praktikat e tjera që mbështeten në idenë e inferioritetit ose të superioritetit të njërit apo tё tjetrit seks, ose në rolet stereotipe të burrit dhe të gruas”.

Ky material është plotësisht i financuar nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri – AWEN, nëpërmjet fondeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Bashkëpunim – Sida.

AWEN dhe Sida nuk janë domosdoshmërisht dakord me opinionin e shprehur. Vetëm ‘Together for Life’ është përgjegjës për përmbajtjen.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here