Të rinjtë në Tiranë janë përdorues të rregullt të kafesë. Kjo zgjedhje nuk bëhet vetëm se kafeja është produkti më i lirë i bareve, por se shumë prej tyre e kanë nevojë pirjen të paktën të një kafeje gjatë ditës. Një pjesë e tyre e kalojnë këtë masë deri në dy, tre, madje edhe pesë kafe në ditë. “Nuk mund ta nis punën pa pirë një kafe”, thotë Juli, 23 vjeç, “sepse në të kundërtën do të më zinte gjumi”. Shumë mjekë dietologë e këshillojnë një dietë të tillë, që përmban një kafe në mëngjes, sidomos për të rinjtë që studiojnë ose punojnë. Por për shumë të rinj të tjerë kafeja konsumohet me tepricë, në çdo moment të ditës. Kafeja shoqëron të rinjtë pothuajse në çdo moment që ata nisin të “çlodhen”, “të argëtohen”, apo “të takohen” (shkurt – të vrasin kohën) në një lokal. Nuk mjafton kjo, por “kafeja do dhe cigaren” dhe kështu tymnaja e duhanit nuk mungon asnjëherë kur pihet kafeja. Kafeina dhe theophylina, dy përbërësit kimikë që ndodhen në kafe, në çaj, apo në kola dhe çokollatë, mund të ndihmojnë në bllokimin e rritjes së qelizave të trombozave, theksonte një studim i botuar në revistën “Journal of Biological Chemistry”. Por, në sasira të tepruara, kafeina, produkti kryesor i kafesë, mund të sjellë probleme serioze për shëndetin, sidomos probleme me zemrën dhe stresin. Disa studiues gjermanë kanë deklaruar se kishin zbuluar tek lënda e kafesë një substancë që mund të shkaktojë sëmundjen e kancerit. Studimin e tyre ata e botuan tek revista prestigjoze “Oeko-Test”. Lënda kanceroze quhet akrilamidë, e njohur si shkaktare e mundshme e kancerit në 24 llojet e kafesë turke dhe 7 lloje të kafesë së përdorur për ekspres. Në Universitetin anglez “Xhon Hopkins”, një grup mjekësh konstatuan se përdorimi i kafesë nuk shkaktonte rritjen e tensionit, ashtu siç ishte menduar për 60 vjet më rradhë, por “vetëm ndikonte në krijimin e tij”. Sapo ua përmend këto fakte, të rinjtë preferojnë të ndryshojnë bisedë… Mënyrat se si e kanë nisur përdorimin e kafesë, janë të ndryshme. Përveç orëve të zgjatura të kaluara mbi libra, përdorimin e kafesë tek të rinjtë e ka kushtëzuar edhe një tjetër fakt “nuk kemi lekë të kërkojmë tjetër pije në lokal” (!) “Kërkojnë vetëm kafe”, thotë Bledi, kamarier në një lokal, “por kjo nuk është problem, përkundrazi, pronarët fitojnë më shumë me kafe”.
Importet e kafesë në Shqipëri, shënojnë rritje, sipas të dhënave nga doganat. Bëhet fjalë për një biznes që prek shumë vende, disa prodhuese dhe disa tranzite në shpërndarjen e kafesë. Reklamat dhe publiciteti i jashtëzakonshëm i televizioneve dhe radiove kryeqytetase dhe në rrethe, flasin për një interes të dukshëm në blerjen dhe konsumimin e këtij produkti, (jo vetëm tek familjarët, por sidomos tek të rinjtë), që kur përdoret me tepri, mund të krijojë edhe probleme shëndetësore.
Pergatiti. Fatjona Hysi
E mira dhe e keqja kafe… !!!



