Denisa Canameti/Daniela Bardhi, Shëndet+
Shumë media online e kanë quajtur si një “rekord botëror”. Flitet për një supergrua që lind 17 fëmijë nga një shtatzëni e vetme për 29 orë, në spitalin “Indianapolis Memorial”, SHBA.
Sipas asaj që shkruhet, doktori Jack Morrow që i priti foshnjat, tha se e gjithë “kjo ishte e pabesueshme. Ata vinin njëri pas tjetrit”.
Catherine Urat dhe burri i saj, pas përpjekjeve disavjeçare për të pasur një fëmijë, iu drejtuan një klinike mjekësore të fertilitetit në Ishullin Rodos. Procesi i inseminimit ishte shumë i suksesshëm thanë ata dhe tani gëzojnë plot 17 djem të mrekullueshëm dhe identikë.
Emrat e djemve thuhet të jenë: Xheims, Xhakob, Xharod, Xharvis, Xhason, Xhefri, Xhermi, Xherom, Xhesi, Xhimi, Xhoakim, Xhonatan, Xhonas, Xhozep, Xhulian, Xhimbo dhe çuditërisht Darth dhe Porkinus.
Lidhur me këtë rast, i kontaktuar nga gazeta “Shëndet+”, mjeku gjinekolog Rustem Celami thotë se “ka raste të 5 apo gjashtënjakëve. Ndoshta dhe më shumë. Por nuk është e mundur t’i çosh 17 fëmijë deri në muajt e fundit të barrës. Sot në perëndim mbijetesa e foshnjeve mbi 24 javë është rritur ndjeshëm, por kjo nuk do të thotë mund të jenë me zhvillim mendor e fizik normal të gjithë.
“Teorikisht fekondimi in Vitro rezulton me shtatzëni binjake apo me shumë beba. Por shtatzënia me shumë beba ka rreziqe që me abort deri në lindje para kohe”.
Ndërkohë nga një verifikim i realizuar në internet rezulton se lajmi nuk është i vërtetë dhe është “krijuar” nga individë të veçantë me qëllim përfitimi të “pëlqimeve” në mediat sociale.


