E vërteta e barit për pacientët me leucemi. Prej 3 vitesh mungesë në QSUT

Ilir Beqaj_Shendet+

Denisa Canameti/ Shendeti.com.al

Mediat, pozita dhe opozita janë përplasur rëndë me akuza dhe kundërakuza lidhur me mungesën e barit ‘Fludarabine-10mg’ . Sipas raportimeve të medieve, krerët e ministrisë së Shëndetësisë kanë bllokuar për të paktën 4 muaj këtë ilaç të domosdoshëm për kurimin e leucemisë dhe qelizave kanceroze të gjakut (lexo këtu).

Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë hodhi poshtë të gjitha pretendimet, duke sqaruar se ministria e Shëndetësisë nuk ka bllokuar për asnjë ditë barin “Fludarabine”.

“Për sa i përket furnizimit të tregut, e vërteta është se nuk ka pasur asnjëherë mungesë të barit “Fludarabine”, ashtu siç e tregojnë edhe të dhënat publike ne faqen e internetit të Fondit për sasinë e çdo bari të rimbursuar”.

Gazeta “Shëndet+” ka ndjekur në terren të vërtetën e këtij lajmi, e në fakt e vërteta, veçanërisht për pacientët që kanë nevojë për këtë medikament, rezulton ndryshe. Fludarabine është medikament që merret ne ribursim. Nuk blihet në farmacinë e spitalit. Ky medikament nuk përdoret tek fëmijët. Përdoret në leucemi limfoide kronike stadi C, në afërsisht 40 % të pacientëve dhe në afërsisht 20 % të limfomave.

Sipas burimeve jozyrtare, ky medikament ka dalë nga regjistrimi në 2013-n. Që në atë kohë, nga shërbimi i hematologjisë kanë dalë disa letra ku është kërkuar sigurimi i barit. Përgjigjet e letrave kanë rënë në vesh të shurdhër, pasi ky medikament është zëvendësuar me një tjetër medikament, sigurisht më pak efektiv.

Aktualisht, në shërbimin e hematologjisë numërohen me gishtat e njërës dorë pacientët që kanë mundur ta gjejnë këtë medikament në rrugë jolegale. Një prej pacientëve i cili ka mundur ta sigurojë, i kontaktuar nga “Shëndet+”, tregon se ka blerë katër kutia në farmaci, por pa kupton tatimor.

I pyetur për çmimin, ai nuk pranon të japë një shifër të saktë, duke thënë “mos pyet sa, me borxhe, por e morëm”. Dokumentacioni dhe sqarimi ligjor që bën ministria e Shëndetësisë nuk ngushëllon asnjë pacient që duhet ta marrë këtë medikament. Shërbimi i hematologjisë vuan prej kohësh për shkak të mungesave. Bari Fludarabine nuk përbën rast përjashtimor, janë një numër i madh medikamentesh që blihen “nën dorë”, pasi shteti nuk ka mundur t’i sigurojë ato./ https://shendeti.com.al/

SKANDALI: Onkohematologjia, “klinikisht” e vdekur. Familjarët: Miliona lekë për një kimio

 

Postime të ngjashme

Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
Zakonet që do t'ju "shpëtojnë" nga fryrja e barkut
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Këto 3 vitamina që ekspertët rekomandojnë të mos i merrni me stomak bosh
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë