Çaji është një nga pijet më të njohura në botë. Anglezët, sidomos, e kanë pijen e tyre të preferuar, ndërsa në Shqipëri më shpesh përdoret në rastet e sëmundjeve. Markat më të njohura britanike të çajit i kanë plantacionet e tyre në Indi.
Një investigim më i fundit i gazetarëve të BBC-së tregon lidhur me kushtet skandaloze në të cilat jetojnë punëtorët e plantacioneve të çajit. Investigimi tregoi se punëtorët jetonin në shtëpi të prishura me kushte higjiene të frikshme, ndërsa shumë nuk kishin as banjë dhe thonin se nuk kishin zgjidhje tjetër përveçse t’i kryenin nevojat e tyre mes shkurreve të çajit.
Puna dhe jetesa është në kushte aq të këqija dhe pagat janë aq të ulëta, sa punëtorët e çajit dhe familjet e tyre janë të kequshqyer dhe shumë të prekshëm nga sëmundjet vdekjeprurëse.
Një problem tjetër tepër i madh i përkiste shëndetit dhe sigurisë, ndërsa punëtorët përdornin helmet për të spërkatur çajin, pa mbrojtjen e duhur dhe në disa plantacione përdoreshin edhe fëmijët.
Në fakt, pronarët e plantacioneve në Indi janë të detyruar nga ligji të sigurojnë shtëpi “të përshtatshme” dhe banja të pastra për punonjësit e tyre.
Megjithatë, shtëpitë e plantacioneve të çajit ishin në gjendje skandaloze. Punëtorët thanë se shtëpitë e tyre nuk ishin rregulluar pavarësisht kërkesave të shumta. Në disa raste ujërat e zeza vërshojnë në zonat e banuara. Shumë shtëpi nuk kanë elektricitet dhe çdo punëtor duhet të pijë ujë shiu, të cilin e mbledhin. Menaxheri i njërit prej plantacioneve në zotërim të prodhuesit më të madh të çajit në botë, “McLeod Russel”, pranoi se “duhen bërë shumë rregullime”.
Sipas Kolegjit Mjekësor të Asamit, një nga spitalet më të mëdha të zonave të çajit, nëntë nga dhjetë pacientë që vijnë nga plantacionet e çajit, janë të kequshqyer. Si rrjedhojë e kequshqyerjes këto familje janë shumë të prekshme nga sëmundjet e shkaktuara nga kushtet johigjienike në të cilat jetojnë.
“Sëmundjet e të varfërve” janë të shumta, thotë njëri nga mjekët, ndërsa shumë pacientë i drejtohen spitalit me diarre, infeksione të rrugëve të frymëmarrjes, infeksione të lëkurës apo sëmundje si tuberkulozi e meningjiti.
Por BBC gjeti edhe abuzime të tjera. Një 14-vjeçare u zbulua duke punuar në plantacionet e prestigjiozes “Doomur Dullung”. Ajo tha se punonte me kohë të plotë prej dy muajsh. “Doomur Dullung” zotërohet nga një nga kompanitë më të vjetra të çajit në botë “Assam”, e cila furnizon “Twinings”, “Yorkshire Tea”, “Harrods” dhe “Fortnum and Mason”. Dy fëmijë të tjerë, po adoleshentë, ishin të punësuar me kohë të plotë.
Në janar të këtij viti Instituti i të Drejtave të Njeriut “Shkolla Ligjore e Kolumbisë” publikoi një studim të madh mbi kushtet në plantacionet e zotëruara pjesërisht nga gjiganti indian “Tata” që zotëron edhe “Tetley Tea”. Raporti tregonte se kushtet ishin “abuzuese” dhe çnjerëzore” dhe zbuloi se të tilla ishin në gjithë këtë industri.
Për BBC-në “Tata” deklaroi se po punonte për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe punës të punonjësve në plantacione.
Gjithë plantacionet e vizituara nga BBC janë të certifikuara nga “Rainforest Alliance”, një OJF që pretendon se punon “për të ruajtur diversitetin dhe për të siguruar jetesë të mirë”. Shenja e bretkosës, simbol i saj, gjendet në të gjitha markat e çajit, që siguron kështu se këto biznese kanë plotësuar kriteret për “mbrojtjen e punonjësve, familjeve të tyre dhe komunitetit”.
I kontaktuar nga BBC, drejtori i saj, Eduard Millard, tha se “ne kryejmë inspektim një herë në vit në plantacione dhe detyrimisht që ai nuk është perfekt”. Sipas Millardit, do të kryhen audite dhe nëse ka prova se plantacionet përdorin fëmijë për punë dhe punonjësit punojnë pa pajisje mbrojtëse ndaj pesticideve, atëherë plantacionet do të decertifikohen.
Përgatiti në shqip për “Shëndet+”: Arlinda Gjypi