E vërteta për fishat e diabetit për fëmijët. Kë të besojmë, Ministrinë e Shëndetësisë apo PD?!

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha denoncoi sot nëpërmjet një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook mosmbajtjen e premtimit nga kreu i qeverisë, Edi Rama, për rimbursimin e fishave për matjen e diabetit.

Sipas Bashës, qeveria nuk ka miratuar akoma listën e ilaçeve të rimbursueshme dhe 1500 fëmijët e sëmurë me diabet do të vazhdojnë të blejnë 100 mijë lekë çdo muaj fishat e diabetit.

“Në 14 nëntor, në kulmin e skandalit të Saimir Tahirit, u bëmë dëshmitarë të një shfaqje të pashpirt të Edi Ramës me një 12 vjeçare, që vuante nga diabeti. Ai i premtoi Damiana Bakiut, familjes së saj dhe, nëpërmjet saj, 1500 familjeve të tjera që jetojnë me dhimbjen e diabetit të fëmijëve të tyre, se fishat e matjes së diabetit do të rimbursohen që nga janari 2018. Janari erdhi, por as Damiana, as 1500 femijët e tjerë nuk do të rimbursohen, sepse qeveria e Edi Ramës nuk ka miratuar akoma Listën e Barnave të Rimbursueshme për vitin 2017. 1500 fëmijët e sëmurë me diabet do të vazhdojnë të blejnë 100 mijë lekë çdo muaj fishat e diabetit, sepse klanet e tregut miliarder farmaceutik, klientë të Edi Ramës, nuk kanë rënë akoma dakord si do të ndajnë fitimet nga Lista”, shkruan Basha.

Ndërkohë, menjëherë ka ardhur reagimi nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku nëpërmjet një njoftimi për shtyp hedh poshtë akuzat e PD-së duke i cilësuar ato vetëm gënjeshtra.

Sipas MShMS, duke filluar nga janari i vitit 2018, fishat për fëmijët e sëmurë me diabet do të jepen falas.

“Keqardhje që Partia Demokratike e nis vitin me një gënjeshtër! Ja e vërteta për fishat e diabetit për fëmijët. Duke filluar nga Janari 2018, Fishat për fëmijët diabetikë, për herë të parë rimbursohen falas! Me një VKM të posaçme, në datën 29.12.2017 , Qeveria shqiptare miratoi, për herë të parë, këtë vendim të rëndësishëm. Rreth 1500 fëmijë të moshës 0-18 vjeç, brenda muajit janar, do të marrin FALAS Fishat e Diabetit. Me këtë vendim, qeveria shqiptare merr përsipër rimbursimin e 2 milionë e 190 mijë fishave në vit. Jo vetëm kaq, por do të garantohen edhe aparatet e glicemisë falas, si dhe gjilpërat falas, për fëmijët diabetikë. Fondi i vënë në dispozicion, nga Qeveria Shqiptare, për rimbursimin e fishave të diabetit, është 43.8 milionë lekë”, bën të ditur Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Se cili po thotë të vërtetën, mbetet për t’u parë./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni