Edukimi shëndetësor dhe seksual, nevojë e shkollave shqiptare

Dita Botërore e Kontracepsionit është një event vjetor që mbahet çdo vit më 26 shtator dhe një fushatë mbarëbotërore, e cila synon që të ndërgjegjësojë çdo njeri në përdorimin e metodave moderne kontraceptive, në mënyrë që të shmanget çdo shtatzëni e padëshiruar dhe çdo infeksion seksualisht i transmetueshëm (IST).

Aktiviteti UNFPAE drejta për Planifikim Familjar (PF) është miratuar zyrtarisht në Konferencën e Kombeve të Bashkuara në vitin 1966. Megjithatë, çdo vit, rreth 14 milion vajza adoleshente në të gjithë botën ngelin shtatzënë dhe shumë prej tyre kryejnë aborte.

Kontraceptivët janë metoda që parandalojnë shtatzëninë e padëshiruar dhe mbrojnë nga IST-të përfshirë HIV-in. Janë njohur gjerësisht tek ne si metoda të planifikimit familjar. Ekzistojnë metoda kontraceptive për meshkuj, si: prezervativi dhe sterilizimi kirurgjikal mashkullor dhe kontraceptivë për femra, si: pilulat, pilula kontraceptive e urgjencës, injeksioni, DIU dhe sterilizimi kirurgjikal femëror.

UNFPA, në bashkëpunim me të rinjtë e shkollave të mesme në Tiranë, në bashkëpunim me shoqërinë civile, me vullnetarët e Qendrave Rinore dhe me vullnetarët e grupeve të shëndetit të shkollave të mesme kanë organizuar një sërë aktivitetesh në kuadër të kësaj dite.

Elida Nuri, koordinatore e programit të UNFPA-së (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë në Shqipëri), shpjegon për lexuesin e “Shëndet+” qëllimin e këtij aktiviteti, si dhe thekson faktin që ka nisur puna për përfshirjen e edukimit seksual në kurrikulat e shkollave të nivelit parauniversitar. Qëllimi i UNFPA-së, tha Nuri, është jo vetëm që të standardizojë informacionin e saktë për shëndetin seksual dhe riprodhues të adoleshentëve, por edhe që t’i ndërgjegjësojë dhe aftësojë të rinjtë për një jetë të shëndetshme, ndërsa ata kalojnë në fazën e rritjes fiziologjike dhe mendore. Janë vetë të rinjtë që mund të përcjellin informacionin tek njëri-tjetri, po aq sa edhe mësuesit.

Sa të interesuar ju duken të rinjtë, sidomos kur flasim për një moshë nën 18 vjeç dhe për një temë që, përveç të tjerash, në Shqipëri vazhdon të mbetet tabu?

Ajo që po vëmë re, qoftë edhe nga studimi i sjelljeve të adoleshentëve, është që gjithnjë e më shumë ka një rritje të ndërgjegjësimit dhe të dëshirës së tyre për të marrë informacionin e saktë. Ajo çfarë ne po bëjmë në mbështetje edhe të programeve të qeverisë dhe të shoqërisë civile, është që këtë informacion ta institucionalizojmë nëpërmjet futjes në kurrikulën shkollore të edukatës seksuale dhe të shëndetit riprodhues.

Grupi që po punon për kurrikulën, janë ekspertë të pedagogjisë dhe ekspertë të hartimit të kurrikulave, të cilët po përdorin një gjuhë të kuptueshme nga të rinjtë, në mënyrë që informacioni të jetë i kuptueshëm dhe i asimilueshëm.

UNFPA aktiviteti kontracepsioni***

Ashtu siç thekson edhe Nuri në fjalën e saj, janë të rinjtë ata të cilët e përcollën informacionin tek njëri-tjetri. Midis të rinjve është më e thjeshtë që gjërat të kuptohen dhe të pranohen. Të rinjtë shqiptarë dhe, veçanërisht, adoleshentët janë të tërhequr kur flitet për tema mbi marrëdhëniet seksuale, jo sepse ata nuk janë të përfshirë në marrëdhënie, por sepse ende nuk e kanë kapërcyer mendimin që të flasësh për seksin dhe për prezervativët është çështje thellësisht individuale dhe personale.

***

“Të rinjtë kryejnë marrëdhënie seksuale dhe ne nuk mund t’u themi që të mos e bëjnë. Ajo çfarë na takon ne si mjekë dhe si këshillues të shëndetit nëpër shkolla është që t’u tregojmë atyre se cila është rruga më e mirë që seksi të shihet si kënaqësi e të jetë i sigurt dhe jo një problem që mund të shkatërrojë edhe jetën”. Kështu shprehet Teuta Pipa, doktoreshë pranë kabinetit të shëndetësisë në shkollën e mesme të përgjithshme “Sami Frashëri”.

“Informacioni në shkolla në përgjithësi është i mangët. UNFPA-ja po punon për të krijuar kurrikulat për edukimin shëndetësor dhe seksual. Ne e dimë që bazat e edukimit seksual duhet të merren që në familje. Ne nuk e kemi ende atë kulturë, ndaj duhet bërë një punë shumë e madhe në shkolla.

“Edukimi zyrtar është shkolla dhe organizata. Shkolla jonë ka një grup shëndeti shumë aktiv, kemi hapur edhe faqen tonë të internetit për të krijuar një komunikim me të rinjtë që nuk mund të shprehen në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“Ka shumë nxënës që nuk duan që të vijnë e të këshillohen me mua për arsye që ata i dinë, por edhe ne i dimë gjithashtu, – thotë mjekja. – Sot informacioni për seksin si kurrë më parë nuk ka qenë kaq i gjerë dhe i larmishëm. Ndaj është shumë e rëndësishme që ne t’i orientojmë si duhet të rinjtë drejt informacionit të saktë dhe të duhur”.

Tashmë edhe në vendin tonë ekziston një klimë dhe qëndrim pozitiv ndaj dhënies së informacionit për edukimin seksual tek të rinjtë. Të rinjtë duhet të kuptojnë që kanë të drejtat e tyre dhe askush nuk mund t;u mohojë atyre të drejtën për një shëndet të mirë dhe për të marrë shërbime cilësore.

Të rinjtë kanë të drejtë për të qenë vetvetja, të marrin vendime me vullnet të lirë, të shprehin vetveten, të jenë të sigurt, të zgjedhin kur dhe të planifikojnë familjen e tyre.

***

Lumturi Mërkuri, mjeke, specialiste e Shëndetit Publik, pjesëmarrëse në këtë aktivitet, thekson faktin se një person i informuar, i cili di fakte rreth kontracepsionit, është i aftë për të parandaluar një shtatzëni të paplanifikuar dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme. Duke mësuar rreth të gjitha opsioneve të kontraceptivëve, të rinjtë do të jenë të përgatitur plotësisht për të përdorur në mënyrë efektive kontracepsionin e duhur për ta, të vendosin kur do të kryejnë marrëdhënie seksuale.

Ekzistojnë mite dhe ide të gabuara rreth seksit dhe kontracepsionit, prandaj është e rëndësishme që të rinjtë të mësojnë nga burime të besueshme e të paanshme të informacionit, të diskutojnë me profesionistët e kujdesit shëndetësor, të zgjedhin se cila mundësi është më e drejtë për ta.

***

UNFPA aktiviteti kontracepsioniTë rinjtë: Informimi është i nevojshëm

Por çfarë mendojnë vetë të rinjtë? Sa të përfshirë janë ata në këtë fushatë sensibilizuese e cila i prek në mënyrë të drejtëpërdrejtë?

Sara Lamçellari nga shkolla “Sami Frashëri”, pjesë e grupit “Shëndeti”, gjithashtu pjesëmarrëse në qendrën rinore PO dhe UNFPA, tregon se në bazë të statistikave janë rritur shumë rastet e aborteve që kryhen në moshë të re.

E pyetur se pse kjo fushatë është përqendruar tek të rinjtë adoleshentë, ajo thekson faktin se që në moshën 14-15 vjeçe është vënë re në sajë të statistikave që të rinjtë shqiptarë hyjnë në marrëdhënie seksuale, por pa mbrojtje. Ndaj ajo e shikon si një detyrim të sajin dhe të bashkëmoshatarëve që të informojnë njëri-tjetrin.

Çfarë keni bërë gjatë kësaj kohe për ndërgjegjësimin e adoleshentëve?

Janë punuar informacione në formë posterash, fletëpalosje, janë shpërndarë mesazhe nëpër klasa, madje kemi bërë edhe një video me mesazhe nga nxënësit, kemi përgatitur dhe prezervativë që përmbajnë anash tyre një mesazh që i dedikohet jetës.

Duke e parë nga këndvështrimi i një adoleshenteje, mendoni se bashkëmoshatarët tuaj e kanë mirëpritur këtë fushatë sensibilizuese që ju po bëni?

Të rinjtë shqiptarë nisen nga modeli që ofron shoqëria. Nëse një pjesë e mirë e shoqërisë e kthen kokën dhe fillon e reflekton mbi këto masa mbrojtëse, jam e bindur që edhe pjesa tjetër “indiferente” do të reflektojë gjithashtu.

***

Xhoi Çota, gjithashtu nxënëse në shkollën “Sami Frashëri”, si dhe e angazhuar në këtë fushatë shprehet se në shkollën “Sami Frashëri” nuk kanë pasur ndonjë rast për t’u shënuar. “Unë bëj pjesë edhe në grupin e shëndetit të shkollës dhe nuk e kam hasur”, thotë ajo.

Çfarë mund të thoni për lidhjet që krijohen brenda klasës?

Mund të themi që ka shumë. Ka nga ato që janë të hapura, lidhje që mundohen t’i fshehin, por që duken, mund të ketë dhe që nuk i njohim fare. Megjithatë, ne sot jemi që t’ju tregojmë këtyrë të rinjve që kjo lidhje mund të jetë shumë e bukur dhe mund të përjetohet shumë mirë, nëse je i kujdesshëm. Me një kujdes minimal, siç është ai i kontraceptivit modern, gjithçka do të shkonte mrekullisht mirë dhe në të ardhmen, nuk do të kishte vend për pendesa.

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën