Efikasiteti dhe efektiviteti i vaksinave antiCOVID-19

Vaksinat kundër COVID-19 janë të sigurta, efektive dhe shpëtojnë jetë. Ashtu si të gjitha vaksinat, ato nuk mbrojnë plotësisht të gjithë ata që janë të vaksinuar dhe ne nuk e dimë ende se sa mirë kjo gjë mund të parandalojë njerëzit që të transmetojnë virusin te të tjerët. Pra, përveç vaksinimit, duhet të marrim edhe masa të tjera për të luftuar pandeminë.

Efikasiteti dhe efektiviteti i vaksinës

Të gjitha vaksinat kundër COVID-19 të miratuara nga OBSH për listën e përdorimit kanë kaluar nëpër prova klinike të rastësishme për të testuar cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin e tyre. Për t’u miratuar, vaksinat duhet të kenë një shkallë të lartë efikasiteti prej 50% ose më shumë. Pas miratimit, ato vazhdojnë të monitorohen për sigurinë dhe efektivitetin e vazhdueshëm. Por cili është ndryshimi midis efikasitetit dhe efektivitetit?

Efikasiteti i një vaksine matet në një provë klinike të kontrolluar dhe bazohet në atë se sa njerëz që u vaksinuan zhvilluan ‘rezultatin e interesit’ (zakonisht sëmundje) krahasuar me sa njerëz që morën placebo (vaksinën e rreme) zhvilluan të njëjtin rezultat. Pasi të përfundojë studimi, krahasohen numrat e të sëmurëve në secilin grup, në mënyrë që të llogaritet rreziku relativ për t’u sëmurur në varësi të faktit nëse subjektet kanë marrë ose jo vaksinën. Nga kjo marrim efikasitetin – një masë se sa vaksina uli rrezikun për t’u sëmurur. Nëse një vaksinë ka efikasitet të lartë, shumë më pak njerëz në grupin që morën vaksinën u sëmurën sesa njerëzit në grupin që morën placebo.

Kështu, për shembull, le të imagjinojmë një vaksinë me një efikasitet të provuar prej 80%. Kjo do të thotë se – nga njerëzit në provën klinike – ata që morën vaksinën ishin në një rrezik 80% më të ulët për të zhvilluar sëmundje sesa grupi që mori placebo. Kjo llogaritet duke krahasuar numrin e rasteve të sëmundjes në grupin e vaksinuar kundrejt grupit placebo. Një efikasitet prej 80% nuk ​​do të thotë se 20% e grupit të vaksinuar do të sëmuren.

Efektiviteti i vaksinës është një masë se sa mirë funksionojnë vaksinat në botën reale. Provat klinike përfshijnë një gamë të gjerë njerëzish – një gamë të gjerë moshe, të dy gjinitë, etni të ndryshme dhe ata me kushte të njohura mjekësore – por ato nuk mund të jenë një përfaqësim i përsosur i të gjithë popullatës. Efikasiteti i parë në provat klinike zbatohet për rezultate specifike në një provë klinike. Efektiviteti matet duke vëzhguar se sa mirë funksionojnë vaksinat për të mbrojtur komunitetet në tërësi.

Efektiviteti në botën reale mund të ndryshojë nga efikasiteti i matur në një provë, sepse nuk mund të parashikohet saktësisht se sa efektiv do të jetë vaksinimi për një popullsi shumë më të madhe që vaksinohet në kushte më reale.

Shoqata Together for Life, për të rritur ndërgjegjësimin ndaj vaksinimit për COVID-19, në kuadër të fushatës “Le të flasim për vaksinat”, mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri – WHO Albania.

Postime të ngjashme

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala: Ja pse u dorëhoqa!
Jep dorëheqjen ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala
Gruaja rreth 7 muajshe shtatzënë humbi jetën gjatë transportit drejt Tiranës, nisin hetimet ndaj 3 mjekëve të maternitetit
37-vjeçarja shtatzënë ndërroi jetë rrugës për në Tiranë, reagon MSHMS: Do të hetohet i gjithë procesi i kujdesit shëndetësor
Skandal në Spanjë: Udhëzimet për menopauzën u bazuan në studime të kryera te burrat
Po transportohej drejt Tiranës, humb jetën gruaja shtatzënë! Detajet e para
Rritet me 28% fondi për barnat e rimbursueshme, lista zgjerohet me 20 ilaçe në 2027
Ethet e Nilit në Korçë, ISHP në terren pas konfirmimit të rastit të parë në Shqipëri. Hetime dhe depistim për parandalimin e infektimeve