Eko-ja, çfarë duhet të dini për të

Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”

Ekografia është një ekzaminim që bëhet me anën e ultratingujve dhe na jep informacion për organet dhe strukturat e brendshme të abdomenit (barkut). Marrim informacion për madhësinë, strukturën, pozicionimin e mëlçisë, veshkave, shpretkës, fshikëzës urinare, prostatës tek meshkujt, apo mitrës dhe vezoreve tek femrat. Megjithëse ky është ekzaminim i rëndësishëm në kolikat abdominale (dhimbjet e barkut), theksohet rëndësia e tij shpesh në kontrollet rutinë diagnostikohet prania e gurëve në traktin urinar, në fshikëzën e tëmthit, prania e kisteve në mëlçi apo veshka, dëmtimet e mëlçisë nga përdorimi i alkoolit apo nga hepatitet kronike. Jo rrallë diagnostikohen në moshë të rritur çrregullime organore të lindura apo edhe prania e formacioneve patologjike tek të cilat diagnostikimi i hershëm është thelbësor në ecurinë e sëmundjes.
Të dhënat mjekësore që marrim nga eko abdominale, shpesh plotësohen edhe nga CT apo rezonanca magnetike, sipas vlerësimit të mjekut përgjegjës.

eko zemreEkografia përdor një sondë e cila përçon ultratinguj, valë zanore me frekuecë shumë më të lartë nga ajo që kap veshi i njeriut. Valët zanore kalojnë përmes lëkurës në brendësi të trupit dhe rikthehen sërish në sondë, dhe përmes fibrave optike kompjuteri në aparatin e ekografisë i shndërron këto valë dhe impulse në imazhe ekografike. Mjeku Korab Ndreu shpjegon për lexuesin e “Shëndet+” gjithçka që duhet të dihet lidhur me ekzaminimin e ekos.

Doktor, çfarë është ekoja?

Ekoja  bazën e punës së vet e ka nëpërmjet ultratingujve. Pra, punon me tinguj me frekuencë të lartë dhe nuk punon me rreze x siç janë aparatura të tjera, ndaj konsiderohet e padëmshme. Në këtë aparaturë shikojmë gjithë problematikën e organeve të barkut, si dhe ndiqen shtatzëni nga fillimi i tyre e deri në lindje. Për publikun ekoja konsiderohet aparatura që bën një ekzaminim të thjeshtë me një kosto relativisht të lirë.

Referuar rasteve klinike, sa eko mund të bëni në një ditë?

Në praktikën time të përditshme kaloj rreth 15 eko (pacientë) në ditë, duke pasur parasysh faktin që kohëzgjatja e një ekoje është afërsisht 10 minuta.

Ekografia gjinekologjike

Informacioni i përftuar nga ekzaminimi gjinekologjik mund të mos jetë i plotë. Përmes një ekografie pelvike (gjinekologjike) arrihet të shikohen në detaje mitra dhe vezoret (ovaret) duke plotësuar kështu të dhënat e ekzaminimit gjinekologjik.

Cilat janë këshillat që duhet të ketë parasysh një pacient që do të bëjë një eko gjinekologjike?

Një vezikë e mbushur do të krijonte kushte shumë të mira për evidentimin e mitrës dhe vezoreve. Për këtë arsye është mirë që 3-4 orë përpara ekografisë abdominale të mos urinojë. Në rastet kur vezika urinare nuk është e mbushur dhe kjo sjell shikueshmëri jo të mirë të organeve gjenitale, mjeku gjinekolog mund tju kërkojë të pini ujë dhe të përsërisni ekografinë pas 30 – 60 minutash.

Përmes një ekografie pelvike (gjinekologjike) arrihet të shikohen në detaje mitra dhe vezoret (ovaret) duke plotësuar kështu të dhënat e ekzaminimit gjinekologjik.

Gjatë ekografisë gjinekologjike abdominale, mjeku gjinekolog vendos sondën në pjesën fundore të barkut. Gjithnjë përdoret një sasi e vogël xheli në lëkurë për të bërë sa më optimal kontaktin e sondës me lëkurën dhe transmetimin e ultratingujve.

Kistet në vezore

Kistet vezore janë patologji e shpeshtë. Në rastin e një ekzaminimi ekografik paraprak pacientja duhet të jetë e përgatitur. Duhet të ketë konsumuar një sasi të konsiderueshme lëngjesh, 1 orë- 1 orë e gjysmë para ekzaminimit nuk duhet të ketë urinuar.

Patologjitë ku pacienti duhet të vijë me stomakun bosh?

Nuk duhet të kemi konsumuar lëngje, si dhe duhet ta kemi stomakun bosh kur bëjmë eko për gurët në tëmth.

Deri ku është kufiri i ekos?

Padiskutim që vizita bazë fillon me ekografi e më pas një patologji dyshuese për mjekun radiolog kërkon ekzaminime të mëtejshme. Një problem tumoral i mëlçisë mund të kërkojë ekzaminim me skaner, përshembull. Në ekzaminimin e stomakut dhe zorrëve më e saktë është kolonoskopia.

Patologjitë që zbulon përmes ekos…

Normalisht në të gjithë vendet eko-ja futet në ekzaminimet bazë. Janë disa patologji kryesore siç është gjiri, që problemet bazë evidentohen nëpërmjet ekografisë. Por është e mira që kontrolli i gjirit të kompletohet me mamografi.

Referuar rasteve tuaja klinike cilat janë problemet më të shpeshta shëndetësore?

Kryesisht problemet renale, gurët në veshka, kistet në veshka, gurët në tëmth, si dhe zmadhimet e prostatës

Sa e njohin njerëzit ekon si ekzaminim?

Sot njerëzit janë  të informuar lidhur me ekzaminimet. Kanë më shumë mundësira për zbulimin e patologjive në mënyrë të thjeshtë.

A është ekoja diagnostikim parandalues?

Është ekzaminim bazë nëpërmjet të cilit mund të kapen shumë problematika në zonën abdominale.

 

Kur mund të nevojitet ekoja si ekzaminim

Në pjesën më të madhe të rasteve pacientët vijnë me rekomandimin e mjekut të familjes. Megjithatë ka raste që pacientët vijnë pa ekzaminim kur kanë:

  • Dhimbje barku
  • Zverdhje të syve apo të turpit
  • Probleme me tretjen apo përzierjen e stomakut
  • Në urinimin e dhimbshëm
  • Në dhimbjet e barkut
  • Kur barku rri vazhdimisht apo vjen duke u fryrë.
  • Për të vlerësuar madhësinë dhe përbërjen e një organi.
  • Gjatë një kontrolli të përgjithshëm (check-up) etj.

 

Problematikat që diagnostikohen nëpërmjet ekos

Vlerësimi ekografik bazohet në të gjitha organet abodiminale që në gjuhë e thjeshtë quhen organe që mbulohen nga cipa. Të parët e organeve në bark quhet EKO ABDOMINALE. Në të mund të shihet mëlçia, tëmthi, rrugët e bilës, veshkat, gjendrat mbiveshkore, pankreasi, shpretka, aorta abdominale, vena kava inferior. Më poshtë fshikëza e urinës, prostata, mitra, vezoret, tuba uterina, hapësira Douglas. Gjithashtu, edhe lenfadenpatitë, masat (tumoret) kistet apo grumbullimi i lëngjeve (ascitet).

Postime të ngjashme

Ethet e dengës në Bangladesh, 21 persona humbën jetën brenda ditës
Ekzema, ja disa metoda natyrale për lehtësimin e saj
Çfarë problemesh shëndetësore mund të fshihen pas etheve?
Çfarë është endometrioza, sëmundja që prek gratë në moshën riprodhuese dhe cilat janë simptomat?
Çfarë është Enuresis Nokturna?
Alarmi nga Ebola, frikë se mund të përhapet në të gjithë botën
Kur mishi i kuq bëhet rrezik për zhvillimin e endometriozës tek femrat?
Frikë për shpërthimin e Ebolas, OBSH: Përgatituni për më të keqen