Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”
Pacientët vazhdojnë të ngrenë zërin për mungesën e ilaçeve ndërkohë që shteti duket se e justifikon çdo gjë me mungesën e buxheteve. Nga ana tjetër, në QSUT shifra marramendëse parash hidhen në koshin e plehrave për shkak të skadimit të medikamenteve. Shkak është mospërdorimi në kohë i tyre ose blerja e sasive mbi nevojat.
Nga auditimi i administrimit të barnave në QSUT, siguruar nga “Shëndet+” janë konstatuar një listë shumë e madhe barnash të skaduara në depot farmaceutike.
Kështu, për vitin për vitin 2015 rezultojnë të kenë skaduar 138.440 medikamente në vlerë 10,163,490 lekë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në vitin 2014, ku rezultojnë të kenë skaduar 146.863 medikamente në vlerë 38,203,099 lekë.
Për më tepër rezulton se as donacionet nuk janë përdorur në kohën që duhet duke çuar në skadim të medikamenteve me një vlerë kolosale, prej 124,339,026 lekësh. (Në total në dy vjet rezulton që shuma e medikamenteve të skaduara të jetë rreth 1.4 milionë dollarë).
Në vazhdën e konstatimit në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit thuhet se “megjithëse blerja e barnave zë rreth 45% (rreth 4 miliardë lekë) të buxhetit vjetor të QSUT, perceptohet një mungesë e theksuar ilaçesh ndërkohë që niveli i barnave të skaduar vijon të jetë i lartë”.
Në kushte të tilla, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar “marrjen e masave të nevojshme për ristrukturimin e sistemit të administrimit dhe qarkullimit elektronik të medikamenteve brenda një kohe të arsyeshme, me qëllim identifikimin e plotë të rrugës që ato ndjekin për të arritur deri te pacienti, përdorimin me efektivitet të këtij sistemi dhe zvogëlimin e abuzimeve dhe neglizhencave gjatë përdorimit të tyre. Programimi i nevojave për barna të nisë me analizën e gjendjes së tyre. Të hartohen kontrata për furnizime fleksibël sipas nevojave të rezultuara dhe jo të orientuara nga shpenzimi i fondeve të prokuruar”.
Gazeta “Shëndet+” e ka përmendur shpesh QSUT-në për mungesën në medikamente veçanërisht në shërbime të tilla si onkologjia, hematologjia apo nefrologjia. Sipas raportit të KLSH-së, rezulton se shkak për këto mungesa të theksuara është ndjekja dhe monitorimi jo i kujdesshëm i administrimit të barnave në këtë institucion dhe mungesa e përgjegjësisë institucionale me efekte negative në administrimin e fondeve për barna dhe materiale mjekësore.



