Ekspertët e OBSH: Vaksina kineze efikase, por mungojnë të dhëna

Vaksina kineze kundër koronavirusit Sinovac është efikase te të rriturit nën 60 vjeç, por disa të dhëna për rrezikun e efekteve serioze anësore mungojnë, thanë ekspertë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ekspertët e pavarur të Grupit Strategjik Këshillimor të OBSH-së e bazuan vlerësimin në rezultatet e fazës së tretë të testimit të vaksinës në Kinë, Brazil, Indonezi dhe Kili.

Vaksina Sinovac është autorizuar për përdorim në 32 vende dhe juridiksione, ndërsa janë shpërndarë mbi 260 milionë doza të saj.

“Jemi shumë të bindur se dy doza të vaksinës Sinovac e ndalojnë COVID-19 (sëmundjen që e shkakton koronavirusi) te personat 18 deri në 59 vjeç”, thanë ekspertët e OBSH-së.

Por, ata vunë në dukje se mungojnë të dhëna për sigurinë e vaksinës te gratë shtatzëna, te më të moshuarit dhe tek ata me sëmundje ekzistuese.

Sipas ekspertëve të OBSH-së, nuk ka të dhëna as për efektet e rralla anësore të zbuluara përmes monitorimit të sigurisë, pas autorizimit të vaksinës.

Analiza e vaksinës Sinovac ka nisur pasi ekspertët e OBSH-së kanë shprehur besim të ulët në të dhënat e Sinopharm-it kinez – kompanisë që ka prodhuar vaksinën.

Deri më tash, OBSH-ja ka miratuar për përdorim emergjent vaksinat e prodhuara në Perëndim: Moderna, Pfizer/BioNtech, Johnson & Johnson dhe AstraZeneca.

Këtë javë, edhe Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka nisur procedurën e rishikimit të vaksinës kineze, Sinovac./ REL

Postime të ngjashme

Gjashtë fëmijë të një kopshti përfundojnë në spital në Korçë, dyshohet për helmim
829 raste të reja me kancer gjiri në 2025, ISHP: Ulet vdekshmëria, ja qarqet me incidencën më të lartë
Dërgonin pacientë me kancer në klinikat private, SPAK mbyll hetimet për Onkologjikun
Fruthi rikthehet fuqishëm në SHBA, 5 viktima në Pensilvani/ Mbi 3,650 raste gjatë vitit 2026
Shqipëria zgjeron mbrojtjen ndaj HPV-së, nis edhe vaksinimi kundër gripit sezonal
Rreth 16 milionë kg mish derri nga Brazili, BE e ndaloi, Shqipëria vazhdon të importojë me shumicë
Anulohet tenderi prej 50 milionë eurosh për hemodializën
A do ta shërojë AI kancerin? Ja çfarë thotë shkenca