Kryefaqja Aktualitet Ekstremizmi i dhunshëm në Shqipëri. A po cenohet bashkëjetesa ndërfetare?!

Ekstremizmi i dhunshëm në Shqipëri. A po cenohet bashkëjetesa ndërfetare?!

0
Shpërndaje

Bisedoi: Denisa Canameti

Ekstremizmi i dhunshëm është problem global madhor të cilin as Shqipëria dhe asnjë shtet tjetër nuk mund ta zgjidhin lehtësisht, përveç atyre që e kanë krijuar, nëse mund të themi kështu. Për ta parandaluar këtë fenomen, që ka përfshirë edhe Shqipërinë, kërkohet angazhimi i të gjitha institucioneve përgjegjëse, drejtpërsëdrejti apo në mënyrë indirekte, me problemin në fjalë.

Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, Kreshnik Osmani, ekspert i gjeopolitikës (Lindjes së Mesme)bën një trajtesë të gjatë të kësaj çështjeje.

Kreshnik, flitet sot për terrorizëm dhe ekstremizëm të dhunshëm. Në fakt, cila është diferenca midis akteve terroriste dhe akteve ekstremiste?

Ekstremizmi i dhunshëm është një koncept apo një terminologji që ka lindur vitet e fundit, pra mund të flasim për epokën “post 11 Shtator”. Sigurisht që ka patur edhe më përpara fenomene të ekstremizmit apo të atij që quhet terrorizëm. Por, terminologjia “ekstremizëm i dhunshëm” është një përpjekje për të gjetur një frymë zbutëse dhe për të mos quajtur çdo akt terrorist që ndodh në botë, terrorizëm islamik. Kjo ka ndodhur për arsye se për një periudhë të caktuar kohe, mediat ndërkombëtare i trajtonin të gjitha aktet ekstremiste si terrorizëm islamik.

Duke qenë se të gjithë ranë dakord që nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë lidhje të drejtpërdrejtë apo indirekte të fesë, me ekstremizmin apo me terrorizmin, u përzgjodh terminologjia “ekstremizëm i dhunshëm”, pra për të përjashtuar dimensionin religjioz të implikimit. Ky është në vetvete një hap i rëndësishëm në luftën kundër ekstremizmit me ngjyrim religjioz, pasi shmang margjinalizimin e religjiozeve dhe viktimizimin e tyre.

Pavarësisht se grupet terroriste apo ekstremiste mund të gjejnë strehë tek interpretime të caktuara të religjionit, për ta lënë këtë të fundit të shenjtë, të paprekur dhe të paimplikuar ashtu siç realisht është, u përzgjodh terminologjia “ekstremizëm i dhunshëm”, i cili në fakt është përpjekje për të identifikuar të gjitha llojet e dhunës të cilat ushtrohen në botë, pavarësisht etiketave dhe mënyrave si justifikohen grupe të caktuara.

Në fakt, aktet terroriste nuk janë të frymëzuara vetëm tek interpretimet e deformuara  të islamit. Ekstremizmi i dhunshëm nuk është i frymëzuar vetëm prej religjionit, por ai përfshin të gjitha llojet e ekstremizmave me të cilat përballet bota dhe shoqëria njerëzore sot. Ekstremizëm i dhunshëm mund të konsiderohet tërësia e aktiviteteve të dhunshme apo ekstremiste apo terroriste të cilat cenojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë sigurinë e njerëzve dhe qetësinë e tyre në emër të një kauze të caktuar, sipas tyre të drejtë apo të shenjtë. Kauza mund të jetë me frymëzim politik, religjioz, kulturor, etnik, ekonomik etj.

Por, bota po vuan sot ekstremizmin në emër të fesë…

Ekstremizimi ka lindur shumë kohë më parë. Kohëve të fundit është shfaqur ekstremizmi apo terrorizmi me frymëzim religjioz, por në parim, ekstremizmi ka qene i pranishëm në historinë e njerëzimit shumë kohë më parë.  Në shekullin që lamë pas, për të mos shkuar më larg se kaq, bota është përballur me aktet me të bujshme kamikaze. Pilotët japonezë të aviacionit vetëvriteshin me gjithë avion, pra duke sulmuar mbi bazat armike fizikisht. Më pas, kohëve të fundit u përballëm edhe me aktet ekstremiste apo me kamikazët të cilët janë të gatshëm të vetëflijohen për arsye të frymëzimit dhe interpretimeve të caktuara religjioze.

A ka forma të tjera shprehjeje ekstremiste në vendin tonë, përveç ekstremizmit fetar?!

Ekstremist është një njeri që vjen në shtëpi dhe hedh gruan nga ballkoni. Ekstremist është edhe një njeri pijanec, I droguar apo I alkoolizuar që le lekët në bixhoz dhe vret fëmijët kur kthehet në shtëpi. Ekstremist është dhe një njeri që i vë flakën shtëpisë pasi ka patur një gjëndje të ngarkuar psikoemocionale. Por nëse do merremi me ekstremizmin e ndikuar nga një ideologji e caktuar religjioze, kjo është  një temë që ja vlen të ndalemi dhe ta analizojmë me të gjitha korridoret dhe anekset që ka.

Sa i përket ekstremizmit të dhunshëm të ndikuar nga ideologjia fetare, mund të themi që në botën e globalizuar ku informacioni është i lirë dhe i hapur për të gjithë, është lehtësisht i aksesueshëm, të gjithë njerëzit janë në kontakt me të gjitha llojet e ideologjive që janë sot në qarkullim. Për këtë arsye të gjithë njerëzit janë të ekspozuar ndaj këtyre rrymave dhe ndodh që në periferi të caktuara, ndër kategori të caktuara shoqërore, kryesisht të varfra dhe të pashkolluara mirë, kjo frymë te gjejë pranim. Ka individë të caktuar të cilët gjejnë paqe shpirtërore tek të tilla mendime dhe ndodh që ata herë pas herë t’i përqafojnë ato për tu bërë më pas, pjesëtarë të kauzave më të rëndësishme që janë pjesë të agjendave të ekstremizmit apo të terrorizmit ndërkombëtar.

Sa i përket ekstremizmit me orientim nga feja islame, sigurisht që ka kohë që ka filluar të jetë i pranishëm edhe në Shqipëri, pasi edhe këtu ka njerëz të ndikuar edhe nga shkollat e ndryshme fetare ku mund të kenë studiuar apo nga ku mund të jenë frymëzuar. Ka një shtrirje të gjerë të gjeografisë islame ku janë arsimuar një pjesë e studentëve dhe mund të ketë ndodhur që individë të caktuar të kenë ardhur të ngarkuar me frymëzime negative, të cilat i kanë përcjellë me kalimin e viteve edhe tek shoqëria jonë, kryesisht tek të rinjtë dhe tek lokalitetet e varfra.

Terreni ku gjejnë më shumë hapësirë ekstremistët, mund të themi që është injoranca, padituria, varfëria. Injoranca apo padituria gjithashtu ndahet në kategori apo grupe të ndryshme. Kemi të bëjmë përgjithësisht me mungesë informacioni apo me keqpërdorim të sensibilitetit religjioz. Mungesa e dijes, varfëria, skamja, mjerimi dhe papunësia e bën personin lehtësisht të manipulueshëm, pasi ai është në gjendje të rënduar psikoemocionale dhe është vazhdimisht në kërkim të arratisjes prej realiteteve të dhimbshme për tek realitetet e situatave ideale të cilat jo rrallë herë I referohen parajsës.

Kemi në Shqipëri raste të tilla ku me të vërtetë mund të rrezikohet shoqëria?!

Në Shqipëri, sigurisht që ekzistojnë individë që bëjnë përpjekje për të krijuar grupacione jo pak të afeksionuara nga fryma e ndikimit religjioz ekstremist. Se sa do të gjejnë hapësira kjo vlen për tu parë në të ardhmen. Vlen të theksojmë se nuk jemi fenomen plotësisht i pavarur nga Evropa. Pra i pavarur prej natyrës së zhvillimeve të njëjta në hapësirat evropiane. Shumë shqiptarë kanë shkuar dhe kanë marrë pjesë në luftëra apo konflikte që nuk na përkasin dhe kjo ngjall shqetësim jo të vogël. Për shembull, ditët e fundit ka patur edhe një arrestim në Malajzi për detajet e të cilit nuk kemi ende informacion të mjaftueshëm. Sa rrezikohemi ose sa problematike është situata, sigurisht që duhet vlerësuar si fakt dhe nuk ka vend për të ndjenjur të qetë dhe indiferentë.

Po nëse shteti i ka identifikuar këta individë që kanë shfaqur prirje ekstremiste, çfarë mund të bëjë? Mendoni që shteti i ka kapacitetet për të neutralizuar këta njerëz?

Shteti nuk është xhelat. Shteti kontrollon dhe përkujdeset për zbatimin e ligjit. Ligji ka nevojë për prova. Ligji ka nevojë për fakte nëpërmjet të cilave ti mund të akuzosh një individ apo një grup individësh se janë të përfshirë në aktivitete ekstremiste.

Shteti mund dhe duhet të jetë i kujdesshëm që ligji të zbatohet me përpikëri. Mendoj që Shtetit dhe organeve tona të inteligjencës, të cilët bashkëpunojnë ngushtësisht edhe me partnerët ndërkombëtarë të cilët kanë një përvojë më të madhe në këtë drejtim, u mungojnë ekspertët e fushës për t’i trajtuar këto çështje me rëndësinë dhe delikatësën që meritojnë.

Të tilla fenomene dhe zhvillime kanë nevojë për ekspertë të fushës, të religjionit, të politikës dhe të natyrës sesi zhvillohet ekstremizmi. Nevojiten ekspertë që njohin shenjat e ekstremizmit, si shfaqet, si rritet, si zhvillohet, përse zhvillohet, etj. Nevojiten ekspertë të cilët njohin zhvillimet politike dhe rrymat e mendimit religjioz dhe politik të Lindjes së Mesme dhe të botës islame në përgjithësi. Sipas të dhënave që kam pjesa më e madhe e ekspertëve tanë pak të trajnuar në kurse modeste trajnimi brenda dhe jashtë vendit dhe këto të dhëna janë të pamjaftueshme për të ndërtuar një strategji të mirëfilltë dhe efikase në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, me frymëzim religjioz.

A kemi ne strategji të përcaktuara komunikimi me këta njerëz?!

Unë nuk kam informacion të mjaftueshëm se çfarë strategjish ka Shteti Shqiptar lidhur me fenomenet në fjalë. Pa dyshim që ka mënyra dhe strategji parandaluese duke nisur me studimin e këtyre njerëzve, të mënyrës së si mendojnë, si jetojnë, si shprehen, si identifikohen, mënyrën se si sillen në shoqëri, sa janë të arsimuar, gjendja ekonomike, sociale etj. Duhet dialog intensiv dhe platforma të vërteta komunikimi me këta njerëz për t’i kuptuar ata fillimisht dhe më pas për t’iu treguar atyre se idetë dhe vorbulla e ektremizmit të dhunshëm në të cilën janë të përfshirë, janë vetëm kurthe dhe gracka në të cilat ata kanë rënë dhe prej të cilave duhet të çlirohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Sigurisht që vendet e Ballkanit dhe Evropës janë të përfshira, por si është e mundur që shqiptarët kryesojnë? Edhe nëpër lajme dalin si organizator, kryesues… A është pasojë e faktorëve të mëparshëm që përmendëm?!

Janë një sërë faktorësh në fakt, që ndikojnë në këtë që sapo përmendët. Nuk mund të themi që jemi të parët, pasi numri i njerëzve nga vendet perëndimore është shumë i lartë gjithashtu dhe niveli i agresivitetit të shfaqur edhe prej brezave që kanë lindur e janë rritur ne Evropë është akoma më I lartë se ai i shqiptarëve. Por, sigurisht që ne kemi pak atë maninë për të qenë të parët dhe kjo mund të ketë qenë njëra prej arsyeve përse disa elementë shqiptarë kanë rënë në sy në frontin e parë të luftës apo edhe në drejtimin e këtyre organizatave. Ne na njohin të tjerët, pra ky dimension i temperamentit tonë nuk është i huaj edhe për palët rekrutuese dhe kjo ndoshta ka ndikuar në intensifikimin e punës rekrutuese me elementët shqiptarë. Duke parë dhe duke u fokusuar karakteristikat tona si popull, palët rekrutuese mund të fokusohen për të parë pikat e dobëta dhe pikat e forta të mendësish shqiptare dhe në varësi të kësaj të përgatitet edhe strategjia e rekrutimit të tyre.

Ne jemi shoqëri, përgjithësisht agresive dhe për arsye të gjendjes së rënduar ekonomike shqiptarët nuk bëjnë jetë të mire, për të mos thënë që pjesa më e madhe e shoqërisë bën jetë ashpërsisht të vështirë. Studimet e ndryshme vendase dhe të huaja flasin dhe tregojnë se jemi shoqëri shumë e stresuar, shumë e tensionuar dhe përgjithësisht e trishtuar, për arsye të varfërisë, të gjendjes së konfliktualitetit të pandërprerë politik që transmetohet dhe përcillet edhe në popull sikurse ka edhe shumë faktorëve të tjerë. Kështu pra,  njerëzit mund të bien lehtësisht preh të çdo lloj joshjeje, të çdo lloj ideologjie si dhe të ideologjive të caktuara me natyrë ekstremiste.

Lënia e çantave në rrugë apo shkrime nëpër mure janë shenja që njerëzit i bëjnë vetëm për t’u ‘argëtuar’ apo janë shenja që duhet të merren seriozisht? Ne kemi parë që ka sinjale, por jo veprime…

Këto lëvizje të vogla që vijnë kryesisht prej grupmoshave të adoleshentëve, për të lënë gjurmë apo për të tërhequr vëmendjen, apo për t’u dukur interesantë e tërheqës. Mendoj se ka individë të cilëve iu duket vetja interesantë me gjeste të tilla, por nuk janë këta rreziku më i madh dhe rreziku i vërtetë. Rreziku qëndron tek ideologjia e maskuar, tek ekstremizmi i maskuar për nevoja të kamuflimit. Margjinalizimi dhe lufta e shpeshtë mediatike që bëhet herë pas here ndaj një feje të caktuar apo ndaj një fenomeni fetar, nuk po ndikon në ndërtimin e një dialogu të vërtetë me këtë mendësi, apo me ata njerëz që kanë prirje të tilla. Kjo frymë po shtyn pjesën ekstremizste që të fshehë ideologjinë e saj duke shmangur plotësisht komunikimin apo duke përdorur strategjinë e shtirjes për nevoja të maskimit. Kjo është ekzaktësisht ajo që nuk duhet të ndodhë. Duhet një komunikim i vërtetë, i sinqertë dhe i pandërprerë me të gjithë dhe kjo është e vetmja mënyrë për të evituar pasojat e rrezikshme të fenomeneve të tilla.

A mendoni që po krijohen grupime apo struktura të caktuara ekstremiste që paraqesin rrezik serioz për akte të mundshme terroriste në Shqipëri?!

Ekstremizmi i dhunshëm nuk është thjeshtë një ideologji fetare dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm se jetojmë në një botë të trazuar. Bota është bërë një fshat i madh dhe njerëzit janë lehtësisht të ndikueshëm prej gjithckaje që ndodh në skajin më të largët të botës. Ekstremizmi i dhunshëm është shpeshherë për të mos thënë gjithmonë produkt i politikës dhe i gjeopolitikës. Mund të themi fare pa patur frikë se kemi gabuar se shërbime të caktuara që mund të kenë synime për të krijuar destabilitet, në vende të tjera mund të financojnë të tilla grupe apo individë ekstremiste për të paraqitur Shqipërinë si vend që prodhon ekstremizëm fetar apo terrorizëm më frymëzim religjioz.

Ekzistojnë qarqe të caktuara që investojnë fuqimisht që Shqipëria të marrë këtë ngjyrim (të ekstremizmit të dhunshëm apo të ideologjisë terroriste me frymëzim religjioz me qëllim goditjen e aspiratave të Shqipërisë për të qenë pjesë e natyrshme e habitatit të saj politik evropian dhe e strukturanbe të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe për këtë arsye mund të përballemi me fenomene të rrezikshme herë të parashikueshme dhe herë të tjera jo. Asgjë nuk zhvillohet vetë. Asgjë nuk mbin e as rritet vetë, pork a nevojë për mbjellje, ujitje dhe përkujdesje të vazhdueshme. Ka njerëz dhe struktura që lëvizin dhe komunikojnë vazhdimisht për të ndërtuar strategjitë e ekstremizmit dhe mënyrës se si duhet të sillet ai me situatat dhe zhvillimet e ndryshme.

Pra duhet ndërtuar një strategji e mirëfilltë, sipas të cilës njerëzit që janë të përfshirë në skemat e ekstremizimit islamik, apo që mund të jenë viktima të mundshme të këtij fenomeni të rrezikshëm të identifikohen dhe të nisë një komunikim I sinqertë dhe I vërtetë me ta. Duhet të ketë platforma të mirëfillta me ekspertë të fushës që njohin zhvillimet rajonale dhe ato ndërkombëtare. Që njohin natyrën e ngritjes së bazave, apo të njësive apo të celulave ekstremiste dhe më pas me prirje terroriste, Njerëz që njohin etapat e zhvillimit të ekstremizmit etj; në mënyrë që kjo të ndihmojë strukturat Shqiptare për të kuptuar se çfarë ndodh realisht.

Për ne thuhet se jemi një vend me tolerancë të madhe fetare. A po rrezikohet toleranca fetare në këtë rast?

Shqipëria është një vend që realisht ka tolerancë fetare dhe ky nuk është aspak një pretendim rutinë por është një marke shqiptare e pakonkurueshme me të cilën mund të krenohemi sot në botë. Ne duhet të jemi krenarë për këtë. Madje vetë individët me prirje ekstremiste e pranojnë herë pas herë këtë sipas mënyrës së tyre. Njerëzit në këtë vend janë aq tolerantë sa pranojnë dhe bashkëjetojnë edhe me persona me prirje të tilla. Bashkëjetesë ka. A është e cenueshme kjo bashkëjetesë, apo jo. Mund ta themi me plot gojën. PO bashkëjetesa jonë e mrekullueshme ndërfetare mund të cenohet. Jemi në prag të cenimit të kësaj bashkëjetese dhe të gjithë bashkë duhet të marrim masa dhe të bëjmë të pamundurën që kjo të mos ndodhë./ Shendeti.com.al

 

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here