Elida Cangonji: Kemi një politikë me probleme mendore

Bisedoi: Denisa Canameti

“Nëse jeni e interesuar për Elidën si mjeke e pranoj me kënaqësi ftesën tuaj, nëse doni të flasim për Elidën aktore, më vjen keq po kam thënë gjithçka kam pasur për të thënë”. Ishte kjo përgjigjja që dha Elida Cangonji kur redaksia e “Shëndet+” e telefonoi për një intervistë për lexuesin e saj.

Të gjithë e mbajnë mend Zanën e filmit “Rrugë të bardha”. Por shumë pak flitet për Elidën, mjeken që investoi plot 30 vite në këtë fushë në shërbim të njerëzve.

Një zonjë e qetë, e qeshur, e këndshme dhe tejet pozitive, tregon me një entuziazëm tepër të veçantë për karrierën e saj, për veten, familjen, marrëdhënien me pacientët, me miqtë, kolegët, familjarët etj.

Elida Cangonji (4)

Edhe pse keni studiuar dhe investuar në fushën e mjekësisë shumë vite, njerëzit nuk e harrojnë Elidën aktore, dhe pse ky profesion për hir të së vërtetës zgjati shumë pak. Pse ndodh?

Ekrani bën të tijën. Në kohën kur unë kam bërë filmat, ka pasur si argëtim vetëm filmat. Të gjithë i shihnin ato, i mbanin mend, luanin me batutat, pra, ishte periudhë kur filmat zinin shumë vend. Kinostudio “Shqipëria e re” bënte filma vazhdimisht. Për nga puna që kam bërë, më mbajnë mend shumë mirë ata me të cilët kam punuar. E bëj “ekon” e gjithçkaje tani më vonë.

Elida Cangonji (5)Kush është Elida përtej aktrimit?

Një mjeke shumë e devotshme, e dua profesionin tim dhe punoj shumë mirë, në sensin që përkushtohem 100% dhe punoj me ndërgjegje. Edhe sot nëse më kërkohet, vazhdoj ta ushtroj profesionin (edhe pse jam në pension). Në fakt, njerëzit vazhdojnë ta theksojnë fakin që unë kam punuar si aktore. Ndaj edhe intervistat në të shumtën e rasteve i refuzoj duke iu thënë : “Dale, se kam punuar 30 vjet mjeke, dhe nuk është e drejtë”. Kontributi im më i madh është aty. Sa aktive kam qenë në punë, jashtë modestisë, duhet të reflektohet.

Keni ndërmarrë shumë nisma vullnetare në shërbim të njerëzve në nevojë, dhe jo në Shqipër,i por në vende të tilla si Nepali, Indonezia etj. Kjo sepse në atë kohë vullnetarizmi dhe humanizmi ishin baza e punës së një mjeku apo sepse kështu duhej?

Ne ishim mjekë, merrnim një rroge mujore përkundrejt së cilës duhet të punonim 8 orë në ditë dhe 48 orë në javë. Por asnjëherë nuk mbaronte këtu. Nuk i thonim dot jo kujtdo që na kërkonte ndihmë në lagje, në farefis, në shoqëri etj.

Një tjetër karakteristikë e brezave të asaj kohe ka qenë vullnetarizmi. Ne u rritëm duke bërë punë vullnetare. Ti je e re dhe ndoshta nuk e di, por ne fillonim të bënim nga një muaj punë vullnetare (aksione quheshin atëherë) që në vitin e parë të shkollës  së mesme e deri në vitin e fundit të fakultetit. Hekurudhat, rrugët, taracat me agrume në jug, rinia i bëri. Bënim stërvitje ushtarake, dhe kjo quhet vullnetare, sepse sot shërbimi ushtarak paguhet.

Elida Cangonji (6)Sot çfarë vendi zë humanizmi në punën e një mjeku? Flitet shumë për korrupsion, është zmadhuar kaq shumë çështja e korrupsionit, sa bluzat e bardha ndihen të frustruar… I kujt është faji?

Është  faji i të gjithëve dhe i secilit. Kam plot kolegë që punojnë dhe janë korrektë, kanë devotshmërinë që kanë pasur më parë. Ka dhe nga ata që bëjnë sikur nuk të njohin kur u shkon për një vizitë, pasi e dinë se nuk mund të të kërkojnë para dhe as që të marrin përsipër. Duket se dhe njerëzit  janë të lodhur dhe kanë filluar të reagojnë kur flitet për figurën e mjekut. Me këto përmasa që flitet të ketë marrë korrupsioni në mjekësi, ndonjëherë hezitoj të them që jam mjeke.

Çfarë e ushqen këtë perceptim të njerëzve?

E ushqen diçka,nje lloj realiteti, sepse nuk është e mundur. Ekziston një lloj korrupsioni derisa njerëzit ankohen kaq shumë. Unë kam pasur fatin të punoj ndryshe dhe dhashë një kontribut me shpresën që të ishte si një shembull për t’u ndjekur.Unë dhe kolegë të tjerë krijuam “Qendrën e Zhvillimit të Fëmijëve” në vitin 1995. Ishte një qendër vlerësimi, diagnostikimi, terapie për fëmijët me probleme të shëndetit mendor. Sa hyje tek dera, kishte një sekretari. Të gjithë kalonin nëpërmjet sekretares si për të marrë oraret e konsultave, ashtu edhe për të njohur rregullat e funksionimit. Qendra i përkiste sektorit publik, por punonim me projektet që vinin nga donatorë të jashtëm. Pra, rrogat na i paguante donatori, shteti kishte godinën, paguante dritat, ujin. Për hir të së vërtetës, rrogat i kishim më të mira se ato që kishin mjekët në shërbimin publik.

Kur vinin pacientët, merrnin takim te sekretarja dhe në një mënyrë të sjellshme u thuhej si do procedohe, pra: do të bënin konsultën tek mjeku, ai mund t’i rekomandonte ndonjë vlerësim psikologjik apo psikometrik, vlerësim gjuhësor apo fizik, sipas rastit. Kur këto të mbaronin, do të bëhej një diskutim klinik i rastit në praninë e të gjithë ekipit muldisiplinar dhe në fund prindërve u jepej mendimi ynë. Nëse ata binin dakord me atë që u propozonim, atëherë fillonte një proces terapeutik i kombinuar dhe i ndjekur në dinamikë. Mësonim duke punuar.

Ndodhte që prinderit të neglizhonin seancat e terapisë për fëmijët e tyre, pasi ishin falas. Nuk vinin se për shembull: binte shi, ishte vapë etj. Por terapisti humbiste një orë që mund të ishte në shërbim të një fëmije tjetër. Atëherë i propozova bordit drejtues të vendosnim disa tarifa në lekë, qoftë dhe simbolike, për t’i dhënë një vlerë këmbyese punës, me qëllim që të vlerësohej. Dhe kështu bëmë. Seancat e terapisë që propozoheshin për një muaj, prindërve iu kërkohej parapagim dhe mund të negociohej zëvendësimi i tyre në raste tepër të veçanta. Ato para faturoheshin dhe përsëri me vendimin e bordit përdoreshin për nevoja të institucionit që nuk mbuloheshin as nga Ministria e as nga donatorë.

Një sistem vetadministrimi. Mora kurajon dhe thashë që s’ka gjë, për sa kohë që unë i marr vendimet me bord, dokumentoj çdo të ardhur, çdo shpenzim, vetëm në favor të mirëfunksionimit, përse të mos eksperimentoj?! Po flas për vitet 1995-2007.

Si u reflektua ky rregull?

Fare mirë. Qendra pati një shtim të aktivitetit pasi cilësia e punës reflektohej tek fëmijët dhe prindërit e tyre, tek strukturat e tjera me të cilat kishim marrëdhënie punë, pra ajo qendër ishte një shembull suksesi dhe prandaj duhej të eliminohej. Duket paradoksale, por është edhe kjo pjesë e korrupsionit në nivele të ndryshme të stukturave të shëndetit publik.

Elida Cangonji (2)Pse psikiatrinë?

Unë doja të bëhesha mjeke. Pastaj doja të bëhesha kirurge. Mirëpo, atëherë askush nuk pyeste për dëshirat e tua. Madje, më caktuan në Rrëshen. Aty nuk qëndrova gjatë dhe erdha ne Tirane. Punova tre vitet e para si pediatre në një ambulance lagjeje. Herë pas here jepeshin specializime. Në atë kohë ishte hapur reparti i psikiatrisë së fëmijëve në spitalin e ri psikiatrik të Tiranës dhe kërkohej që të specializohej një psikiatre për fëmijë për shërbimin ambulator.

Të mos harrojmë se atëherë shërbimi ambulator dhe spitalor funksiononin të lidhur. Nuk kishte pacient që të dilte nga spital dhe të mos përcillej me një epikrizë aty ku banonte për të vazhduar ndjekjen në mënyrë ambulatore. Ajo që kishte mbetur kur dhanë specializimet, ishte psikiatria e fëmijëve, ishte hera e parë që specializohej një për psikiatrinë e fëmijës. Mua ma propozoi si mundësi Prof. Vebiu dhe më tha që do fillojmë ta zhvillojmë këtë nëndegë të psikiatrisë.

Ia bëra shërbimin kësaj mundësie dhe mbas shumë mundimesh ma dhanë. Ma dhanë se nuk e pranoi asnjë tjetër. Nuk deshën që të punonin me “prapambetjet mendore”. Por unë shihja shumë më larg se kaq. Kisha pasur të drejtë. Nëse shikon listën e çregullimeve psikopatologjike, ato fillojnë që nga konceptimi i fëmijës e vazhdojnë deri në ato të adoleshencës.

Sot problemet e shëndetit mendor vijnë në rritje. Pse ndodh?

Sepse nuk kujdesemi, shiko çfarë po i bëjmë vetes, shiko çfarë stresi ka jeta, çfarë ritmi ka jeta.

Një model telefoni për shembull nuk ke arritur ta përvetësosh akoma dhe kërkon tjetrin. Jeta ecën me një ritëm kaq të shpejtë, sa nuk të lë kohë të integrohesh në një situatë, në një periudhë, në një histori. Kjo, jo qe nuk është e shëndetshme, por ka dhe shumë pasoja. Në shëndetin mendor pasojat janë si ajo pika e ujit që bie mbi gur dhe pas shumë kohësh shikon se si e ka bërë vrimën.

Cila ka qenë marrëdhënia me pacientët?

Marrëdhënien e kam pasur shumë të mirë, unë e respektoj atë që kam përpara dhe nuk e paragjykoj. Po të jesh e çliruar nga kjo, puna shkon mirë. Pacienti duhet ta ndiejë që ti je aty për atë, e dëgjon dhe e beson. Këtë e kam mësuar që në ditët e para kur fillova të punoj.

Sapo kisha filluar punë, 2 javë mjeke, më sjellin një fëmijë rom për të vizituar. Infermierja më paralajmëroi se “gruaja që do të vijë tani me fëmijën, kërkon vetëm raporte, kështu që mos ia vër shumë veshin, ki kujdes”.

E influencuar nga ajo që m’u tha, djali i vogël që ishte 2 vjeç, kishte bajamet pak të skuqura. Unë e ndikuar i them nënës: “Merr këtë dezinfektues dhe shko se nuk ka gjë me rëndësi”.

“Doktoresha, – më thotë, – fëmija ka pasur temperaturë gjithë natën”.

“Ik, – i them unë, – bëji këtë mjekim dhe do të bëhet mirë”.

Ikën ajo, kur të nesërmen në 7 të mëngjesit, më vjen një burrë me një fëmijë në krah që digjej nga temperatura e lartë. Ai e hapi derën me shkelm për të hyrë brenda. Shikoj që ishte djali i vogël që kisha “përzënë” një ditë më parë. Duhet ta kisha besuar nënën. Ai realisht kishte patur nevojë për më shumë vëmendje. Gjëja e parë që bëra, i kërkova falje babait dhe iu luta të më linte të merresha me fëmijën e më pas të bisedonim. Ishte një mësim nga ato që nuk e harron kurrë.

Elida Cangonji (10)Përfshirja në aktrim bëri që t’ju paragjykojnë në punë apo ishte një plus më tepër?

Këtë unë e kisha menduar prandaj dhe e lashë aktrimin kur dola në punë.

Familja sa ju ka mbështetur?

Kur je e projektuar “për të qenë në shërbim të të tjerëve”, edhe të qenit doktor bën pjesë. Kështu që familjaret e mi ndihmuan që të bëhem mjeke dhe nuk më kanë kursyer asnjëherë për të më angazhuar për të ndihmuar shoqëri, komshinj, kushërinj të afërt e të largët. Por gjithnje e kam bërë me kënaqësi.

Si mjeke që merret me probleme të shëndetit mendor, ke bërë ndonjëherë balancë të gjërave që duhet të mbartësh dhe gjërave që t’i përjashtosh nga mendja që të qëndrosh e qetë?

Ndër vite kupton që, nëse nuk mëson të vësh një distancë të problemeve të tjetrit me problemet e tua, do të jetë e vështirë. Nëse problemet e tjetrit të bëjnë gjithmonë të ndihesh keq, nuk e ndihmon tjetrin. Një vit që bëra specializim në Francë, mësova shumë gjëra. U gjenda në shumë situata. Më kujtohet në një seancë psikoterapie, ishin dy prindër që kishin humbur fëmijën e tyre, e përjetova kaq keq, sa nuk u përmbajta dot e u përlota. Ata më panë dhe u kthyen të më kërkonin ndjesë. Fillova një terapi me një kolege dhe më bëri mirë, kisha pasur nevojë!

Sa fëmijë keni?

Kam dy djem të rritur, jam gjyshe e 4 nipërve dhe mbesave.

Ndonjëri prej tyre mjek?

Jo, edhe pse njëri prej djemve e donte mjekësinë.

Mjeke dhe aktore, jeni ndjerë ndonjëherë e vlerësuar në këto dy fusha?

Këtu të vlerësojnë njerëzit, ndërsa politika s’do t’ia dijë fare. Nuk flas në këndvështrimin e vlerave personale apo profesionale si individ, por të vlerave që individët i kanë të shndërruara në shërbime për njerëzit. Edhe sot nuk ua fal dot që e prishën një strukturë si Qendra e Zhvillimit të Fëmijës në kohën e lulëzimit të saj, në kohën kur duhet të fillonim të organizonim degët në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, në kohën kur kishim formuar një rrjet bashkëpunimi me të gjitha strukturat që kanë fëmijën objekt të punës së tyre, në kohën kur kishim trajnuar me dhjetëra e qindra specialistë me një frymë të re trajtimi, me teoritë bashkëkohore, në kohën kur puna në ekip pluridisiplinar kishtë dhënë rezultate spektakolare tek fëmijët. Kush i ndoqi më pas 1300 fëmijët që i kishim nën përkujdesje? Ku shkojnë sot fëmijët me probleme të shëndetit mendor? Cilat struktura publike marrin përsiper ndjekjen e problemeve në mënyrë globale? Ah, më falni! Ka qendra private ku prindërit duhet të paguajnë qimet e kokës. Ka “specialistë” me shumicë tani që bëjnë “terapi”. Kush i kontrollon? A e kuptoni që ndërhyjnë në shëndet mendor “specialistë të të gjitha llojeve” dhe nuk i kontrollon njeri se ç’bëjnë?

A keni  parë të dënohet ndonjë mjek psikiatër apo ndonje psikolog se pacienti i tij vrau veten?

Në një vend ku politika është e sëmurë mendore, jo që nuk ka vend për vlerësim, por nuk duhet fare shërbimi i shëndetit mendor!

Flas me ty dhe e ndjej se si vazhdoj të revoltohem. Por s’ka gjë, pasi e ndiej që kam mbetur ende njeri!

***

 

HISTORI E PËRJETUAR

Kusuri i mjekut dhe taksisti

Ja ç’më ndodhi ne një rast. Marr një ditë një taksi aty para piramides. I them shoferit të më çojë deri tek  tek materniteti.

Pa hipur në taksi, dikush më thërret: “Doktoresha, si jeni?”. Duket se shoferi e dëgjoi që unë isha doktoreshë.

Kur mbërrijmë tek materniteti ( jo me shume se 1km rruge) i jap nje mije-lekëshin(e ri) taksitit dhe pres kusur. Ai s’po më  kthente leket dhe i drejtohem “Zotëri, kusurin”. Më thotë: “Kur erdha për vizitë tek ti, më ktheve gjë kusur?”

-Si ke ardhur tek unë?

-Po, – më tha, – kur erdha për t’u vizituar tek ti dhe të dhashë 10 mijë lekë, a më dhe gjë kusur?

-Ti ke ardhur tek unë dhe më ke dhënë 10 mijë lekë? Je i sigurt? Ktheje kokën dhe më shiko! (pasi më shikonte nga pasqyra e vogël).

-E di shumë mirë, – tha. – Ju keni qenë.

Ndenja pak dhe i thashë: Zotëri, keni pasur ndonjëherë çrregullime mendore?

-Jo, – tha.

-Epo, mirë atëherë. Ju nuk keni qenë kurrë tek unë, sepse unë jam psikiatre.

Aty ai nuk foli, qeshi dhe më dha kusurin. Edhe unë qesha me trishtimin tim.

(Intervista u botua e plotë në gazetën “Shëndet+”) 

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Mjeku që braktisi Gjermaninë, rikthehet në Divjakë pas 20 vitesh, dr. Shundi: Nuk ka si vendlindja
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë