Bisedoi: Arlinda Gjypi
Prej dy vjetësh në Shqipëri ka filluar të funksionojë edhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, një institucion i cili ka për qëllim garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e shëndetit publik. Eltar Deda, mjek i shëndetit publik është edhe drejtues i këtij institucioni. I njohur shumë me publikun sidomos me fushatën kundër duhanit, Deda thotë për lexuesin e gazetës “Shëndet+” se institucioni që ai drejton ka një fushë shumë të gjerë veprimi dhe se ekzistenca e tij nënkupton një cilësi më të lartë shërbimi në gjithë sistemin shëndetësor.
Kur e ka filluar aktivitetin Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor dhe cili është roli i tij?
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka filluar aktivitetin në vitin 2014 kur është miratuar dhe struktura e tij. Dega e parë që ka filluar punë ka qenë ajo e Tiranës, për t’u pasuar në fillimin e vitit 2015 me degët e ISHSH-së në të gjitha qarqet e vendit. ISHSH ka mision garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e shëndetit publik, pra ISHSH është përgjegjës për të gjitha funksionet e inspektimit të Ministrisë së Shëndetësisë, me përjashtim të inspektimit të veprimtarive në fushën farmaceutike. ISHSH ka degët e saj në 12 qarqet e vendit.
Çfarë përmirësimi pritet t’i sjellë shërbimit shëndetësor në Shqipëri ekzistenca e një institucioni të tillë?
Ekzistenca e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor rrit shkallën e identifikimit të problematikave higjieno-sanitare, të organizimit dhe funksionimit të institucioneve shëndetësore, përmbushjen e standardeve dhe cilësisë, sipas përcaktimeve të Ministrisë së Shëndetësisë.
Përveç identifikimit të problematikave realizohet dhe parandalimi i ngjarjeve shëndetësore të cilat mund të ndikojnë sistemin shëndetësor në tërësi.
Do të rritet cilësia e ofrimit të shërbimeve dhe do të plotësohen standardet në sistemin shëndetësor.
Fushata më e madhe e përmendur prej jush është ajo kundër duhanit. Tirana e ka ndier e para ndryshimin, gjithsesi janë rrethet ato që janë më problematike (duke qenë edhe se njerëzit e njohin njëri-tjetrin). Si po i zgjidhni raste të tilla?
Më lejo të shprehem ndryshe: Fushata e cila ka pasur vizibilitetin më të madh në media ka qenë ajo për monitorimin e zbatimit te Ligjit nr. 9636, datë 6.11.2006 “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”.
Në fakt ky ligj ka hyrë në fuqi që në vitin 2006, por u zbatua në një numër të kufizuar njësish tregtare (kafe, bare, restorante etj) në qendër të qyteteve të mëdha dhe kjo periudhë zbatimi veçse ishte e shkurtër, nuk u përhap më larg se qendra e qyteteve ku u zbatua fillimisht.
Ndërkohë, ne po bëjmë një punë efektive për ta vënë në zbatim këtë ligj në çdo cep të Shqipërisë edhe me një fushatë për ndërgjegjësimin e popullatës për dëmet e duhanpirjes.
Në fakt, edhe ndryshimet më të fundit në ligj, ato të vitit 2014, bënë të mundur përmirësimin e disa mangësive të vërejtura më parë në zbatimin apo moszbatimin e ligjit dhe në sajë të tyre kemi parë që ka një ulje të ndjeshme të duhanpirjes në ambiente publike jo vetëm në Tiranë, por në çdo qytet të vendit.
Pse jemi të sigurt se kemi bërë punë të mirë?! Organizata Botërore e Shëndetësisë i dha ministrit të Shëndetësisë çmimin e Ditës Botërore Pa Duhan (Ëorld No Tobaço Day), në shenjë vlerësimi për punën e tij lidhur me kontrollin e duhanpirjes në Shqipëri. Kjo e tregon qartë punon tonë.
Lidhur me faktin se në rrethe puna është më e vështirë sepse njerëzit njihen me njëri-tjetrin, ne ua kemi bërë të qartë të gjithëve se kjo luftë jona është për një shëndet më të mirë të popullatës shqiptare dhe zbatimi i ligjit në mënyrë konstante dhe të barabartë për të gjithë, e shmang në masë të madhe këtë tip vështirësie. Për më tepër, të gjithë inspektorët që nuk i kryejnë detyrat e tyre, përballen me masat administrative. Kjo i vë edhe ata përballë faktit se ligji do të zbatohet pavarësisht njohjeve.
Gjoba e një lokali që lejon duhanpirjen është 300.000 lekë. A ka raste që pronarët e paguajnë gjobën dhe vijojnë ta lejojnë duhanin?
Po, nuk mund ta mohojmë se ka edhe raste të tilla. Arsyet janë të ndryshme, që nga periudha relativisht e gjatë që duhet për ta derdhur këtë gjobë e deri te ndryshimi i regjistrimit fiskal që bëhet nga subjektet e gjobitura. Gjithsesi, ne po ndërmarrim nismat e nevojshme për ta përmirësuar edhe këtë handikap. Kemi kërkuar ndryshime në ligj për përsëritësit. Gjithashtu, kemi kërkuar që ndryshimi i NIPT-it nga subjektet të mos bëhet pa një vërtetim nga institucioni ynë që ky subjekt nuk ka masa administrative në ngarkim. Këto ndryshime do të bëjnë që zbatimi i ligjit të forcohet.
Për informacion për lexuesin, gjoba e subjektit është 300.000 lekë, gjoba e administratorit të subjektit është 50.000 lekë dhe gjoba për individin është 5.000 lekë.
Ju bëni edhe inspektimin e klinikave, spitaleve publike e private. Cilat janë problemet më të mëdha që keni hasur?
Gjatë vitit të kaluar, institucioni ynë ka kryer 701 inspektime spitalore (private apo publike) në fusha si: mbetjet spitalore, institucionet që veprojnë në fushën e marrjes së mostrës së gjakut të kordonit umbilikal, institucionet që veprojnë në fushën e riprodhimit mjekësor të asistuar (fekondimi in vitro), shërbimi i transfuzionit të gjakut dhe për zbatimin e ligjit për nxitjen dhe mbrojtjen e të ushqyerit me gji.
Problematika e hasur në këto inspektime ka qenë kryesisht e llojit: mungesë dokumentacioni (mungesë autorizimesh specifike për një aktivitet të caktuar), mostrajtim sipas kërkesave të ligjit i mbetjeve spitalore (mosgrumbullim në vende të caktuara), mospajisje me licencë etj.
Ne kemi marrë masat e nevojshme administrative për përmirësimin e gjendjes dhe vënies para përgjegjësisë të individëve apo institucioneve përgjegjës. (Masat e marra janë lënie detyrash me afat të caktuar kohor dhe në rast mospërmbushje të tyre, janë marrë masa administrative ndaj individëve përgjegjës ose institucionit).
Është folur pak kohë më parë që klinikat stomatologjike kanë përgjegjësi në përhapjen e hepatitit B. Keni marrë masa në këtë drejtim?
Nuk e di ku është përmendur kjo përgjegjësi, por si kryeinspektor i ISHSH-së mund të them se klinikat stomatologjike publike dhe jopublike janë subjekt inspektimi nga ana jonë. Gjatë vitit 2015 ne kemi kryer 1180 inspektime dhe problematikë kryesore e këtyre inspektimeve kanë qenë: Mungesa e lejeve të ushtrimit të profesionit (UMSH-USSH), mungesa e licencave të aktivitetit (QKL), mungesa e kontratave për evadimin e mbetjeve spitalore, mungesat në dokumentacion (Libreza Shëndetësore, Akt-Miratimeve higjeno-sanitare, certifikata DDD). Për informacion, nga ana e ISHSH-së janë marrë 10 masa administrative.
Vetëm 10 masa pas 1180 kontrolleve? Është kjo një mënyrë siguruese për të thënë se klinikat stomatologjike në Shqipëri janë shumë të sigurta?
Duhet të kini parasysh që masat janë marrë pas lënies së detyrave, që do të thotë se pas inspektimeve në klinikat stomatologjike janë lënë detyra specifike për t’i plotësuar çdo klinike, dhe vetëm në rastet kur këto detyra nuk ishin përmbushur, janë marrë masa.
Së fundmi keni bërë edhe një inspektim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Cili është rezultati i këtij inspektimi?
Inspektimi po vazhdon dhe rezultatet e tij do të dalin në momentet kur inspektimi të ketë mbaruar. Dua te them se inspektimi në QSUT “Nënë Tereza” është pjesë e planit të punës të vitit 2016 të ISHSH qendror, ndërkohë që degët e ISHSH-së në qarqe kanë inspektuar spitalet, qendrat shëndetësore, klinikat dhe ambulancat në qarqet respektive.
Në një intervistë të pak viteve më parë (kur ishit në opozitë si deputet i Vlorës), jeni shprehur se “në spitale, edhe mjekëve u duhet mik”. Sa ndikon institucioni juaj në ndryshimin e këtij problemi?
Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që ndryshimet thelbësore të ndërmarra nga qeveria aktuale në fushën e shëndetësisë duan kohë që të evidentohen. Situata në shëndetësi në përgjithësi dhe në spitale më specifikisht, ka ndryshuar për mirë në krahasim me disa vite më parë. Sigurisht, e mira nuk ka fund. Gjithsesi, mendojmë se krijimi dhe funksionimi i Inspektoriatit Shëndetësor me mision garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e shëndetit publik është një hap pozitiv në këtë drejtim.
Flitet gjithnjë për fonde. I keni fondet për të bërë punën tuaj siç duhet?
Rezultatet e deritanishme tregojnë që i kemi pasur fondet e nevojshme për ta bërë punën siç duhet.
Një këshillë për të gjithë lexuesit e gazetës “Shëndet+” (që nuk ka lidhje me duhanpirjen)
Informohuni për shëndetin tuaj.


