Bisedoi: Denisa Canameti
Nuk është fort e lehtë të marrësh pak kohë nga koha e aktores Ema Andrea. Një aktore me angazhime e projekte shumë interesante. Para disa ditësh u bë bujë në media idea e saj për të sjellë në skenë një prej emrave më të lakuara për drejtësinë shqiptare e Shqipërinë: Nazime Vishën, të cilën e veshi me fustan të bardhë. Edhe pse njerëzit e njohin, e dinë: Ema është e veçantë. Ajo njihet për karakterin e saj shpërthyes. Një aktore për të cilën ekrani shqiptar ka nevojë jo vetëm për shkak të
talentit të saj të padiskutueshëm, por edhe sepse Ema di çfarë thotë, ku e thotë, si e thotë dhe për kë e thotë. Në intervistën e dhënë për lexuesin e gazetës “Shëndet+”, Ema tregon për marrëdhënien e saj me shëndetin, me spitalet, marrëdhënien e saj të pandashme me duhanin, si dhe marrëdhënien e veçantë me ushqimin.
Çfarë është shëndeti për ty?
Është mendja ime, energji pozitive që sjell shëndet të mirë dhe anasjelltas. Adrenalinë dhe pasion pavarësisht viteve. Të jetosh duke dashur veten, të jetosh natyrshëm ashtu si natyra, të njohësh trupin tënd dhe të jesh mjek i vetvetes. Pa u ankuar për shiun që bie.
I beson shprehjes “mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”?
Nëse kjo shprehje do të thotë “mendje dhe trup që janë në dialog harmonik me njëri tjetrin”, po.
Nuk mund të ketë një trup të shëndoshë (pavarësisht muskujve dhe josëmundjeve) kur mendja “harron” atë që trupi mban mend, kur mendja “injoron” trupin dhe kur trupi bllokon energjinë që duhet ta çlirojë mendjen. Unë do të thosha “mendje e shëndoshë në shpirt të shëndoshë” dhe tempulli i shpirtit është trupi!
Cila është marrëdhënia me mjekun? A kryen vizita mjekësore “ashtu kot”?
Nëse më pyet për mjekun në përgjithësi, atëherë e vizitoj çdo ditë, madje edhe më shumë, sa herë shkoj tek mami im (qesh). Por, natyrisht që tek ajo nuk shkoj për t’u vizituar, madje kur kam probleme nuk shkoj, pasi nuk dua ta shqetësoj, por e pyes në telefon sikur kam një shoqe që nuk ndihet mirë, kjo është marrëdhënia ime me mjekun. Përndryshe, shkoj vetëm kur nuk kam zgjidhje tjetër. Domethënë, nuk shkoj tek mjeku! Gjinekologia, mikja ime Lida, kujdeset për mua si mike dhe profesioniste, edhe pse unë harroj e po të mos jetë ajo, as rutinën e analizave nuk do të kujtohesha ta bëja. E di që është gabim dhe nuk jam krenare.
Bëj ushtrime për të pasur shëndet të mirë edhe pse ndonjëherë bëj analiza, ndonjëherë ama. Falë genit dhe kujdesit të mamasë sime në fëmijëri kam patur dhe kam shëndet të mirë. Nëse shëndetin do ta krahasoja me një instrument muzikor, atëherë mund të thoja që unë e luaj “me vesh” këtë instrument, më pëlqejnë metodat natyrore dhe barnat mundësisht të tilla.
Po me dentistin ç’marrëdhënie ke?
Kur isha më e vogël, kisha marrëdhënien “olelee dhëmbi”. Tani kujdesem pak më tepër, por nuk mund të them se kam kulturën e vizitës sistematike as tek dentisti, edhe pse nuk e kam frikë dhimbjen e dentistit, edhe pse dentisti im është i shkëlqyer.
Formën e shkëlqyer fizike ia dedikon genit apo është përkujdesje intensive dhe e vazhdueshme?
Të falënderoj për komplimentin J Besoj janë të dyja. Dhe pak fat me thënë të drejtën. Bëj ushtrime interaktive mendje-shpirt -trup, por natyrisht që gëzoj shëndet dhe formë të mirë falë genit.
Unë kujdesem për shëndetin, por në të njëjtën kohë tymos duhan, nuk jam e rregullt as në oraret e gjumit dhe as në oraret e ngrënies e as në sasinë e tyre, ndaj besoj se në rastet e këtyre abuzimeve është geni nga i cili përfitoj dhe adrenalina e artit natyrisht!
Ndoshta, nëse do të ndodhë që të më shteret raporti me artin dhe kreativitetin (ashtu si unë e kam ndërtuar), trupi do të më “tradhtojë” e do të më lerë!
Ç’mendon për mjekësinë popullore?
Mendoj se edhe mjekësia e sotme aty e ka zanafillën, e kam fjalën për bimët natyrore, përdorimin e të cilave ta ka mësuar gjyshja, dhe jo për mjekët e dyshimtë tanimë që quhen popullorë. Në shumë vende të zhvilluara të Europës, mjekët në çdo kurë sugjerojnë atë natyralen (ushqim natyral apo bimë kurative) të bashkangjitur me ilaçet. Në këtë sens kam qenë dhe jam pro mjekësisë popullore apo të traditës. Besoj se natyra ka rregullatorët e saj, mjafton t’i zbulosh e të dish t’i përdorësh.
E keni bërë kontrollin falas?
Për patentën, por nuk besoj se e ke fjalën për këtë, tjetër nuk kam bërë!
Ndjek ndonjë rregull ushqyerje apo ha ç’të duash?
Meqë mendja dhe trupi im janë të lidhur me njëri-tjetrin dhe me natyrën unë ha atë që trupi më kërkon dhe në sasinë që e kërkon, madje edhe në orarin që ndiej. Nuk kam rregull tjetër. Kam rregullin e trupit tim i cili mund të më kërkojë domate në mes të natës apo çokollatë në mes të vapës. Me pak fjalë: “Ha ç’të dojë trupi dhe mendja”. Çdo gjë që ka aromë, natyrë dhe fëmijërie. Dhe nuk kam frikë të eksperimentoj me ushqimin kur udhëtoj.
Më pëlqejnë shijet e theksuara edhe pse kjo do të thotë shumë kripë ndonjëherë. Merrem më shumë me shijen që do trupi im se sa me udhëzuesin e shëndetit (të cilët kohët e fundit janë bërë të shumtë, si të hamë, sa të hamë etj.) A thua se të parët tanë nuk dinin si të ushqeheshin, sepse nuk kishin internet! Mendoj se çdo tokë ka energjinë e vet dhe çdo klimë ka “kërkesat” e veta në raport me të ushqyerin e trupit. Kështu që mjafton të “dëgjosh” trupin tënd dhe ta ushqesh. Ky është rasti kur mendja dëgjon trupin më shumë se veten.
Cila është gjella e preferuar? Të pëlqen të gatuash vetë apo është më mirë kur t’i bëjnë gati?
Gjellët e mia të preferuara vazhdojnë të jenë ato të mamit tim dhe eksperimetet e motrës sime. Unë gatuaj me dashuri, por nuk mendoj se mund të jem ndonjëherë aq e zonja dhe aq e dedikuar sa mami dhe motra ime. Nëse do të ishte vetëm për veten, nuk do të gatuaja, por nëse gatuaj, e bëj për vajzën time dhe njerëzit e mi të dashur, atëherë edhe mund të ha ushqimin që gatuaj unë.
E ke ndjerë ndonjëherë nevojën për të hequr dorë nga puna, sepse të ka marrë dhe kohën që ia dedikon të dashurve të tu?
E kam bërë tashmë, por mesa duket kam qenë “dikush tjetër” dhe kanë qenë po njerëzit e mi të dashur që më kanë shtyrë t’i kthehem ritmit dhe punës sime. Ndonjëherë e bëj me “hile” dhe u them që s’kam impenjime në mënyrë që të rri me ta, sepse kam nevojë të vlerësoj dhuratën më të bukur që më ka bërë jeta: njerëzit e mi të dashur.
Je njeri pesimist apo optimist? Çfarë të bën optimiste dhe çfarë të bën pesimiste?
Besoj se jam njeri optimist dhe pesimist. Ka diçka nga tjetra në çdo njërën situatë brenda meje. Nuk di ta përcaktoj, por natyrisht që ekzistenca e dashurisë që mbart brenda vetes është thelbi i i kundërshtive të mia.
Nëse do të të jepnin vetëm 60 sekonda kohë për të folur për veten, si do ta përshkruaje?
E përkohshme në kërkim të thellësive të përjetshme.
Ke pasur ndonjë problem apo histori me shëndetin që të ka bërë të vlerësosh më shumë çka të është dhënë?
Ohhh… Kam vlerësuar shumë gjërat që kam kur vuajta nga hernia diskale, për muaj të tërë (pak vite më parë). Në atë kohë vlerësoja dhe sot e vlerësoj faktin që njerëzit ecnin dhe vuaja nga ideja që nuk do mund të kërceja kurrë. Nuk është fundi i botës, edhe pse ka shumë dhimbje dhe kufizime, por shqetësimi i njerëzve që të rrethojnë është i madh. Në atë kohë kam kuptuar se nuk dua të sëmurem, pasi njerëzit e mi të dashur do të vuanin bashkë me mua e nuk do të doja kurrë t’i shqetësoja. Ndaj nëse trupi im do të sëmuret një ditë, do të preferoja një fund të shpejtë.
“Veshja e bën njeriun”, sa qëndron për ty kjo shprehje, edhe pse?
Veshja duhet të jetë si karakteri apo gjendja e njeriut mendoj unë. Veshja duhet të jetë komoditet dhe përfaqësi apo prezantim në disa raste. Është zgjedhje e njeriut, por në kuptimin e parë të foljes “bën”, natyrisht që veshja nuk mund ta bëjë njeriun!
5 minuta nudo para pasqyrës do ta gjenin raportin veshje-njeri për çdokënd. Tek e fundit këto minuta duan më shumë kurajë dhe zgjasin më shumë se vet procesi i të veshurit. Janë minuta të gjata pa rroba përballë vetes. Zgjedhja mbetet sërish e vetë njeriut.
Marrëdhënia me duhanin?
Marrëdhënie shumë e mirë dhe e gjatë dhe me këtë kuptoj tymosje në sasi dhe në kohë përveç shtazënisë dhe periudhës së latacionit ose gjirit.
Ç’mendim ke për kirurgjinë plastike? Do ta bëjë një ndërhyrje?
Kirurgjia plastike mund të quhet tanimë një mjekësi psiko-sociale (nuk flas për rastet e dëmtimeve), ka njerëz që janë tashmë të varur prej “perfeksionit” estetik që mund të të ofrojë kjo kirurgji.
Shoqëria është bërë më vanitoze dhe narcize dhe kjo tregon mirëqenie financiare, por ndoshta në të njëjtën kohë është tregues i faktit që njeriu nuk e pranon dot veten ashtu si është apo ndoshta nuk i mjafton më vetja në kohën që jeton, por kërkon të manipulojë si njërën, ashtu edhe tjetrën.
Unë jam dakord me çdokënd që ka mundësinë të zgjedhë pamjen e jashtme, nëse kjo e bën të ndihet më mirë me veten apo me profesionin që bën. Për momentin nuk kam bërë asnjë të tillë, por “kurrë mos thuaj kurrë”. Mezi i kam “fituar” rrudhat në fytyrën time, por edhe nëse do të vendosja të fshija ndonjërën, do të doja të mbetesha i njëjti karakter ekspresiv e të mos jem “letër kopjative” e një shijeje estetike tanimë prej kiti sendesh mediatike.
Nëse një ditë do të bëheshe ministre e Shëndetësisë (asnjëhere nuk i dihet), çfarë do t’i ndryshoje shëndetësisë në Shqipëri?
Do të pranoja në fakultet vetëm njerëz që e duan profesionin dhe do t’i bëja të punonin në spitale dhe do të kisha diplomuar si mjekë vetëm ata që do t’i qëndronin besnik betimit të Hipokratit e pas kësaj do të gjeja një sistem të mirë pagash për këta të fundit. Do të stimuloja specialistë të fushave të mjekësisë.
Pas kësaj do të rrisja nivelin studimor në Shqipëri dhe natyrisht që do të rregulloja tashmë shumë të diskutueshmin sistem sigurimesh shëndetësore dhe kushtet spitalore.
Në ç’gjendje e shikon sistemin shëndetësor sot?
Mua më ka qëlluar të kaloj netë nëpër spitale pranë njerëzve të mi dhe situata më është dukur kontradiktore. Kam parë familjarë që nuk respektojnë sëmundjen dhe të sëmurët që pinë duhan nëpër korridore, bëjnë zhurmë, kam parë shitës ambulantë nëpër spitale, siç kam parë edhe dedikimin e mjekëve të cilët vinin herët në mëngjes dhe me buzëqeshje dhe etikë profesionale kryenin vizitat në një ambient shumë të trishtuar dhe pa asnjë kusht normal. Shpesh pyesja veten se ku e gjejnë forcën të buzëqeshin këta mjekë kur vijnë çdo ditë të punojnë e të kujdesen për pacientë në pavione ku frynte era e dimrit sikur të ishe në kasollen e Galigatëve. Ashtu siç kam parë edhe mjekë që luajnë me dëshpërimin dhe padijen e pacientëve për të shitur disa ilaçe. Prej përvojës sime dhe prej çfarë informohemi çdo ditë, sistemi shëndetësor është një nga sistemet më të rëndësishme në Shqipëri që mezi funksionon, që nga sigurimet shëndetësore, deri tek shërbimi apo shërimi dhe tanimë ky problem është kthyer edhe në një mosfunksionim mentaliteti midis raportit mjek-pacient .
Cila është këshilla që e jep pa hesap te gjithkush?
Vivi e lascia vivere (Jeto dhe lëri të tjerët të jetojnë).


