Kryefaqja Aktualitet Enada Hoxha: “Familja, mbi gjithçka”

Enada Hoxha: “Familja, mbi gjithçka”

0
Shpërndaje

Enada Hoxha Gerd Vaso1Një familje është diçka ku njerëzit mësojnë nga njëri-tjetri, japin për njëri-tjetrin në mënyrë që ajo të jetë vendi ku gjen qetësinë e kërkuar dhe ku mbizotëron shpresa për të ardhmen

Aishe Thartori

Nëpërmjet kërcimit ata shfaqin ndjesitë e brendshme për artin dhe të bukurën. Nga shpirti i tyre  janë ngjizur qindra shpirtra të tjerë personazhesh apo rolesh të interpretuara prej tyre. Partnerë në punë dhe në jetë. Janë rritur së bashku fizikisht, shpirtërisht dhe profesionalisht. Nuk mund të mos flasësh për njërin, duke lënë mënjanë tjetrin. Tashmë çifti Enada Hoxha dhe Gerdi Vaso janë pjesë e pandashme dhe e rëndësishme në siparet e sallave ku bëhet “show”. Balerinët e parë të Teatrit të Operas dhe të Baletit i sheh gjithmonë energjike dhe të palodhur në punën e tyre. Të kontaktuar nga gazeta “Shëndet Plus” për të mësuar më shumë rreth lidhjes së tyre përtej baletit, të dy nën një zë nuk hezitojnë të pohojnë se familja vjen përpara gjithçkaje. E teksa Enada rrëfehet për të dashurit e zemrës, nuk mund të mos perceptosh nën zë, dashurinë dhe admirimin e thellë kundrejt familjes së saj. Ndërsa flet për bashkëshortin, ajo shndërrohet në një çupëlinë dhe, duke i ripërjetuar ndjenjat, tregon për vitet e kaluara bashkë më të . Së fundmi, jetës së tyre i ka dhënë një ngjyresë të veçantë edhe ardhja në jetë e djalit të tyre.

Si do ta cilësoje marrëdhënien tënde me Gerdin?

Ndihem me fat që marrëdhënia jonë mund të quhet në kuptimin e plotë të fjalës një marrëdhënie e shëndoshë. Kjo vlen falë kulturës në familje, pasi të dy jemi rritur nga familje ku nuk ka pasur vend për fjalë apo vepra të shëmtuara. Jemi rritur me një edukatë të jashtëzakonshme me respektin ndaj prindërve, ndaj njerëzve që na rrethojnë dhe ndaj shoqërisë.

Ne nuk jemi gjë tjetër veçse pasqyrimi i familjeve nga vijmë. Për mua kanë qenë një shembull mjaft pozitiv prindërit e mi. Por mund të them me bindje që isha me fat, pasi dhe tek Gerdi gjeta një familje po aq të mirë sa e imja. I ati i Gerdit ishte i dashuruar marrëzisht pas gruas së tij. Kështu që duke u rritur në një familje me edukatë dhe kulturë, larg veseve të këqija, pa diskutim që ndikon edhe në familjen që ti do krijosh në të ardhmen.

Falë këtyre shembujve pozitivë dhe kësaj kulture të mirë të marrë në familje, sot unë kam një familje të mrekullueshme. Unë dhe Gerdi mundohemi të tregohemi tepër të kujdesshëm në atë çka diskutojmë apo në atë çka bëjmë në sy të djalit, pasi kjo do të jetë kultura që ai do të marrë dhe më pas do ta reflektojë në shoqëri. Shoh që dashur pa dashur ai fillon të imitojë ato çka them unë apo Gerdi. Sigurisht që ka marrë diçka nga ne, ndonjë ves jo shumë të përshtatshëm për mua, për shembull, mënyrën sesi sillet Gerdi në shoqëri, duke qenë se djali po rritet edhe në gjirin tonë të punës ka përthithur ndonjë fjalë më tepër që ai thotë në shoqëri. Sigurisht që mua nuk më vjen mirë, sepse fëmija dihet që është si sfungjer dhe thith vazhdimisht çdo gjë që shikon dhe dëgjon. Megjithatë, mundohemi të jemi tepër të kujdesshëm në atë çka veprojmë dhe themi.

EnadaA ka ndryshuar marrëdhënia juaj ndër vite?

Marrëdhënia jonë sigurisht që ka ndryshuar ndër vite, por ky ka qenë një ndryshim pozitiv për marrëdhënien tonë. Me kalimin e viteve jemi pjekur edhe më shumë. Çdo gjë e shohim në një tjetër këndvështrim. Mundohemi gjithmonë të respektojmë hapësirat dhe dëshirat e njëri-tjetrit. Jemi kryesisht dy natyra të ndryshme. Mua më pëlqen shumë të qëndroj në familje, ndërsa Gerdit të qëndrojë në shoqëri, të dalë. Më parë këto gjëra i pranoja me vështirësi, sepse dëshiroja që Gerdi të ishte gjatë gjithë kohës me mua. Tani kam kuptuar që ai ka nevojë edhe për hapësirën e tij, që të qëndrojë me shokët e të tjera e të tjera. Në momentin që u fut në mes ky respektim i hapësirave të gjithsecilit, unë shoh që marrëdhënia jonë sa vjen e bëhet më e shëndoshë, më  e qetë dhe më e bukur njëkohësisht.

Cili është më i kujdesshëm në çift?

Mendoj që jam unë. Madje mendoj që ndoshta të gjitha femrat janë pak më shumë të kujdesshme ndaj partnerit, ndaj familjes. Djemtë i marrin më lehtë angazhimet dhe janë, për mendimin tim, disi më të shkujdesur në atë çka mendojnë, thonë dhe bëjnë. Personalisht përpiqem shumë që për shembull dhe një fotografi që Gerdi mund të nxjerrë në rrjetin social të “facebook”-ut qoftë kjo e tij personale apo në çift, unë e shoh si përgjegjësi më vete, duke menduar nëse duhet nxjerrë apo jo. Nisur nga këto gjëra të vogla që unë i jap vlerë, dua të dal aty që për të ruajtur imazhin dhe për të qenë në sytë e njerëzve sa më mirë, unë kujdesem deri në detaje në mënyrë që nëpërmjet asaj çka bëjmë, të tregojmë që ka kulturë në çdo gjë që bëjmë.

Enada dhe Gerdi VasoCilat janë gjërat që vlerësoni më shumë tek njëri-tjetri?

Gerdi është një tip shumë social. Në natyrën e tij është tepër pozitiv, tepër i dashur me njerëzit, ka një humor të spikatur që i bën shpeshherë njerëzit për vete. Është shumë i dhënë të japë maksimumin dhe të bëjë shumë për të tjerët. Ndërsa unë jam më racionale, i shoh gjërat me thellë, mbaj një lloj distance me të gjithë dhe kjo më bën që të mos gaboj shpesh, pothuajse asnjëherë.

Ndërsa Gerdit i qëllon që dashje pa dashje t’i ndodhin gjëra që nuk i ka parashikuar, është i dhënë pas të tërëve, ndoshta e zgjeron shoqërinë më shumë seç duhet, jep më shumë seç duhet dhe kjo është ajo çka na bën të jemi komplet të ndryshëm dhe kjo sjell ndonjëherë edhe debate në çift.

Madje, ndonjëherë debati bëhet edhe më i gjerë saqë futet në mes hatërmbetja. Megjithatë, Gerdi është natyrë shumë tolerante. Unë në gjithë këto vite kam marrë pakëz prej tij duke u bërë pak më shumë tolerante. Pa tolerancë në mes, një çift nuk ka jetëgjatësi.

Puna dhe familje janë dy angazhime të mëdha në jetë. Si keni arritur të ruani balancën mes tyre? Pa cenuar kohën e njërës apo tjetrës?

Mendoj se ato çifte që vërtet kanë një punë të mirë dhe e duan atë çka bëjnë, pa diskutim që e gjejnë kohën për të dyja si për punën, ashtu edhe për familjen. Pavarësisht se e dua punën që bëj me gjithë shpirt, sigurisht që familja vjen e para. Ndodh shpeshherë kur jam në punë, të gjendem duke menduar se çfarë po bën djali apo si është dhe pres me padurim momentin që të shkoj në shtëpi pranë tij dhe familjes në mënyrë që t’i përkushtohem. Familja është vendi ku unë ndjehem më mirë dhe ndiej ngrohtësinë më të madhe.

Gerdi VasoSa ka ndryshuar jeta juaj me ardhjen e djalit?

Ardhja e një fëmije në jetë ndryshon shumë gjëra. Sigurisht, ke një motiv më shumë për të jetuar. Në qoftë se deri dje lumturoheshe prej punës, pavarësisht streseve dhe problemeve që lindnin gjatë saj, në momentin që je nënë, mjafton të kujtosh djalin dhe çdo gjë ndryshon. Ai është një shpresë me vete. Në momentin që shkoj në shtëpi, qetësohem, harroj çdo gjë dhe humbas në përqafimet e tij. Një puthje e tij më ngroh shpirtin dhe më bën të harroj çdo stres gjatë punës. Nuk ka lumturi më të madhe teksa e shoh sesi gëzohet kur kthehem: “Erdhi mami!” . Këto janë momente që njeriu i ndjen dhe nuk gjen fjalët e duhura për t’i përshkruar.

Duke mbetur tek hapësira e  familjes , sa të ndihmon  Gerdi në shtëpi?

Nëse ti i kërkon ndihmë, ai patjetër që të ndihmon, pasi është i dhënë për gjithçka. Natyrisht që duke ia njohur natyrën, Gerdi pasi vjen nga puna, gjen qetësinë dhe kënaqësinë në gjëra të vogla si  të shohë sport (pasi është shumë i dhënë pas sportit) apo të shohë filma me aksion. Kjo është mënyra e tij për t’u çlodhur dhe unë ia respektoj këto gjëra. Ndodh shpesh që kur jam e lodhur dhe i kërkoj të më sjellë diçka ose të më gatuajë diçka,  ai e prish “rehatinë e tij” dhe e bën pa diskutimin më të vogël. Këto janë përkëdhelje të miat në njëfarë mënyre.

Të qenët partnerë në punë dhe në jetë si ka ndikuar në marrëdhënien tuaj?

Nuk ka ndryshuar asgjë. Është e njëjta marrëdhënie që ka qenë në punë, sa e mirë aq edhe stresuese. Vitet e fundit ndoshta jemi qetësuar pakëz në këtë aspekt, sepse debatet më parë ishin edhe më të shpeshta, ndoshta ndonjëherë edhe teproheshin, ndërsa tani mjafton një shikim për t’u kuptuar ose ndoshta një shtrembërim i fytyrës për të kuptuar që jemi të acaruar me njëri-tjetrin. Kjo përsa i përket pjesës së punës.

Ndërsa në shtëpi nuk ndodh asgjë e tillë, pasi situata është shumë e qetë. Sigurisht ndodh që mund të diskutohet për gjëra që kanë lidhje me familjen, por këto janë diskutime që ndodhin normalisht në jetën familjare të çdo familjeje.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here