Enët e gjakut në tru, si të shmangim rrezikun e dëmtimit

agron islamaj

Aishe Thartori

Sëmundjet e enëve të gjakut të trurit janë sëmundje që prekin sistemin tonë nervor. Këto sëmundje po përhapen gjithnjë e më shumë në popullsi duke u bërë kështu shkaku i tretë i vdekshmërisë dhe shkaku i parë i invaliditetit.

Sipas mjekëve neurologë, në vendin tonë numërohen gjithsej rreth 4000 aksidente vaskulare, ndërsa në botë çdo 20 sekonda një person preket prej sëmundjeve të enëve të gjakut të turit.

Sëmundjet e enëve të gjakut të trurit kategorizohen në dy grupe të mëdha: në sëmundje me gjakderdhje të trurit dhe në sëmundje me zënie ose ngushtim të enëve të gjakut të trurit. Zakonisht këto sëmundje kanë prekur kurdoherë moshat e vjetra mbi 60 vjeç, por sot gjithnjë e më shumë ato po hasen tek të rinjtë, tek moshat produktive 40 vjeç,  madje ndonjëherë edhe në mosha më të reja.

Sipas mjekut neurolog Agron Islamaj, në një intervistë të dhënë për gazetën “Shëndet Plus”, janë një sërë faktorësh të cilët kanë bërë që këto sëmundje të shtrihen edhe tek moshat e reja dhe më kryesori ndër ta, sipas tij, është padyshim stresi.

Cilat janë shenjat klinike që shfaqin këto sëmundje?

Përsa i takon shenjave klinike, i sëmuri mund të ketë një krizë të menjëhershme, pra: kalimi nga një gjendje e mirë shëndetësore në një gjendje të keqe. Mund të ndiejë një dhembje shumë të fortë koke, të vjella, mund të bjerë në  gjendje kome ose mund të pësojë errësim të vetëdijes, mpirje dhe rëndim të dorës etj.

truri ushtrimSi realizohet ekzaminimi për pacientët që vuajnë nga sëmundjet e enëve të gjakut të trurit dhe çfarë mjekimi u ofrohet atyre?

  • Në ditët e sotme krahas analizave rutinë të gjakut që përcaktojnë shkakun, mund të bëhet një radiografi e qafës, ezhe e kokës, por dua të theksoj që diagnoza përfundimtare vendoset me anë të skanerit ose me anë të rezonancës magnetike të kokës.
  • E rëndësishme për pacientët të cilët preken prej sëmundjeve të enëve të gjakut të trurit, është ndërhyrja e shpejtë, brenda 24 orëve të para. Kjo është esenciale, sepse truri mund të pësojë dëmtime të cilat janë të pakthyeshme.
  • Për shembull, në disa raste kur kemi ato që quhen grumbullime gjaku në cipat e trurit dhe që janë të lidhura me traumat ose goditjet e ndryshme, atëherë këto përbëjnë urgjencë neurokirugjikale dhe duhet ndërhyrë menjëherë në mënyrë që pacienti të kthehet në gjendje normale.
  • E njëjta gjë vlen edhe për rastet që quhen aneurorizma apo qese në enët e gjakut të trurit.
  • Sot ka disa metoda që ndërhyhet duke bërë shkrirjen e trombit që në orët e para, sepse po kaluan disa orë, shkrirja e trombit është e pamundur duke sjellë dhe dëme të pakthyeshme në tru.
  • Sot është futur edhe ajo që quhet telemjekësia me anë të së cilës në orientohemi apo japim konsulta dhe ndihmën e parë për të tilla raste jo vetëm në Tiranë, por edhe nëpër Spitalet Rajonale të vendit.
  • Mjekimi realizohet për të shmangur shkakun që e ka sjellë apo provokuar sëmundjen, siç mund të jetë përshembull hipertensioni ose siç mund të jetë një sëmundje e gjakut, ose një çrregullim i ritmit të zemrës. Në këtë të fundit mund të kemi zënie të enëve të gjakut ku një copë gjaku e mpiksur shkon në tru dhe jep atë që quhet infarkt i trurit.
  • Fillohet mjekimi edhe për paralizat dhe për riaftësimin, i cili duhet bërë që në ditët e para sepse ka ndryshuar koncepti  i mëparshëm ku  thuhej se duhet të bëhej pas javës së dytë ose së tretë.

pacientPasi mbaron mjekimi, çfarë ndodh?

Në një kohë të dytë, pasi pacienti e ka superuar fazën e parë, do të merren masa për parandalimin e shkaqeve që e kanë provokuar sëmundjen, sepse siç vlen për çdo sëmundje, është mirë të parandalohet.

A ka komplikacione të lidhura me këto sëmundje?

Sigurisht që ka. Ne si mjekë gjithmonë marrim masa për të shmangur pasojat  ose komplikacionet që lidhen me sëmundjet e enëve të gjakut të trurit. Komplikacionet mund të jenë të lidhura me:

  1. Pozicionin e të qëndruarit shtrirë të sëmurit, i cili mund të pësojë bronkopneumoni nga thithja e sekrecioneve në rrugët e frymëmarrjes
  2. Infeksione urinare
  3. Plagë në sektorin e belit ose të ndenjurat nga qëndrimi i gjatë shtrirë

Zakonisht këto hasen më së shumti tek moshat e vjetra, ndërsa në moshat e reja komplikacionet mund të jenë në sektorët e frymëmarrjes.

Në çfarë stadi ekzaminohen pacientët?

Zakonisht sëmundjet kapen që në fillim sepse është një dramë që të vjen menjëherë. Ne me metodat që kemi, me anë të skanerit dhe rezonancës arrijmë të  përcaktojmë menjëherë diagnozën dhe skemën e mjekimit. Në rast se ka probleme me çrregullimin e ritmit, ne bëhemi grup së bashku me mjekë të tjerë si kardiologë, mjekë të diabetit apo mjekë obstetër-gjinekolog përsa iu takon aborteve.

Si ndikon aborti në provokimin e sëmundjeve të enëve të gjakut të trurit?

Kur abortet nuk bëhen në kushte steriliteti të plotë dhe në mënyrë jokorrekte, ndodh që rrugët gjenitale të ngelin të hapura dhe për pasojë krijohen copa gjaku të mpiksura që shkojnë në sistemin nervor apo krijohen infeksione që krijojnë probleme me qarkullimin e gjakut.

Kush preken më tepër nga sëmundjet e enëve të gjakut të trurit,  meshkujt apo femrat?

Zakonisht preken më tepër meshkujt nga këto sëmundje, por përsa u takon femrave duhet të theksoj se përdorimi  gjithnjë e më shumë i duhanit, alkoolit, pijeve energjike etj ka fituar një përhapje të gjerë. Megjithatë, raporti aktual është 2 me 1, por ndonjëherë ky raport ndryshon domethënë bëhet 2 me 2.

Cilat raste hasen më shpesh rastet me hemorragji apo rastet me zënie?

Në përgjithësi më tepër hasen probleme me enët e gjakut të trurit të karakterit të zënies. Hemorragjia haset disi më rrallë.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e 01 shkurtit të gazetës “Shëndet+”)

Postime të ngjashme

Kur stresi i provimeve bëhet i rrezikshëm për fëmijën tuaj – si ta dalloni dhe si ta ndihmoni
Rutina e përditshme që forcon trurin dhe përmirëson kujtesën
Shenjat e fshehta që tregojnë se harresa mund të jetë shqetësuese
Si ndikon koha para ekranit në zhvillimin e trurit të fëmijëve
Testi i thjeshtë që zbulon në pak minuta nëse një fëmijë ka autizëm
Sjellja që praktikojnë prindërit por që mund të ndikojë shëndetin mendor të fëmijëve të tyre
Ekspertët e Harvardit paralajmërojnë se katër zakone të zakonshme po dëmtojnë trurin tonë
Sinjalet e depresionit, psikiatrit bëjnë apel të mos neglizhohen këto ankesa