Bisedoi: Elona Tereziu, gazeta “Shëndet+” dhe Shëndeti Online
Ndërhyrjet estetike kanë lindur për të korrigjuar defekte, jo për të zmadhuar! Kështu shprehet për gazetën “Shëndet+” mjekja dermatologe Entela Shkodrani.
Sipas saj, “edhe ndërhyrjet në buzë, edhe ndërhyrjet në fytyrë, edhe botoksi fillimisht janë nisur si procedura mjekësore. Për shembull, botoksi përdorej për të korrigjuar paralizat faciale ose osimetrinë e buzës që ndodhin nga paralizat faciale. Me kalimin e kohës u përdorën edhe për arsye estetike dhe sot gjendemi në një situatë të tillë ku të gjitha vajzat e reja po duken njëlloj.
“Ne dermatologët po bëjmë vetëm korrigjime estetike. Korrigjojmë ndërhyrjet që shqiptarët i bëjnë në mënyrë nallbanshe kudo, parukeri, qendra estetike, shtëpi etj. Injektojnë botoks, fillersa (mbushës), bëjnë minindërhyrje të vogla kirurgjikale nëpër qendra të paspecializuara dhe pa përvojë dhe pastaj vijnë tek ne kur kanë probleme, gradaloma e ptoza, shtrembërime e asimetri.
“Pse!? Sepse kjo është kultura jonë. Para se ti t’ia “besosh veten” dikujt, duhet të informohesh: Kush është ky doktor? Ku ka punuar? Si ka punuar? Çfarë biografie profesionale ka? Çfarë ndërhyrjesh të tjera ka bërë më parë? Pra, duhet të jesh i sigurt. Por kur ti shkon në një qendër estetike apo në një parukeri e injekton botoks, që është e sigurt 100% që ajo parukiere as nuk e ka idenë se çfarë është botoksi, çfarë është fillersi, si përthithet nga organizmi apo çfarë efektesh anësore ka, çfarë mund të themi këtu?! A nuk flet kjo për nivelin e pacientëve shqiptarë?!
“Ajo që shohim ne këtu në Tiranë/Shqipëri, është që ndërhyrjet estetike bëhen nga dy-tre duar që në përgjithësi përdorin produkte permanente (që u duhet menjëherë efekti). Nëse këtu tek ne vajzat injektojnë ende silikon nëpër parukeri e qendra estetike, duhet të kujtojmë se në botë ky produkt ka dhjetë vjet që është hequr nga qarkullimi. Nëse në Itali zbulohet se një dermatolog ka injektuar silikon tek një pacient, rrezikon t’i hiqet licenca dhe të futet në burg.
Si ndikon media?
Media nuk ka vetëm tek ne, media ka në të gjithë botën. Por jashtë vajzat nuk janë kaq të prirura për të bërë ndërhyrje kirurgjikale. Nuk është se këtu bëhen korrigjime, ke një buzë shumë të hollë dhe injekton për të rritur pak volumin apo ke një gjoks njësh dhe e bën tresh. Këtu mania është të fryhen sa më shumë. Bëhen buzët në atë formë që nuk kanë asnjë lidhje harmonike me tiparet e tjera! Si mundet një vajzë e re që është studente, të përballojë një aplikim të fillerit në buzë, ku minimalisht do të dojë 350-400 euro një herë që e bën!? Këtu janë shumë gjëra bashkë. Janë shumë probleme sociale. Është vendi ku jetojmë, është niveli i ulët i shoqërisë. Megjithatë, mjeku luan rolin kryesor dhe unë e theksoj me të madhe. Një profesionist i vërtetë e di se kur duhet thënë jo!


