Erjona Shehu: Puna si gazetare, kompensim i pagës qesharake të mjekut

Denisa Canameti

E qetë dhe nevrike, e nxituar dhe e duruar, me gabime të mëdha e të vogla, me strese, frikëra, emocione, supersticione, shumë korrekte  dhe harraqe: me pak fjalë, si çdo mëkatar tjetër i kësaj bote! Kështu e përkufizon veten spikerja dhe mjekja bukuroshe Erjona Shehu. Spikerimi në një nga televizionet më prestigjioze në vend e bëri Erjonën një vajzë të dashur për publikun shqiptar, të cilin e ka mbajtur të mbërthyer para ekranit për edicione informative me radhë.

erjona shehuAsnjëherë nuk i është dashur të përdorë famën e televizionit në profesionin e saj aktual si mjeke, pasi të dyja kostumet, si ai i gazetares dhe ai i mjekes i rrinë për mrekulli. Pasioni dhe dashuria për median nuk e tundoi asnjëherë që të braktiste mjekësinë, degën për të cilën investoi në vite, duke e ditur edhe qëllimin final të punës së saj.

Suksesi nuk është bukuria! Edhe pse Erjona përveç të tjerash është e bekuar edhe me këtë të fundit.

Çfarë mendimi keni për shëndetësinë në Shqipëri?

Shëndetësia në Shqipëri ?…  Si i sëmuri i sapodalë nga koma. E lodhur, e drobitur. E pafuqishme që të fillojë të ngrihet nga gjendja ku u katandis për vite të tëra. Ka nevojë për vëmendje e për përkushtim. Është e keqgjykuar dhe e paragjykuar. E nënvlerësuar dhe e mbivlerësuar. Është në luftë midis të vjetrës dhe të resë. është larg asaj që realisht duhet të jetë: një mjeksie të shëndetshme.

erjona shehu1Nëse do të riktheheshit pak në rolin e gazetares, si do t’i interpretonit 300 ditët e para të qeverisë në fushën e shëndetësisë?

Sa herë bëhej fjalë për shëndetësinë, edhe kur punoja në media, unë nuk mund ta gjykoja në këndvështrim të ndryshëm nga ai i një njeriu që ka lidhje të drejtpërdrejtë me shëndetësinë.

Shumë gjëra kanë nisur të lëvizin, situata është e ndryshme, po punohet shumë me organizimin dhe sitetimin. Besoj se paskëtaj ndryshimet e tjera pozitive duhet të vijnë biologjikisht. Ashtu sikurse jam krejtësisht kundër politikave populiste që e vënë mjekun në front përballë me pacientin. Shpeshherë situata të lidhura me mjekët janë përdorur publikisht për përfitime politike apo dhe diversione politike. Nuk duhet të ketë përsëritje të historisë. Shembujt e njerëzve që punojnë në mjekësinë shqiptare janë të pafund, askush nuk flet për to. Nuk bëjnë për “show” mediatik dhe as fitohet politikisht prej tyre, ndaj dhe nuk njihen duke e lënë mjekësinë të mbuluar me vellon e “bluzave të bardha të nxira nga korrupsioni”. Është shumë e rëndësishme të ketë një Rilindje në mendësinë me të cilën perceptohet mjeku në Shqipëri.

Pse zgjodhët mjekësinë?

Kur nisa punë në media, nuk kam punuar asnjë ditë të vetme me mendimin që do më duhej të zgjidhja. Unë isha studente në mjekësi, e dija shumë mirë të ardhmen time, thjesht për të kompensuar pagën qesharake të mjekut bëja një punë të dytë që e vazhdova për 14 vjet me radhë. Momenti i shkëputjes erdhi natyrshëm. Pak i dhimbshëm, pasi kishte marrë kohën e vet dhe kisha investuar edhe shpirtërisht për të, por do vinte gjithsesi.

erjona shehu 2A duhet të besojnë vajzat e reja që ëndërrojnë televizionin se bukuria është çelësi i vetëm i suksesit?

Bukuria është një vlerë gjenetike, pa dyshim, por nuk të bën të suksesshëm. Media sot është në përsiatje të vazhdueshme, ka ngecur në disa personazhe të bera imazhe vetëm prej pamjes dhe po lëngon në këtë ngecje. Vajza të bukura pa fund, por që sa hapin gojën, flasin çdo gjuhë me përjashtim të gjuhës shqipe. Pjesë trupi që imponohen dhunshëm në ekrane përmes sh-ve, ç-ve, dh-ve e ll-ve të shqiptuara në mënyre vulgare. Grim i lodhshëm e vulgar. Asnjë vlerë, asnjë fjalë me peshë, vetëm imazhe që imponohen dhunshëm tek brezi i ri duke edukuar idenë se “nuk ka rëndësi çfarë thua apo si e thua, e rëndësishme është të dalësh në TV e në kopertina revistash, të jesh pjesë e thashethemeve mediatike dhe të shesësh veten si imazh apo çfarëdoqoftë sa më shumë të jetë e mundur.

(Intervistën e plotë e gjeni në numrin e 29 shtatorit 2014 të gazetës “Shëndet+”)

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin