Kryefaqja Fitness Ermal Hadribeaj: Dua të çoj flamurin shqiptar sa më lart në...

Ermal Hadribeaj: Dua të çoj flamurin shqiptar sa më lart në MMA

0
Shpërndaje

Intervistoi: Elena Beta

I ri dhe i talentuar, me synimin për të t’u bërë kampion në MMA, sport të cilit i është kushtuar tërësisht. Ermal Hadribeaj, shqiptari që ka zënë vendin e tretë në kampionatin botëror të MMA, rrëfen për gazetën “Shëndet +”,  adrenalinën që i shkakton një sport i fortë i cili luhet brenda një kafazi 8 këndor.  Në bisedën me të,  kupton dëshirën e madhe që Ermali ka për të qenë më i miri dhe se orët e gjata të stërvitjes dhe përkushtimi i tij maksimal me siguri do të shpërblehen me titullin aq të dëshiruar “Kampion”. Sa mundësi ofron Shqipëria për të rinjtë që e pëlqejnë këtë sport dhe sa ndikon menaxhimi i mirë në karrierë? Të gjitha këto mund t’i lexoni në intervistën më poshtë.

Ermal për të gjithë ata që duan të dinë më shumë për ty, mund të rrëfesh një historik të shkurtër për veten? Si filloi pasioni për MMA?

Dua ta nis historinë time që në moshën 7 vjeçare, atje ku fillova sportin për herë të parë. Jam stërvitur në futboll gati 8- 9 vjet por nuk më rrihej vetëm në një sport, kërkoja më shumë, doja të praktikoja çfarëdo lloj sporti të mundshëm edhe në çdo gjë që bëja doja të dilja fitimtar.

Do të përmend disa nga sportet që kam praktikuar nga mosha 7 vjeç e deri më sot jam 24. E kam nisur me futboll, pastaj praktikohesha me biçikletë, patina, sketbord, parkour, jumping, karate, dancing. Disa nga këto që përmenda hyjnë tek sportet ekstreme dhe të japin shumë adrenalinë. Sportin e MMA fillova ta shikoja kur e nisi vëllai im para disa viteve në USA.  Më dukej e vështirë dhe e frikshme, por ai sot ka 18 ndeshje me dhe sukses. Në të gjitha sportet që kam praktikuar, në MMA më dukej sikur do i bëja të gjitha brenda në kafaz dhe adrenalina ishte e papërshkrueshme kështu që nuk i ndahesha dot më.

Mund të na tregosh pak më shumë për sportin MMA, çfarë kriteresh duhet të plotësosh për ta praktikuar këtë lloj sporti?

MMA do të thotë MIXED MARTIAL ARTS është një sport unik inteligjent, tepër luftarak ku përfshihen disa disiplina, mundja, boksi, kickboksi, karateja dhe zhvillohet brenda një kafazi 8 këndor. Kriteret? Duhet të kujtojmë se MMA është sport ekstrem dhe shumë i fortë prandaj çdo sportist duhet të jetë i stërvitur mirë në çdo disiplinë që përmenda më lart, pa këto disiplina pritshmëritë për dëmtime janë tepër të mëdha.

Ti ke marrë pjesë dhe në Kampionatin Botëror të MMA dhe ke fituar medalje. Sa e vështirë është konkurrenca në rang botëror në një sport të fortë si MMA?

Po, zura vendin e tretë në botë por doja me patjetër vendin e parë sepse e ndjeja që niveli im ishte vetëm për vendin e parë, konkurrenca për rang botëror është shumë e vështirë sepse vijnë nga vende shumë të largëta vetëm për një qëllim, për të fituar dhe për të fituar çdo sportist jep shpirtin në ndeshje dhe t’i asnjëherë nuk ke për ta pasur të lehtë. Duhet një sakrificë shumë e madhe, stërvitje përditë nga 6 orë, regjim i mirë dhe përkushtim maksimal.

Çfarë dëmtimesh mund të pësosh në ndeshje dhe sa i vështirë është rikuperimi?

Dëmtimet janë të ndryshme por dua të marr rastin tim në kompionatin botëror ku në ndeshjen time të parë dhe në raundin e parë, kam thyer gishtin e dorës së djathtë dhe me gishtin e thyer kam zhvilluar 4 ndeshje gjithsej. Sa mbërritëm në Tiranë jam futur direkt në operacion ku mbas një muaji e gjysmë hoqa dhe hekurat, dhe pas 3 muajsh rikthehem përsëri në kafaz.

A është i nevojshëm një regjim i mirë ushqimor në mënyrë që trupi të jetë më shumë rezistent ndaj stërvitjes dhe ushtrimit të lodhshëm?

Është shumë i nevojshëm, jo vetëm MMA por në çdo sport. Për ata që nuk merren me sport vlen për një shëndet të mirë dhe nuk duhet neglizhuar kurrë.

Cila është dieta jote e përditshme?

Nuk është se kam dietë të veçantë, mjafton të ushqehesh me të gjitha vlerat ushqimore që trupi ka nevojë.

Sa ndikon pjesa e menaxhimit të mirë në suksesin e një sportisti MMA?

Deri më tani, së bashku me ndihmën e trajnerit tim Arjan Rizaj numërojmë plot 17 ndeshje në ligën amatore. Duke marrë parasysh kushtet e sportit në përgjithësi jemi munduar shumë të gjejmë rrugët e duhura dhe mendoj kemi arritur shumë suksese. Në kompionatin botëror amator të MMA që zhvillova në Bahrain me 12 nëntor 2017 ku dhe dolëm medalist, vendosëm të mbyllnim ndeshjet amatore dhe të kalojmë në tjetër nivel, në atë profesionist dhe patjetër një menaxhim i mirë dhe profesional do ndikojë shumë në të ardhmen time.

Sa mundësi ofron Shqipëria për të bërë karrierë në MMA?

Sigurisht që është një sport i ri dhe modern dhe po fillon të pëlqehet nga shumë të rinj dhe sportistë të disiplinave të ndryshme. Dua të përmend prapë trajnerin tim Arjan Rizaj që ka qenë nismëtari për hapjen e Federatës të MMA ku fillimi ka qenë shumë i vështirë për të sepse asnjëri nuk e kishte dijeninë e këtij sporti. Sot ai ka organizuar kampionate të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare nga vullneti, pasioni dhe qëllimi që ka për zhvillimin e MMA në Shqipëri. Ai po fiton zemrat dhe mbështetjen e shumë njerëzve me pozita të ndryshme që e mbështesin dita ditës dhe sigurisht i hapet rruga dhe shumë të rinjve për të bërë karrierë.

Ku e shikon veten pas 5 vitesh?

Një kampion absolut dhe të pamposhtur (qesh), megjithatë duhet të jemi me këmbë në tokë. Do të vazhdoj të përkushtohem, me punë dhe vullnet, pse jo dhe një kampion absolut dhe të pamposhtur.

Përveç se merresh me sport dhe i kushton shumë kohë nga dita jote. Si e kalon pjesën tjetër të kohës?

Para pak kohësh kam qenë shumë i ngarkuar sepse vazhdoja shkollën e lartë, punoja në të njëjtën kohë dhe bëja të pamundurën të gjeja kohën për t’u stërvitur. Tani përkushtimi është vetëm për stërvitje, na presin ndeshje më të forta, por normalisht pjesën tjetër të kohës me familjen time dhe shoqërinë.

Për çfarë i ke mbaruar studimet?

Unë jam diplomuar në Universitetin e Sporteve të Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Lëvizjes.

Vajzat preferojnë më tepër djemtë që merren me sport.  Mit apo e vërtetë?

Normal që pëlqejnë djemtë që merren me sport. Problemi është se nuk janë të gjithë sportista dhe detyrohen të zgjedhin rastet përkatëse (qesh).

Një mesazh për të gjithë ata të rinj që janë të apasionuar për MMA?

Mesazhi im për të rinjtë është që ta praktikojnë këtë sport kaq të bukur dhe luftarak, mbi të gjitha për shëndetin e tyre, për edukatën dhe disiplinën që krijohet në stërvitje dhe të jenë të vetëdijshëm që është rreptësisht e ndaluar ta praktikosh atë në rrugë./ Shendeti.com.al  

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here