Dr. Keltona Ziu
Smalti është pjesa e jashtme e dhëmbëve, kutikula mbrojtëse e të gjithë shtresës dentare. Është ndryshe dhe pjesa ose indi më i fortë që gjendet në trupin e njeriut. Ndryshe nga sa mendohet që zmalti ka ngjyrë të bardhë, smalti është transparent dhe ngjyrën që ka ia dedikon shtresës së dentinës që ndodhet poshtë tij. Është pak a shumë i krahasuar me mbulesën e vezës që mbron të gjithë indin e vet brenda saj, por shumë herë më i fortë se sa mburoja e vezës. Mund të durojë x vite me radhë fortësinë e përtypjes dhe kafshimin e gjërave të forta.
Funksioni i smaltit të dhëmbëve siç e thamë dhe më lart, është mbrojtja e indeve të buta të dhëmbëve. Nqs smalti dëmtohet do të fillojmë të ndiejmë të gjithë stimujt e jashtëm si të ngrohtin, të ftohtin, të ëmblën dhe të thartën.
Të gjtiha këto stimuj nëpërmjet njollave të dëmtuara të smaltit depërtojnë nëpër kanalezat e dentinës direkt e në nervin dent duke na dhënë dhimbje.
Shkaktarët
Erozionin e zmaltit e shkakton çfarëdolloj ushqimi me acid ose pH me të vogël se 5.5. Pijet energjike, frutat me përmbajtje të lartë aciditeti dhe sidomos vera e kuqe (një nga ushqimet kryesore që dëmton smaltin).
Sa herë që ne hamë diçka me përmbajtje acide, copëza të vogla smalti largohen nga sipërfaqja e dhëmbëve tanë.
Degustuesit e verave janë një nga subjektet kryesore të ekspozuar në sajë të erozionit të smaltit.
Njerëzit bulimik, nga të vjellat e shpeshta kanë tërë kohën mjedis acid në gojë duke e ekspozuar sipërfaqen e dhëmbëve ndaj një ambienti acid. Njerëzit me refluks gastro-esafogal gjithashtu janë të prirur ndaj kësaj gjendje. Individët që konsumojnë tepër dhe shpesh alkool, njerëzit me hernie esofageale.
Klinika
Shenjat e zmaltit të dëmtuar fillojnë duke i bërë dhëmbët të ndjeshëm, në fillim ndaj gjërave të ftohta pastaj ndaj të gjithë stimujve termik ose të ëmbël ose të thartë pas ndjeshmërisë që vjen nga tejçimi i këtyre stimujve nga dentina në nervin dentar, vjen dhe dhimbja, që sjell si pasojë heqjen e nervit ose ‘’ekstirpimin’’ e thënë në gjuhën dentare.
Tek shkaqet që shkaktojnë erozionin e smaltit duhet përmendur dhe thatësira e gojës ose sëmundjet që mjekohen me ilaçe që ulin sasinë e pështymës, pështyma është një nga elementët kryesorë që asnjanëson pH acid në gojë. Sa më shumë pështymë aq më pak prishje të dhëmbëve.
Një nga arsyet e tjera është edhe sëmundja e bruksizmit ose kërcëllitja e dhëmbëve, fërkimi i dhëmbëve me njëri tjetrin në mënyrë të pavetëdijshme duke prishur tërësinë e smaltit. Zakonisht këtyre personave u këshillohet një maskë mbrojtëse e personalizuar sipas formës së dhëmbëve e bërë në laborator. Kjo maskë duhet mbajtur të paktën natën, pasi natën është dhe më e shpeshtë dhe më e fortë kërcëllitja.
Parandalimi
- Kufizoni produktet acidike dhe pijet e gazuara gjatë vakteve ushqimore për të reduktuar sulme acidi mbi dhëmbët tuaj.
- Pijet duhet të pihen shpejt pa i mbajtur gjatë në gojën tuaj ose përdorni një pipëz për të ndihmuar pijet të kalojnë në pjesën e pasme të gojës dhe mënjanuar kontaktin e gjatë me dhëmbët tuaj.
- Përfundoni vaktin me djathë ose qumësht pasi kjo do të ndihmojë të neutralizojë aciditetin.
- Përtypni çamçakëz pa sheqer pas ngrënies për të ndihmuar në prodhimin e sa më shumë pështyme, për të eliminuar acidet që formohen në gojën tuaj pas ngrënies.
- Prisni të paktën një orë pasi keni ngrënë apo pirë diçka acide para se të lani dhëmbët tuaj. Kjo i jep kohë dhëmbëve tuaj të rindërtojnë përmbajtjen e tyre.
Trajtimi
Trajtimi varet kryesisht nga shkaku i dëmtimit të smaltit. Shpesh duke hequr shkaktarin siç mund të jetë përdorimi i furçës shumë të fortë, apo forca me të cilën lahen dhëmbët mjafton për të reduktuar avancimin e erozionit. Ndonjëherë kjo nuk është e mundur prandaj një mbushje në vendin e konsumuar mund të jetë e mjaftueshme për të mbrojtur dhëmbin dhe për të rikuperuar estetikën. Nëse smalti është dëmtuar shumë, atëherë mund të këshillohet veshja me këllëf për ta mbrojtur atë nga dëmtimet e mëtejshme./ Shendeti.com.al


