Kryefaqja Aktualitet Erozioni: shkaqet, problemet dhe zgjidhja

Erozioni: shkaqet, problemet dhe zgjidhja

0
Shpërndaje

Krahas faktorëve natyrorë, në zhvillimin intensiv të erozionit dhe degradimin e shpateve ka ndihmuar edhe njeriu nëpërmjet shpyllëzimeve, djegieve, mbikullotjes së bimësisë së shkurreve dhe asaj barishtore, keqpërdorimit të tokave, brezareve, rrugëve etj.

Nga Klementina Ferhati, gjeografe mjedisore

Erozioni ne VeskSi kudo në vendin tonë edhe komuna e Baldushkut ka qenë dhe po përballet me probleme të shumta mjedisore, siç janë: erozioni, rrëshqitjet, keqpërdorimi i bimësisë natyrore, ndotja e ujërave sipërfaqësore e nëntokësore etj. Faktorët që kushtëzojnë problemet mjedisore janë kryesisht natyrorë, por edhe ai human ka ndikuar dukshëm.

Në grupin e faktorëve natyrorë, të cilët janë më kryesoret që kanë kushtëzuar shfaqjen e problemeve mjedisore veçojmë: përhapjen e shkëmbinjve terrigjene, veprimtarinë shkatërruese të rrjedhjeve ujore etj. Në këtë drejtim rol të rëndësishëm luajnë veçanërisht reshjet e shiut në formë rrebeshi dhe sasia e madhe 24 orëshe e tyre dhe rënia e tyre në fillimin e vjeshtës kur toka është e zhveshur nga bimësia.

Krahas faktorëve natyrorë, në zhvillimin intensiv të erozionit dhe degradimin e shpateve ka ndihmuar edhe njeriu nëpërmjet shpyllëzimeve, djegieve, mbikullotjes së bimësisë së shkurreve dhe asaj barishtore, keqpërdorimit të tokave, brezareve, rrugëve etj.

Vatrat e erozionit janë të fuqishme, madje në mjaft sektorë shpatet janë të degraduar dhe dezertifikuar dukshëm, si në: Tavaren, Koçaj, Veski etj. Shkaku kryesor i degradimit të tyre mbetet dalja në sipërfaqe e shkëmbinjve argjilorë e alevrolitorë dhe dëmtimi i bimësisë natyrore. Pikërisht në këto shpate gjenden edhe vatrat më të mëdha të erozionit.

Hapja e tokave të reja në vitet ’80 të shek.XX ka nxitur erozionin sipërfaqësor dhe sot në shumë sektorë të fshatrave Vrap, Koçaj, Baldushk, Fushas etj., takojmë toka arë të degraduara dhe të braktisura.

Procesi i erozionit ka kërcënuar dhe po kërcënon dukshëm ujëmbajtësit. Problemi i mbathjes ka pasur ritmin më të madh pas viteve ’90, sepse gjatë kësaj periudhe munguan tërësisht masat antierozive të ngritura më parë. Përveç këtyre faktorëve në 2-3 vitet e fundit në mbathjen e shpejtë të tyre po ndikojnë shpyllëzimet dhe hapja e tokave të reja në shpatet pranë pellgut ujëmbledhës të Rovës.

Banorët e zonës shprehen mjaft të shqetësuar nga ky fenomen pasi ujërat e këtij ujëmbajtësi ato i përdorin për ujitjen e tokave bujqësore gjatë periudhës së thatë të verës.

Përmirësimi i situatës aktuale do të kërkonte marrjen e masave mbrojtëse të mëposhtme:

– Mbjellja me fidanë pyjorë të mbi 350 ha toke, të cilat janë të zhveshura dhe nën veprimin direkt të procesit të erozionit sipërfaqësor;

– Kultivimi i mbi 250-300 ha kullotave me bimësi shumëvjeçare për ta bërë erozionin më pak aktiv dhe për t’i shfrytëzuar me efektivitet ato;

– Disiplinimi i prerjeve të pyjëve sipas ligjit përkatës;

– Sistemime malore, ndërtim gardhesh teke etj., në shpatet kodrinore;

– Përmirësimi i tokave në fushë, rehabilitimi i veprave të kullim-ujitjes;

– Ndërtimi i pritave në anët e përrenjveqë çdo vit gjatë periudhës së reshjeve marrin sipërfaqe të mëdha toke;

– Ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza;

– Ofrimi i shërbimeve për grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve urbane që do të kufizonte venddepozitimet ilegale të tyre;

– Mbajtja pastër e mjedisit nga zhvillimet pa kriter të bizneseve dhe aktiviteteve prodhuese. Ky problem përkeqësohet nga mosmarrja e masave nga pushteti vendor për t’i disiplinuar ato;

– Fushatë sensibilizuese për ndërgjegjësimin e banorëve të komunitetit për një mjedis të pastër e të mirëmbajtur.

Duhet theksuar se bashkëpunimi midis studiuesve, vendimmarrësve vendor dhe komunitetit do të lehtësojë shumë përmirësimin  e situatës pavarësisht se sot nuk ka mjete të nevojshme financiare, prandaj e rëndësishme është sigurimi i këtyre mjeteve. Duhen krijuar raporte më miqësore e respekt reciprok midis natyrës e banorëve, sepse duhet menduar mirë edhe për brezat e ardhshëm, të cilët do të kenë më shumë kërkesa ndaj mjedisit ku punojnë e jetojnë.

***

Këto informacione mbështeten nga programi SENiORA-a drejtuar nga REC, rrjeti ECIM, grupim i shoqatave mjedisore, duke vijuar denoncimin e masakrave mjedisore

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here