Kryefaqja Box 1 Ethja reumatizmale, rreziku për zemrën

Ethja reumatizmale, rreziku për zemrën

0
Shpërndaje

Bisedoi: Elona Tereziu

Ethja reumatizmale ose, siç njihet ndryshe, reumatizmi artikular akut është një sëmundje inflamatore autoimune, e cila zhvillohet si ndërlikim i infeksionit të grykëve nga Streptokoku betahemolitik. Shfaqet me simptoma të ndryshme: dhimbje, temperaturë, djegje fyti, dhimbje barku, dhimbje kyçesh, gjakderdhja nga hundët, poliartrit, kardite etj, megjithëse në 30% të rasteve sëmundja ka klinikë të dobët dhe është e vështirë të dallohet.
Haset kryesisht në moshat fëminore 5-15 vjeç, ndërkohë që statistikat botërore flasin për 470.000 raste të reja çdo vit.

Komplikacionin më të rëndë ethja reumatizmale e jep në muskulin e zemrës ku në 30-60% të rasteve jep kardite shoqëruar me dispne, shkurtim të frymëmarrjes, kollë, dhimbje gjoksi, ortopne etj.

Genti Xhelili, mjek pediatër reumatolog në QSUT, tregon se përfshirja e zemrës është tepër e rrezikshme, pasi ajo mund të kalojë në atë që quhet sëmundja reumatizmale e zemrës, çka kërkon profilaksi të zgjatur, sepse mund të acarohet nga çdo infektim nga streptokoku, si dhe të japë probleme në moshë më të rritur.

Doktor, çfarë është ethja reumatizmale?

Ethja reumatizmale është një proces inflamator autoimun e cila zhvillohet si ndërlikim i infeksionit të grykëve nga Streptokoku betahemolitik. Ajo ka manifestime klinike nga më të ndryshmet dhe, për më tepër, nuk ekziston ndonjë test specifik diagnostik. Personat që kanë kaluar një episod akut të ethes reumatizmale, janë më të prirur për të bërë sërish sëmundje nëse infektohen sërish nga ky streptokok.

Cilët janë shkaktarët e kësaj sëmundjeje?

Shkaktari kryesor i kësaj sëmundjeje është infeksioni i fytit nga streptokoku betahemolitik i grupit A. Megjithatë në literaturë janë përshkruar edhe shtame të tjera jo tipike të streptokokut si dhe infeksionet e lëkurës nga streptokoku. Ngjashmëria që ka membrana e streptokokut me disa inde të trupit, kryesisht zemrën, por edhe trurin, lëkurën, membranën sinoviale, bën që organizmi “të ngatërrohet” dhe të fillojë të sulmojë indet e veta.

Sa shpesh haset sëmundja dhe cila është grupmosha më e rrezikuar?
Ethja reumatizmale në përgjithësi është një sëmundje e vendeve në zhvillim, por ajo haset edhe në vendet e zhvilluara për arsye se rreth 30% e infeksioneve nga streptokoku kanë klinikë të dobët, kështu që nuk bien në sy të prindërve apo mjekëve. Vlerësohet se rreziku për të zhvilluar ethen reumatizmale pas një infeksioni streptokoku është midis 0.3—3%. Të dhënat ndërkombëtare tregojnë për rreth 470.000 raste të reja në vit në mbarë botën. Sëmundja është më e shpeshtë në fëmijët e moshës 5-15 vjeç, e rrallë në fëmijët e vegjël, moshës parashkollore dhe mbi 35 vjeç.

Faktorët prirës?

Faktorët prirës janë kushtet social ekonomike, grupmosha që u përmend më sipër, si edhe vendet e komunitetit ku rritet dhe incidenca e infeksionit steptokosik siç janë shkollat, kapanonet, konviktet.

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here