Roland Kore, pneumolog në spitalin “Shefqet Ndroqi”
Kanceri i mushkërive është një sëmundje fatale dhe duket se fajin për këtë e ka duhanpirja. Tashmë është e vërtetuar plotësisht se eleminimi i duhanpirjes do të pakësonte incidencën e kësaj sëmundje në masën 90%.
Në praktikën e përditshme mjekësore po hasim çdo ditë e më tepër raste të zbuluara me kancer të mushkërisë në persona që nuk kanë pirë kurrë në jetën e tyre duhan, por që punojnë e jetojnë në ambjente ku tymoset duhan.
Gjatë 10 vjetwve të fundit në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi “ janë diagnostikuar me kancer të mushkërive 5383 të sëmurë, mesatarisht rreth 540 raste në vit. Numri më i madh i rasteve 720 i përket vitit 2006 dhe numri më i vogël 438 vitit 2009.
Meshkujt zënë 80% të rasteve. Ndërsa sipas grupmoshave: 25-54 vjeç zënë 16.9% të rasteve, 55-74 vjeç 62% dhe mbi 75 vjeç zënë 21% të rasteve.
Të dhënat e mësipërme publikohen për herë të parë dhe kanë të bëjnë vetëm me treguesit e punës në spitalin tonë. Ndërsa incidenca (rastet e reja të zbuluara në një vit) e kancerit të mushkërive në vendin tonë është akoma më e lartë, pasi ka mjaft raste që diagnostikohen në spitalet e tjera brenda e jashtë vendit apo që për arsye të ndryshme klasifikohen si sëmundje jo kanceroze.
Oganizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se rreth 6 milion raste vdesin çdo vit nga sëmundje që kanë lidhje me duhanin, pjesa më e madhe në vende me të ardhura të ulura dhe të mesme.
Konsumimi i 20 cigareve në ditë shton me 15 herë rrezikun për kancer të mushkërive.
Për shumicën e njerëzve diagnoza e kancerit të mushkërive është një ngjarë që ndryshon jetën, duke shkaktuar ndjenjën e shokut, frikë, zemërimit dhe trishtimit, vetmisë dhe ankthit. Është një ngjarje me kosto të lartë morale, fizike, por edhe financiare, që duhet përballuar deri në fund.
Ajo që ka rëndësi të dihet është se a ndikon lënia e duhanit në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe në parandalimin e kancerit të mushkërive? Sigurisht që po. Në cilindo moment që do të lini duhanin, do të përfitoni. Sa më herët dhe sa më pak të keni pirë duhan, aq më shumë do të përfitoni. Dhjetë vite pas lënies së duhanit, rreziku për kancer të mushkërive përgjysmohet.
Prej shumë kohësh në spitalin tonë çdo i sëmurë që shtrohet, anketohet lidhur me duhanpirjen. Shumica e atyre që e kanë lënë duhanin, thonë se e kanë lënë menjëherë. Lënia e duhanit nëpërmjet pakësimit të numrit të cigareve/ditë, të përdorimit të markave “të mira”të duhanit, të cigareve të holla, me mente apo të lehta, janë vetëm justifikimet e njerëzve të cilët kanë vartësi të fortë nga duhanpirja dhe vullnet të dobët për ta lënë atë. Ka duhanpirës të cilët thonë se nuk e kalojnë tymin poshtë, e pinë kot. Këtyre njerëzve do t’u rekomandoja lënien e menjëhershme të duhanit, pasi jo vetëm që nuk e “shijojnë” duhanin, por dëmtohen njëlloj si të gjithë konsumatorët e rregullt të tij.
Tendencat që po vihen re kohët e fundit të përdorimit të duhanit në grup-mosha gjithnjë e më të vogla, e kryesisht tek gjimnazistët e studentët, e në veçanti tek femrat, përbën një aspekt mjaft shqetësues për të gjithë, pasi jo vetëm dëmton shëndetin e përdoruesve, por nxit edhe të tjerët që nuk e përdorin duhanin, ta fillojnë atë.
Ajo që duhet bërë në këtë drejtim, mendoj se duhet të konsistojë në sensibilizimin e të gjithë shoqërisë që:
- Të shmangim me sa të mundemi duhanpirjen pasive
- Të thithim ajër të pastër
- Të mos lejojmë që duhani të pihet në ambjente publike, aq më keq në banesë
- Të informojmë cilindo duhanpirës për pasojat e dëmshme të tij
- Të ndalohen kategorikisht prindërit të pinë duhan në praninë e fëmijëve.


