Kryefaqja Box 1 Faktorët që ndikojnë në formimin e gurëve në veshka

Faktorët që ndikojnë në formimin e gurëve në veshka

1
Shpërndaje

Valbona Bajrami, mjeke nefrologe pranë Spitalit Continental

Gurët në veshka janë një nga çrregullimet më të zakonshme  dhe më të shpeshta të  traktit urinar. Haset më shpesh tek meshkuj sesa te femrat me raportin 2-4 meshkuj: 1 femër, ndërkohë që mosha më e prirur rezulton të jetë ajo mes 30-50 vjeç (për meshkuj), ndërsa për femrat piku konsiderohet menopauza dhe periudha e fundit e shtatzënisë.

Faktorët madhorë të riskut për kalkulozë përfshijnë moshën, gjininë, etnicitetin, historinë familjare, historinë për gurët, hiperkalciurinë, hiperoksalurinë, hiperurikozurinë, hipocitraturinë dhe çrregullimet e pehashit urinar. Thuhet që një dietë jo e përshtatshme rrit prevalencën për mbipeshë të njerëzve dhe ndryshimet në stilin e jetës janë përgjegjëse për formimin e gurëve renale.

Por t’i marrim me radhë:

Mosha dhe gjinia: Sipas studimeve raporti meshkuj-femra ka respektivisht vlerat 2÷4 : 1.

Ndërkohë që shumica e gurëve urinarë krijohen  në moshën 20-50 vjeç, katër në çdo pesë pacientë janë burra. Mosha më e prirur për të formuar gurë tek meshkujt rezulton të jetë 30-50 vjeç, ndërsa për gratë piku është rreth moshës 50 vjeç. Kjo shpjegohet me nivelin e ulët të estrogjenëve në menopauzë, ndërkohë që një tjetër fazë për femrat është edhe periudha e shtatzënisë, sidomos në muajt e fundit ku mundësia për kalkulozë është në raportin 1:1500.

Në fëmijë gurët zakonisht krijohen nga faktorë gjenetik. Shumë herë shkak është hiperkalciuria. Deformimet e traktit urinar krijojnë një risk të shtuar domethënës për formim gurësh.

Fëmijët e lindur me peshë të vogël të cilët e kanë të nevojshëm marrjen e ushqimit intravenoz janë më të riskuar për gurë.

Në adoleshencë risku për formimin e gurëve rritet dyfish sidomos në moshën 25 vjeç. Megjithatë, nuk janë të qarta arsyet pse në këtë moshë është risku më i madh për formimin e gurëve, mendohet se kjo ka të bëjë me peshën trupore, e cila fillon të rritet në  të rinjtë  në këtë moshë.

Etniciteti

Nga studimet e bëra është konkluduar që risku më i lartë për formimin e gurëve renale është tek raca e bardhë e ndjekur nga raca hispanike, raca e zeze dhe raca aziatike.

Trashëgimia ose historia personale

Risku për formim gurësh është më i lartë tek personat që në trashëgiminë familjare kanë pasur prani të kalkulozës renale. Rreth gjysma e njerëzve që kanë pasur gurë në veshka kanë tendencë të riformojnë përsëri gurë brenda 5 vjetësh.

Çrregullimet gjenetike të trashëguara luajnë gjithashtu rol për formimin e disa lloj gurësh. Gurët nga cistina ndodhin kur cistinuria është e rritur kjo si shkak i çrregullimeve të trashëguara gjenetike në transportin e aminoacideve.

 Dieta dhe stili i jetesës dhe patologjitë e tjera?

Dieta e pasur me proteina, kripë, karbohidrate dhe ushqime të pasura me oksalate, rritin riskun për formim gurësh në veshka. Njerëzit, dieta e të cilëve është e pasur me proteina shtazore dhe e varfër në fibra dhe lëngje kanë risk më të lartë.

Roli i shumë përbërësve si kalcium, oksalate, magnez, fosfor, natrium, kalium, proteina ka qenë nën vëzhgim, për shkak të efekteve të tyre të njohura në ekskretimin urinar si promotore apo inhibitore të formimit të gurit.

Dehidratimi

Moskonsumimi i mjaftueshëm i ujit çdo ditë rrit riskun për gurë në veshka. Njerëzit që jetojnë në vende me klimë të nxehtë dhe ata që djersitin shumë janë më shumë të riskuar se të tjerët.

Mbipesha dhe obeziteti

Të dy këta faktorë shoqërohen me rritje të riskut për gurë renalë. Shkencëtarët mendojnë që ekziston një lidhje ndërmjet acideve yndyrore, insulino-rezistencës dhe përbërjes së urinës. Njerëzit me peshë të madhe trupore ekskretojnë më shumë kalcium dhe acid urik në urinë çka rritin riskun për formim gurësh renale. Tek individët obezë me BMI> 30 kg/m2 incidenca për gurë renalë shkon 4.9% në krahasim me ata jo-obezë që shkon 2.6%.

Diabeti mellitus

Diabeti Mellitus është një faktor risku madhor për formimin e gurëve në veshka. Është parë që prevalenca e kalkulozës në pacientët diabetikë është 21%, dhe në ata pa diabet 8% .

Diabeti Tip II rrit rriskun për formimin e gurëve në përgjithësi, por veçanërisht rrit rriskun për formimin e gureve nga acidi urik. Njerëzit me DM Tip II kanë me shumë acide në urinë, gjë që rrit riskun për formimin e gurëve nga acidi urik. Është parë që prevalenca e diabetit mellitus tip II është 3 herë më e lartë tek pacientët me gurë nga acidi urik, në krahasim me pacientët me gurë kalcikë.

HTA (presioni i lartë i gjakut)

Njerëzit me presion të lartë të gjakut janë të prirur tre herë më shumë për të formuar gurë në veshka sesa ata normotensive. Nuk është plotësisht e qartë nëse duke pasur presion të lartë të gjakut rritet risku për gurë apo gurët shkaktojnë rritje të presionit të gjakut ose është një faktor që i lidh të dy kushtet. Nga studime të ndryshme epidemiologjike hipertensioni lidhet me rritjen e frekuencës për nefrolitiazë, pavarësisht moshës, masës trupore ose funksionit renal.

Stresi

Personat që bëjnë një jetë stresuese janë më të prirur për formim gurësh renalë se të tjerët dhe kjo lidhet me rritjen e hormonit vazopresine, i cili ul volumin e urinës dhe bën të mundur koncentrimin e urinës e prirur për formimin e kristaleve në urinë.

Guta

Guta është një formë e artritit inflamator që shkaktohet nga rritja e tepërt e acidit urik në gjak. Haset më shumë tek meshkujt dhe femrat në menopauzë. Simptomat e gutës shkaktohen nga grumbullimi i kristaleve të acidit urik në artikulacione.

Hiperparatiroidizmi

Gjendra paratiroide rregullon nivelin e kalciumit në trup nëpermjet hormonit paratiroid. Disa njerëz me hiperparatiroidizëm zhvillojnë gurë në veshka. Paratiroidektomia në disa njerëz  ndikon në reduktimin e riskut për formim gurësh por risku akoma ngelet i lartë për disa kohë pas kirurgjisë.

Sëmundjet e traktit urinar

Këtu përfshihet Polikistoza renale, Sëmundja e Renit Sfungjer, Infeksionet rekurente te traktit urinar, Infeksionet rekurente te traktit urinar, Refluksi veziko-ureteral, Patologjia e segmentit etj.

Polikistoza renale

Nefrolitiaza është një manifestim i sëmundjes së polikistozës me një frekuencë 8-36%. Në studime të ndryshme tek këta pacientë formimi i gurëve haset 2 herë më shumë se në popullatën e përgjithshme. Të dhënat e fundit sugjerojnë që etiologjia e kalkulozës në rastet me polikistozë është me natyrë multifaktoriale, përfshirë faktorët metabolike dhe anatomike.

Sëmundja e renit sfungjer (Medullary Sponge disease)

Është një sëmundje kongjenitale e veshkave e karakterizuar nga dilatacioni kistik i tubujve kolektore në një ose në të dy veshkat. Në 70 % të pacientëve me ren sfungjer mund të shfaqen gurë.

Infeksionet rekurente të traktit urinar

Studimet janë fokusuar kryesisht në aftësinë e baktereve për zhvillimin e gurit. Një prej formave më tipike të litogenezës infektive është nefrolitiaza nga gurët struvitë që karakterizohet nga gurë të mëdhenj që mbushin pelvisin renal.

Refluksi veziko-ureteral

Problemi kryesor me refluksin është ekspozimi ndaj infeksionit të veshkave. Tek fëmijët, sidomos tek ata në 6 vitet e para të jetës, infeksioni mund të shkaktojë dëmtim të veshkës dhe formim gurësh më vonë.

Patologjia e segmentit

Si pasojë e stenozës së ureterit favorizohet staza urinare dhe kalkuloza.

Gurët në veshka, çfarë na rrezikon

1 Koment

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here