Onko-hematologjia pediatrike është shërbim kombëtar, unik, qendër e referencës nacionale, që mban përgjegjësinë për diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive onkologjike e hematologjike të moshës pediatrike në tërë vendin. Ky pavion herë pas here përballet me mungesa të medikamenteve që janë jetike për jetën e fëmijëve. Ndërkohë, kostoja e këtyre medikamenteve jashtë spitalit është tejet e lartë (pa përmendur faktin që medikamentet për përdorim spitalor nuk duhet të gjendjen në rrjetin e hapur farmaceutik).
Gazeta “Shëndeti Online” prej disa javësh po e monitoron këtë pavion dhe ka mundur të komunikojë me familjarë të fëmijëve që marrin shërbim aty (edhe pse gjatë kësaj periudhe, për shkak të pandemisë Covid-19, numri i fëmijëve të hospitalizuar është i ulët).
Një prind nga rrethet ka fëmijën të shtruar në pavionin e onkohematologjisë në pediatrinë e QSUT-së, të diagnostikuar me leucemi akute shprehet se ilaçet për kimioterapitë kushtojnë shtrenjtë. Prindërit janë të papunë dhe kanë edhe fëmijë të tjerë, kështu njëri prej tyre qëndron me fëmijën në spital, ndërsa tjetri qëndron kujdeset për fëmijët e tjerë që ka në shtëpi. Lekët për të blerë ilaçet e kimioterapisë i ka marrë borxh pasi kursimet e një jete i mbaroi.
“Për tetë muaj radhazi, i kam blerë ilaçet e kimioterapisë të gjitha. Nga ilaçi i parë deri tek i fundit i kam blerë me lekë”, shprehet prindi teksa liston barnat e blera: “Kam blerë Doxorubicin (ilaçi i kuq njihet mes prindërve), Metroteksat, Citozinë, Acid Folinik (Leucovorin). Doxoribuxina ka kushtuar 50 mijë lekë. Metroteksati kushton 15 mijë lekë flakoni. Për një seancë terapie unë kam blerë 17 copë flakon. 17x 15=255 mijë lekë të vjetra një séance. Fëmija ka bërë 4 seanca; Citozinat i kam blerë 90 mijë lekë një flakon, më janë dashur tre të tilla.
Ndër të tjera, prindi tregon që “medikamenti Metroteksat është akoma në mungesë, ndërsa citozinën kur e ka bërë, nuk e ka blerë, pasi ishte në gjendje në spital. Në mungesë është edhe acidi folinik i cili kushton 20 mijë lekë një flakon. 6-Mercaptopurina është në mungesë dhe nuk gjendet kollaj”. Fëmija duhet të bënte seancën e fundit me Metrotoksatin në 10-ditëshin e parë të shkurtit, por gjendja e tij u përkeqësua.
“Efektet anësore janë nga më të shumtat. Tani fëmija im është me hemorragji nga goja. Personeli i pavionit është shumë i mirë dhe shumë i kujdeshëm. Por minimumi këtu harxhohen 20-25 mijë lekë në ditë. Këtu ne kemi pasur edhe një rast kur një zonjë nuk ka pasur para për t’i blerë ilaçe të birit. Të githë si pavion i kemi blerë nga 5 flakonë për të bërë kimiot.
Këto ilaçe gjenden në farmacinë jashtë spitalit të QSUT-së përballë pediatrisë infektive. E gjithë procedura për të marrë medikamentet bëhet nëpërmjet celularit, ku merret farmacistja në telefon dhe i tregon se cfarë medikamenti të duhet, pasi ajo të jep konfirmimin që është shkon e merr. Ma jep faturën, por nuk shkruan mbishkrimin e medikamentit që marr. – tregon prindi.

