Bisedoi: Denisa Canameti
Festa Mjeshtri është pjesë e Administratës së Shëndetit Publik në Bulqizë prej 4 vitesh. Ka mbaruar studimet e larta për Infermieri dhe njihet si një person tepër aktiv e kontribuues në komunitetin ku jeton dhe ushtron profesionin e saj. Festa është vlerësuar me çmime të ndryshme në aktivitete promocionale, si: çmimi i parë nga Projekti “Health for all”, gjithashtu është dekoruar nga Urdhri i Infermierit të Shqipërisë si punonjëse shumë e mirë. Ajo shquhet për natyrën e saj pozitive dhe gëzon një respekt shumë të madh në qytetin ku jeton dhe punon. Në një intervistë për gazetën “Shëndet plus”, Festa tregon më shumë për veten e saj, përditshmërinë, punën në administratë, punën në terren me gratë e Bulqizës, dhe aktivitetet e shumta sensibilizuese që zhvillon, veçanërisht me gratë e zonës.
Festa, cili është formimi juaj, për çfarë keni studiuar?
Kam mbaruar studimet e larta për Infermieri. Kam bërë një sërë trajnimesh në fusha të ndryshme si: lidership, facilitator shëndeti, promocion shëndetësor, parandalim dhe mbajtja nën kontroll e hipertensionit në popullsinë e rritur, kam bërë gjithashtu trajnime në fushën e teknologjisë dhe informacionit. Lexoj shumë literaturë shkencore në fushën e mjekësisë.
Sa vite keni në administratën e Shëndetit Publik Bulqizë?
Punoj prej katër vitesh në Administratën e Shëndetit Publik Bulqizë. Kam marrë një eksperiencë shumë të mirë nëpërmjet trajnimeve të realizuara dhe moduleve të marra nga Instituti i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë etj.
Ka një respekt të shprehur për ju në komunitetin ku punoni? Qytetarët zakonisht shprehen të lodhur me njerëzit e administratës, por krejt e kundërta ndodh me ju…
Respekti është i ndërsjellë. Të fitosh respektin e qytetarëve nuk është e lehtë. Besoj se e kam arritur nëpërmjet punës që unë bëj. Përfshihem në realizimin e shumë aktiviteteve që kanë ndjeshmëri në komunitet, sidomos kam punuar me nxënës dhe gra.
Edhe në takimet me njerëzit, përpiqem t’i dëgjoj me vëmendje dhe i kuptoj nevojat e përditshme. Kur flas me ta, kuptoj se çfarë është bërë dhe çfarë duhet të bëhet, fitoj besimin e tyre. Administrata ku unë punoj është e përkushtuar ndaj punës, kam raporte të mira me ta, ku secili shfaq mendimet e veta për t’u shërbyer njerëzve. Kam kuptuar se puna me njerëzit është detyrim nëse do që të krijosh një kulturë pune. Komunikimi i drejtpërdrejtë, është indikatori më i mirë për mua, pasi kështu edhe unë mund t’u përgjigjem në nivelin e duhur profesional, kërkesave të tyre. Vlerësimi që marr dhe opinionet pozitive janë një nxitje që unë t’u përkushtohem më shumë qytetarëve dhe të rris cilësisë e shërbimeve të ofruara.
Cilat janë disa nga aktivitetet që ju keni iniciuar në qytetin tuaj?
Në fokusin e punës time kanë qenë dhe aktivitetet, duke krijuar një përvojë shumë të mirë. Jam aktive në realizimin e aktiviteteve me pjesëmarrje të gjerë nga komuniteti. Kam këmbëngulur për të kurorëzuar me sukses aktivitete sensibilizuese të tilla, si: “Kanceri i qafës së mitrës” në Bulqizë me gratë e rrethit, “Kanceri i gjirit” me gratë dhe vajza nga komuniteti, aktivitete për diabetin dhe hipertensionin në zonën e Ostrenit, gjithashtu aktivitete si, “Të mbrojmë individët nga rreziqet mbi shëndetin”, “Përmirësimi i stilit të jetesës”, “Parandalimi i duhanit dhe i drogave”, “Pirja në moshat e reja”, bashkëbisedim me psikologët e shkollave “Në mbrojtje të fëmijëve në shkollë”.
Këmbëngulni të bëni organizime me gratë, sidomos ato të dhunuarat. Sa e vështirë është në një terren të tillë, në Bulqizë?
Gruaja është ajo që mban barrën e rëndë të punëve në familje. Është ajo për të cilën e gjithë shoqëria duhet të tregojë një kujdes të veçantë për vetë rolin e saj. Përpiqem të jem pranë grave dhe vajzave për gjallërimin e jetës së tyre, nëpërmjet takimeve, bisedave, diskutimeve, takimeve me gratë nëpër lagje për tema të ndryshme, “Si të mbajmë komunitetin pastër”, “Gruaja si vlerë në shoqëri”, gatime tradicionale të zonës së Bulqizës, Shupenzës, Gjoricës etj., vajzat krijuese, ekspozitë e punimeve më dorë etj. Këto aktivitete, kanë bërë që unë të njoh problemet e tyre. Nuk është se ka ndonjë armik sekret që tërheq këmbëzën e armës. Janë meshkujt, madje ka shumë prej tyre që ushtrojnë dhunë ndaj gruas, motrave, vajzave. Mund të them që është një plagë, një fenomen që duhet parandaluar. Dhuna duhet të luftohet çdo ditë dhe jo me fushata, pasi rastet e dhunës në shumicën e rasteve nuk raportohen nga gratë dhe vajzat, kalohen në heshtje ose u fshihen autoriteteve. Nuk mungojnë rastet ekstreme nga xhelozia, nga bashkëshortët në gjendje të dehur, mentaliteti mashkullor, gjendja e rëndë ekonomike, veset e këqija si bixhozi.
Çdo femër ka ëndërr në jetë që të rritet e ndërtojë familjen e saj, por bie në kundërshtim me realitetin e egër që të kërcënon.
Nëse një grua denoncon në polici rastin e saj, të tjerët vazhdojnë me vesh të shurdhët dhe asgjë nuk ndryshon. Qëllimi i punës sime është që të aktivizojmë qytetarët kundër dhunës ndaj gruas. Aktivitetet i zhvillojmë në qendra të ndryshme shëndetësore, ambiente shkollore. Qëllimi është jo vetëm t’i sensibilizojmë dhe ndërgjegjësojmë gratë për të mos pranuar dhunën si pjesë normale të jetës së tyre, por t’i inkurajojmë gratë dhe vajzat për të denoncuar dhunën.
Qëllimi i takimeve është të rrisë shkallën e informimit mbi ligjet. Ndërgjegjësimi i viktimave të dhunës për të denoncuar çdo shkelje të të drejtave të tyre dhe për të kërkuar mbrojtje sipas ligjit. Përvoja e përfituar do të jetë një mundësi në të ardhmen për sfida të reja kundër dhunës në familje. Do të ngremë grupet e punës në bashkëpunim lokal (gratë dhe të rinjtë) OJF, zyrat e barazisë gjinore në Bashki, drejtoritë e shkollave. Do të organizojmë tryeza për vlerësimin e situatës më pjesëmarrjen e partnerëve lokal, të rinjtë, shoqëria civile, komuniteti, institucionet shtetërore të angazhuar për zbatimin e ligjit kundër dhunës ne familje, shpërndarja e mesazheve kundër dhunës . “Vetëm ligjet nuk mund ta ndalojnë, kurse të gjithë bashkë, po”.
Gjithë këto aktivitete, puna juaj gjithashtu në DSHP, si arrini ta organizoni kohën tuaj?
Jam ambicioze dhe çdo gjë mundohem ta organizoj më së miri. Mundohem të planifikoj kohën për aktivitete të ndryshme. Punë me të rinjtë, aktivitete sensibilizuese me vajza e gra, sipas një agjende të hartuar.
Si person me influencë pozitive në qytetin tuaj, për çfarë mendoni se kanë më shumë nevojë ata?
Njeriu interesohet gjithnjë e më shumë për të gjetur qëndrueshmëri dhe mbrojtje të sigurt.
Komuniteti im ka nevojë për shërbimet shëndetësore, punë të sigurt, të jenë më aktiv në përgjithësi në sens komuniteti, informim rreth sëmundshmërisë, arritja e kontrollit mbi shëndetin, arritja e një mirëqenie të plotë fizike, parandalimi i sëmundjeve dhe promocioni shëndetësor etj.