Elona Tereziu, “Shëndet+”
Festivali i Ideve Rinore, eventi më i madh kushtuar dijes dhe kreativitet të rinjve, do të mbahet më datat 23-24 maj, në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar, ku do të jenë të ftuar personalitete nga fusha të ndryshme të kulturës, artit dhe politikës.
Ky aktivitet organizohet nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, si dhe partneriteteve të ndryshme me të cilët synohet të promovohet dija, kreativiteti dhe produktiviteti i të rinjve në forma që integrojnë aftësitë dhe kompetencat e fituara përmes edukimit formal dhe informal për një zhvillim të qëndrueshëm lokal.
Në këtë aktivitet, përveç workshopeve, konferencave dhe debateve me tematika të ndryshme, do të ketë edhe stenda promocionale ku të rinjtë mund të ekspozojnë punimet e tyre eksperimentale, ndërkohë që pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të eksplorojnë gjëra të reja rekreative dhe argëtuese, si dhe të shijojnë vallet dhe lojërat e ndryshme në pjesën e jashtme të muzeut.
Lorena Bushi, pjesë e stafit organizues të Festivalit të Ideve, flet lidhur me këtë aktivitet, ku shpjegon në mënyrë të detajuar mbarëvajtjen e Konkursit të Ideve Rinore, pjesë e Festivalit.
Çfarë është Konkursi i Ideve Rinore?
Konkursi i ideve novatore për të rinj është një konkurs ku mund të marrin pjesë të gjithë nxënësit e shkollave të mesme publike dhe private të Shqipërisë. Ky konkurs ka si qëllim të nxisë nxënësit, mësuesit, prindërit dhe komunitetin përreth në dhënien e ideve dhe kontributeve të tyre lidhur me aktivitetet, nismat dhe projektet që mund të ndërrmerren nga ana e shkollës, për ta shndërruar atë në një qendër të vërtetë zhvillimi për komunitetin.
Si mund të aplikojnë të rinjtë në këtë konkurs?
Aplikimi ishte i hapur deri në 15 maj, të gjithë të interesuarit kanë plotësuar formularin e aplikimit në fushat ku ata ishin të fokusuar, dhe më pas e kanë dërguar atë në adresën tonë të e-mailit.
Gjithsej ka pasur 6 fusha aplikimi:
1.Klubi i të rinjve Sipërmarrës, ku të rinjtë mund promovonin, Sipërmarrjen Konkurruese dhe novatore)
2.Klubi i Inovacionit, ku nxënësit mund të shprehnin ide inovative që përmirësojnë jetën e përditshme.
3.Klubi i Kreativitetit, këtu përfshihen ide që promovojnë qytetin nën moton“Qyteti im“ me forma dhe mjete kreative.
4.Klubi Rinisë Aktive, me Ide që promovojnë Aktivizmin Rinor në: sensibilizim publik, të drejtat e njeriut, kohezion social etj.
5.Klubi Sportit dhe Rekrecionit, me ide që promovojnë “Qytetin Miqësor“ përmes promovimit të një stili jetese të shëndetëshëm.
6.Klubi Nxënësve Konkurrues, me ide dhe projekte konkurruese të nxënësve të gjimnazeve të ndryshme në kuadrin e lëndëve: fizikë, matematikë, kimi, biologji etj.
Do të doja të theksoja interesin e madh që ka pasur gjatë periudhës së aplikimit nga të rinj, prindër, mësues dhe grupe nxënësish të gjimnazeve të ndryshme.
Bëhet fjalë vetëm për gjimnazet publike apo edhe ato private?
Jo, konkurrimi ka qenë i hapur si për gjimnazet publike, ashtu edhe ato private.
Sa shkolla marrin pjesë?
Ky konkurs ka qenë i hapur për të gjithë nxënësit dhe mësuesit e shkollave të mesme publike dhe private të të gjithë Shqipërisë.
Ka pasur ndonjë kriter aplikimi?
Jo, mjafton të ishin gjimnazistë, ky është i vetmi kriter.
Si do të përzgjidhen fituesit dhe sa çmime do të ketë?
Pas mbylljes së aplikimeve, është ngritur një komision me përfaqësues nga Ministria e Arsimit, AIPA ( Instituti Shqiptar për Çështjet Publike), Universiteti Marin Barleti dhe DAR (Drejtoria Arsimore Rajonale). Brenda kësaj jave do të përzgjidhen idetë më të mira të cilat do të shpallen fituese gjatë Festivalit të Ideve Rinore.
Aplikues për konkursin e ideve rinore ka pasur shumë, por do të ketë vetëm 18 çmime/fitues, ku do të jepen 3 çmime për secilën kategori.



