Fier/ 2279 banorët e Marinzës furnizohen me ujë me përmbajtje të lartë fekale

Edmond Hoxhaj, gazeta “Shëndet+”

Uji i rrjetit të ujësjellësit në fshatin Marinzë të Bashkisë Roskovec rezulton të ketë një ndotje të lartë me origjinë fekale, duke rrezikuar kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë shëndetin e rreth 2279 banorëve. Ky fakt është konstatuar prej institucioneve përgjegjëse që prej prillit të vitit 2015, por ndotja e ujit me baktere me origjinë fekale në rrjetin e ujësjellësit në fshatin Marinëz ka qenë edhe më e lartë një vit më pas, kur janë rikryer analizat për aspektin mikrobiologjik në puset e shpimit prej nga furnizohen me ujë të pijshëm banorët e Marinzës.

Ndotja

Sipas të dhënave të siguruara nga gazeta “Shëndeti +” rreth analizave të kryera për aspektin mikrobiologjik nga Instituti i Shëndetit Publik(ISHP) në zonën e Marinzës në prill të viteve 2015 dhe 2016, është konstatuar se ky ujë është i papërdorshëm. Lidhur me cilësinë e ujit të pijshëm në Marinzë të rrethit të Fierit, në situatën emergjente të krijuar në këtë zonë pas shpërthimit të pusit të naftës në 1 prill 2015, më datë 27 të po atij muaji, ISHP ka kryer analizat e mostrave të ujit për treguesit mikrobiologjikë, kryesisht për treguesit me origjinë fekale, për burimet ujore, Pus-shpimi nr.1 dhe pus-shpimi Nr.2, ku nuk është konstatuar prania e ndotjes. Por, ndotje mikrobiologjike është konstatuar në mostrën e ujit të marrë në rrjetin ujësjellës, çka, sipas ISHP-së, flet për probleme në rrjetin ujësjellës si defekte të tij etj.

Gjithashtu, nga analizat nuk është vërejtur prania e klorit residual në rrjetin ujësjellës. ISHP ka konkluduar se nevojitet miratimi i rregullores higjieno-sanitare për kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm, projektimin ndërtimin dhe mbikëqyrjen e sistemeve të furnizimit me ujë të pijshëm. Nga rezultatet analitike të ISHP-së, ka rezultuar se uji i ujësjellësit të Marinzës nuk mund të përdoret për furnizim publik, pirje, përgatitje ushqimesh apo higjienë personale, por vetëm për përdorim komunal, deri në përmbushjen e kërkesave të cilësisë së ujit sipas legjislacionit shqiptar dhe rekomandimeve të BE-së.

Gjithashtu është konstatuar se në burime mungojnë brezat sanitarë dhe mungon sistemi i klorinimit për arritjen e dezinfektimit të sigurt të ujit të pijshëm. Ndërkohë, ISHP ka kryer analiza në këtë rrjet të ujësjellësit të Marinzës edhe një vit më pas, prej nga rezulton të ketë pasur një rritje të ndotjes. Sipas të dhënave të siguruara nga gazeta “Shëndet+” mbi cilësinë e ujit të pijshëm në pus-shpimin nr.1, pus-shpimin nr.2, Marinzë dhe në pus-shpimin “Qafa e Stefanit” Kuman, më datë 04.02.2016, ka pasur ndotje të lartë me origjinë fekale. Kështu, në të tri mostrat e marra në: pus shpimi “Qafa e Stefanit”, Kuman, pus-shpimi Nr.1, Marinzë, pus-shpimi nr.2 Marinzë dhe të analizuara në laboratorët e ISHP-së për aspektin mikrobiologjik, rezulton se të tre mostrat e ujit të analizuara rezultojnë me ndotje të lartë bakteriale me origjinë fekale.

Pusi tek “Qafa e Stefanit” dhe pusi.nr.1 Marinzë rezultojnë me koliformë totalë dhe koliformë fekale në vlera të larta, ndërsa pusi nr.2 në Marinzë rezulton me ndotje shumë të lartë bakteriale me origjinë fekale me praninë e koliformë fekalë dhe Str.Fekal në nivele shumë të larta, ndërsa koliformët totalë në krahasim me dy mostrat e tjera rezultojnë rreth 10 herë më të larta. Nga analizat e kryera mbi cilësinë e ujit të pijshëm burimi artezian “Qafa e Stefanit”, Kuman dhe pus-shpimi “Qafa e Stefanit”, Kuman, më datë 13 Qershor 2016, për aspektin mikrobiologjik, ka rezultuar se konstatohet prania e ndotjes bakteriale me origjinë fekale, me praninë e koliformëve fekale në ujin e pus-shpimit. Ndërsa koliformët totalë konstatohen në vlera të larta krahasuar me standardin. Vetëm në analizat e kryera nga ISHP mbi cilësinë e ujit të pijshëm në Jagodinë-Roskovec, të rrethit Fier, më datë 13 Korrik 2016, nuk janë konstatuar prania e treguesve mikrobiologjikë si, koliformë totalë, E.Coli Fekal, Streptokoku Fekal dhe Clostridium Perifringens. Në këto kushte, ISHP ka rekomanduar që uji i rrjetit të ujësjellësit në Marinzë të përdoret vetëm për përdorim komunal dhe jo si ujë i pijshëm apo për përdorim vetjak.

Banorët

Kryetar i Shoqatës së Mbrojtjes së të Drejtave të Banorëve të Marinzës, Nikollaq Deliu, e ka cilësuar si një fatkeqësi faktin se gjithë banorët e këtij fshati jetojnë në varfëri të madhe, edhe pse gjenden mbi një pasuri të paçmuar.

Ky është fshati më i pasur në Evropë, pasi ndodhet fusha naftëmbajtëse e Patos-Marinzës. Kjo tokë kaq e pasur, me këta banorë kaq të varfër që vuajnë edhe për pikën e ujit të pijshëm. Po t’i referohemi ujit të pijshëm, që është jeta e banorëve, sot mund të ketë edhe banorë që mund ta përdorin ujin e rrjetit të ujësjellësit pasi s’kanë ku të shkojnë, se nuk kanë të ardhura ta blejnë ujin e pijshëm. Nëse do të analizohet ky ujë, nuk e di nëse do të dalë ose jo edhe për t’u larë. Nuk na japin asnjë dokument dhe nuk na tregojnë se si është situata. Banorët konsumojnë për të pirë ujë që e blejnë nga autobotet”, pohon Nikollaqi, i cili shpjegon se si funksionojnë puset prej nga furnizohen banorët.

“Këtu jemi pranë godinës, brenda së cilës ndodhet pusi nr.2 që është bërë në vitin 1984 në funksion të tufëzimit të lopëve të asaj kohe. Brenda është pompa që pompon ujin. Kjo përbri është stalla e tufëzimit, e cila mbijeton edhe sot e kësaj dite. Po t’i referohemi kësaj godine me këtë tubacion, ky është tubacioni që shpërndan ujin e pijshëm për banorët e Marinzës. Ky pus nuk është pastruar asnjëherë qysh nga viti 1984 dhe, nga ajo kohë që e përdornin lopët, sot po e përdorin për banorët. Ky është një krim që nuk mund t’u bëhet këtyre banorëve që jetojnë në vendin më të pasur të Evropës”, përfundon Nikollaqi.

Edhe banorë të tjerë janë ankuar për cilësinë e ujit të rrjetit të ujësjellësit në Marinzë.

“Ujin e rrjetit të ujësjellësit e përdorim vetëm për përdorim komunal. Për dushin dhe për të larë rrobat përdorim ujin e shiut dhe të disa burimeve të tjera alternative, të cilat kanë vetëm ndotje toksike, squfur apo lëndë të tjera kimike. Ndërsa ujin që pimë e blejmë. Pas shpërthimit të pusit të naftës, në prill të vitit 2015, na kanë furnizuar për një vit me ujë të pijshëm. Por, ka një vit e gjysmë që nuk na furnizojnë më, edhe pse në ambulancë na thonë se uji i rrjetit të ujësjellësit është i papijshëm. Nëse gjendja është e njëjtë, përse për një vit na furnizuan me ujë dhe tani jo? Duhet të merren masa të menjëhershme se është situatë e rëndë”, thekson Enver Nurka, një banor i Marinzës.

Edhe një i ri, banor i po këtij fshati, Edurat Hazizaj, pohon se kanë marrë njoftim se uji ka përmbajtje bakteriologjike.

“Ujin e ujësjellësit e përdorim vetëm për përdorim komunal. Arsyeja pasi është me shumëllojshmëri bakteriale. Na i kanë komunikuar kur plasi pusi i Prillit, vendosën letra dhe njoftime. Ajo gjendje vazhdon të jetë në të gjithë puset e zonës së Marinzës. Lidhur me këtë situatë nuk kemi ku ankohemi pasi nuk të dëgjon askush”, ka theksuar ai.

Shëndeti publik

Burime zyrtare nga Drejtoria e Shëndetit Publik Fier janë shprehur për gazetën “Shëndet+” se lidhur me këtë situatë është kryer një punë e vazhdueshme.

“Pas shpërthimit u ngrit një grup pune nga Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë Fier, ku çdo sektor mbulonte pjesën e tij. Janë kryer analiza të vazhdueshme të ujit dhe rrjetit të ujësjellësit në Marinzë. Në momentin që u konstatua që uji ishte jo konform standardit shtetëror, u bë mbyllja e pusit nr.1; nr.2 dhe nr.3. Pusi nr.3 u mbyll definitivisht, ndërsa për dy të tjerët u la detyrë përgjegjësve të ujësjellësit që ta lejonin vetëm për përdorim komunal. Rekomandimet nga ana jonë ju lanë përgjegjësve të puseve që të bëhej klorifikimi i puseve në mënyrë të rregullt. Për puset familjare ju rekomandua banorëve të këtij fshati që ta përdornin vetëm për përdorim komunal. U morën masa që banorët e Marinzës të furnizoheshin me ujë të pijshëm me autobote nga burime që përdoren për përdorim vetjak e ujë të pijshëm. Gjithashtu u krye një fushatë ndërgjegjësuese dhe iu rekomandua institucioneve përkatëse që të merrnin masa për normalizimin e situatës”, u shpreh burimi zyrtar i DRSHP Fier.

Ujësjellësi

Administratori i Ujësjellës-Kanalzimeve Roskovec, Admirand Stani, gjatë një komunikimi telefonik ka shpjeguar për gazetën “Shëndet+” situatën e rrjetit të ujësjellësit në zonën e Mariznës dhe ka sqaruar se është planifikuar ndërtimi i ujësjellësit të ri.

“Ujësjellësi i Roskovecit është krijuar në shtator të vitit 2016. Jemi njohur me situatën dhe problematikat e rrjetit të ujësjellësit në Marinzë dhe gjendjen e tij të amortizuar. Gjysma e popullsisë furnizohet nga puset e “Qafës së Stefanit”, ndërsa një pjesë e banorëve furnizohet nga pusi në Jagodinë. Jemi duke marrë masat për ndërtimin e ujësjellësit të ri për Marinzën. Më datë 20 shtator do të kryhet edhe tenderimi dhe pritet që në tetor të nisë puna për ndërtimin e ujësjellësit. Nuk jemi njoftuar nga DSHP apo institucione të tjera se uji i ujësjellësit aktual të Marinzës të jetë i ndotur me këto lloj bakteresh”, pohon administratori i Ujësjellës Kanalizimeve Roskovec, Admirand Stani.

Ndërkohë, nënkryetari i Bashkisë Roskovec, Isa Hoxha, ka shtuar se pas shpërthimit të fontanës në vitin 2015, kur janë shfaqur problemet, nga pushteti vendor dhe nga Bashkia Roskovec është zhvilluar fushatë sensibilizimi ku janë njoftuar qytetarët se uji i rrjetit kishte probleme.

“Qytetarët janë informuar se uji nuk mund të pihet”, theksoi ai./ Shendeti.com.al

 

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën