Kryefaqja Aktualitet Fitnesi i tregon “muskujt” Covid-19

Fitnesi i tregon “muskujt” Covid-19

0
Shpërndaje

Viti 2020 shënoi një kthesë të menjëhershme për shumë biznese, ndër të cilat industria e fitnesit pati ndikim negativ. Njëkohësisht, në mes të karantinës, lindën modelet e reja të stërvitjes alternative. Ndërsa gjithçka nisi t’i rikthehej normalitetit, kërkesat e fokusuara në mirëqenie, duke përfshirë palestrat, dietat e personalizuara dhe kujdesi vetjak, kanë shënuar bum.

Ndërsa disa e kaluan vitin e pandemisë duke u fokusuar tek ushqimet e shëndetshme ose duke u ushtruar fizikisht në shtëpi për orë të tëra, shumë të tjerë menaxhuan ankthin dhe mërzinë me ushqime më pak të shëndetshme. Ata qëndruan të ulur në divane, të veshur me pizhame, duke ngrënë më ‘keq’ se kurrë.

Kjo ndikoi te shëndeti i shumë njerëzve, të cilët iu drejtuan specialistëve, me qëllim përmirësimin e shëndetit. Qoftë me dieta të personalizuara, për të qenë të shëndetshëm në kuadër të të luftuarit të Covid, ashtu sikurse u rritën kërkesat për ushtrime fizike.

Gjatë pandemisë, programet e ushtrimit online shënuan një bum – transformimi dixhital preku edhe sektorin e fitnesit. Stërvitja, nëpër palestra iu kthye normalitetit në 2021, pas më shumë se një vit mbylljeje.

Viti i pandemisë në Shqipëri u tregoi “muskujt” palestrave dhe, përveç ngarkesës psikologjike, njerëzit u kthyen në pasivitet pothuajse të plotë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i subjekteve në aktivitete sportive, argëtuese dhe çlodhëse ra me 5% në 2020-n, në raport me vitin e mëparshëm.

Pas pandemisë, palestrat patën një moment kulmor të aktivitetit, sipas operatorëve të tregut, gjë që lidhet me dy shkaqe. Njëri është mbyllja dhe çlirimi psikologjik i stresit post-pandemik, tjetri, para sezonit të plazhit. Megjithatë, edhe në shtator, kërkesat kanë qenë në rritje. Por a është rikthimi në palestër si dikur apo nën një normalitet të ri?

Përdorimi i ambienteve të përbashkëta siç janë dushet, janë pjesa disi më delikate, ndaj instruktorët e palestrave rekomandojnë që ato të shmangen sa më shumë të jetë e mundur. Periudha e karantinës i detyroi qytetarët të qëndronin brenda për rreth tre muaj, për rrjedhojë nuk mund të ushtronin aktivitet fizik dhe nga ana tjetër, shtuan konsumin e ushqimeve të ndryshme. Sipas instruktorit të një prej palestrave në kryeqytet, “New Limit”, ushqimi është një pjesë e rëndësishme e aktivitetit fizik që duhet të ndërmarrin.

“Përveç aktivitetit fizik, duhet patjetër edhe kujdes i madh me ushqimin, duhet t’i kthehemi realitetit gradualisht. Duke bërë sa më shumë aktivitet fizik. Duke qenë se palestra është e hapur 24 orë, ne do mundohemi të shmangim edhe fluksin. Këshilloj sa më shumë aktivitet fizik në natyrë, apo palestër, të kenë sa më shumë kujdes me ushqimin që t’u kthehet ajo energji që kanë pasur përpara pandemisë”, – thotë Andi.

Sipas bilanceve të kompanisë Blerina Diet, gjatë vitit 2020 ka pasur një rritje prej 6.5% të aktivitetit, krahasuar me një vit më parë.

Palestra

Industria e fitnesit mund të dëshmojë një rritje të kërkesës globalisht. Pavarësisht nga koronavirusi, që kufizon kapacitetin e palestrës dhe i mbajti mbyllur për më shumë se një vit, raportohet një rritje në anëtarësime pas qershorit, që përkoi me një bum kërkesash para sezonit veror. Por jo vetëm palestrat fizike, edhe kërkesa për modele stërvitjeje online është rritur në të gjithë muajt.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për qëllimin e trupit në bikini. Covid-19 i ka shtyrë njerëzit të mendojnë për shëndetin në mënyrë më të përgjegjshme”- raportohet nga instruktorët e palestrës “New Limit”.

Ata pohojnë se shtatori është në rrugën e duhur për të përmbushur një rritje prej 30% krahasuar me vitin 2019. Sipas tyre, rreth 50% e rezervimeve janë për palestër tradicionale, 30% për joga, pasi më shumë klientë kërkojnë klasa të fokusuara në ndërgjegjësimin, dhe pjesa tjetër për programe më intensive si crossfit, box etj. “Përveç mirëqenies fizike, aftësia emocionale, mendore dhe shpirtërore është bërë një përparësi më e madhe.”

Njerëzit kanë ndryshuar mënyrën e ushtrimit gjatë pandemisë së koronavirusit, duke iu drejtuar aktiviteteve në natyrë si biçikleta dhe vrapimi, si dhe pajisjet e palestrës në shtëpi. Ndryshimi, që pritet të vazhdojë shumë kohë pasi të ketë përfunduar pandemia, ka krijuar mundësi të reja për kompanitë që mbështeten në biznesin e fitnesit. Një dyqan me pakicë i mjeteve sportive në Komunën e Parisit ka raportuar një rritje me 20% të shitjeve të pajisjeve të tyre nga 2020 dhe këtë vit. Duke nisur nga peshat e vogla, topat dhe llastiqet dhe deri te pistat e vrapimit e biçikletat, kërkesat kanë qenë të shumta për ushtrimin në shtëpi.

Industria e fitnesit ka parë një ndryshim të madh vitin e kaluar, pasi pandemia preku rutinën e njerëzve dhe nxori në pah nevojën për të investuar në mirëqenie. Si rezultat i këtyre ndryshimeve, shumë iu drejtuan fitnesit si një mënyrë për t’u “karikuar”. Në fakt, sipas një sondazhi botëror nga Gympass, 42.8% e njerëzve thanë se aktiviteti fizik ishte gjëja më me ndikim për t’u kujdesur për mirëqenien mendore gjatë pandemisë. Ndërsa kalimi përsëri në “normalitet” vazhdon, shumica e njerëzve janë të lumtur që janë rikthyer personalisht në palestra.

“Fitnesi, në thelbin e tij, ka të bëjë me komunitetin, dhe vitin e kaluar na shtyu të mësojmë se si të lidhemi dhe të stërvitemi në një mënyrë të re përmes stërvitjeve virtuale. Ndërsa kjo mund të ketë marrë hov gjatë gjithë pandemisë, shumë njerëz janë të etur të kthehen dhe të angazhohen në mënyrë të sigurt në stërvitje personale” – tha drejtuesi i palestrës “BodyCode” në Tiranë. “Ne kemi parë drejtpërdrejt rritjen e kërkesës kur vendi filloi të rihapet ngadalë. Fitnesi është një mënyrë e mirë për të investuar në mirëqenien e përgjithshme dhe unë besoj fort se, nëse lëvizni trupin tuaj për pesë minuta ose pesëdhjetë, do të ketë ndikim pozitiv dhe do t’ju bëjë të ndiheni mirë” – thonë instruktorët pranë kësaj palestre.

Ndërsa njerëzit vazhdojnë të përshtatin rutinën e tyre të fitnesit me gjendjen në ndryshim të pandemisë, ekziston edhe dëshira që punëdhënësit të luajnë një rol në mbështetjen e mirëqenies së përgjithshme. Duke qenë se palestra është e rëndësishme jo vetëm për shëndetin e njerëzve, por për produktivitetin e përgjithshëm, është thelbësore që punëdhënësit të investojnë në mjetet dhe burimet e duhura për punonjësit.

Një model hibrid

“Në formë me Aulonën” përkoi me nisjen e pandemisë dhe Aulona Musta, tashmë trajnere fituesi, thotë për “Monitor” se, ky model u përqafua gjerësisht nga gratë shqiptare.

“Nisi në janar të 2020-s, ku web dhe programet u prezantuan në fund të këtij muaji kurse në fillim të marsit, nisi karantina. Kjo ndikoi pozitivisht në këtë model biznesi, duke qenë se palestrat u mbyllën, njerëzit po ashtu, nuk kishin mundësi të stërviteshin, dhe për këtë arsye iu drejtuan këtij modeli alternativ, që deri më atëherë kishte qenë i stigmatizuar për shkak se mendohej se nuk kishte efekte. Edhe lëvizja e kufizuar dhe të ngrënët më shumë, i shtyu drejt këtij modeli.

Kërkesa ishte shumë e lartë muajt e parë dhe u krijua një lloj rehatie te njerëzit, të cilët nuk u rikthyen më në palestra pasi u rihapën (ata që u rikthyen ishin të paktë në numër). Targeti kryesor janë vajzat e gratë dhe grupmosha që ka kërkesat më të larta është 18-60 vjeç. Ushqimi ka qenë në kërkesë të lartë dhe për këtë kemi ofruar edhe dietën e personalizuar në bashkëpunim edhe me operatorë që bëjnë kateringun dhe programi zgjat 8 javë”- thotë Aulona.

Sipas saj, mundësitë që të jep palestra janë më të shumta. Por kur vjen puna për të humbur peshë, nuk ka rëndësi nëse jemi në palestër apo në shtëpi, rezultatet arrihen edhe në këtë model stërvitje, pa shumë mjete/vegla. Ajo shton se, targeti më i madh janë nënat e reja me fëmijë të vegjël.

Sipas studimeve të ndryshme botërore, lehtësia dhe fleksibiliteti i fitnesit në internet nuk mund të shpërfillen më, pasi njerëzit përpiqen të mbajnë nivelet e aktivitetit fizik në rutinë, edhe pse kthehen në zyrë, me orar të plotë ose me kohë të pjesshme.

Modelet e reja

-Aktiv për jetën: 89% e të anketuarve besojnë se do të qëndrojnë po aq aktivë apo edhe më aktivë, edhe pasi të kthehen në zyrë, duke treguar se kthimi në detyrë do të përkojë me një rritje të aktivitetit fizik.

-E ardhmja hibride: Gjatë 6 muajve të ardhshëm, 41.8% thonë se regjimi i tyre i fitnesit do të jetë personal, ndërsa 20.9% pohojnë se do të bëjnë një hibrid virtual dhe personal.

-Aktivitetit i lartë: Ndërsa shumica e njerëzve (33.1%) shpenzojnë 1-2 orë në javë në rutinën e tyre të fitnesit, shumica (67.1%) do të donin të kalonin më shumë kohë në rutinën e fitnesit

Shifra botërore

-Më shumë se 38,000 palestra janë mbyllur për shkak të virusit që nga maji i vitit 2020.

-23.9% e anëtarëve të palestrës amerikane raportojnë se palestra e tyre është ende e mbyllur që nga gushti 2020.

-50% e vendndodhjes së Gold’sGym planifikojnë të mbyllen përgjithmonë (pa përfshirë ekskluzivitetet) dhe pjesa tjetër shpresojnë të rihapen në shtator

Të ardhurat e ClassPassInc. u ulën me 95% në prill, duke e çuar kompaninë të pushojë 50% të fuqisë punëtore të saj.

Humbja e punës në industrinë e fitnesit gjatë pandemisë

– 500,000 punonjës të industrisë së palestrave janë pushuar nga puna për shkak të COVID

-58% e trajnerëve humbën disa ose të gjitha të ardhurat

-83% e trajnerëve thonë se do të punojnë kryesisht online pas pandemisë.

Ndikimi i COVID-19 në anëtarësimet në palestër

-60% e amerikanëve planifikojnë të anulojnë anëtarësimet

-59% e amerikanëve nuk planifikojnë të rinovojnë anëtarësimet e tyre në palestër pas COVID

-59.06% e anëtarëve të palestrës po mendojnë të anulojnë ose kanë anuluar anëtarësimet e tyre

Qëndrimet e anëtarëve ndaj kthimit në palestra

-25% e amerikanëve nuk planifikojnë të kthehen në palestër

-Në një sondazh të Morning Consult, vetëm 20% e amerikanëve ndihen rehat të shkojnë në palestër që nga korriku

-Në prill 2020, 68% e amerikanëve deklaruan se kanë shumë më pak gjasa të kthehen në palestër bazuar në atë që dinë për COVID-19

Në prill 2020, 18% e amerikanëve deklaruan se nuk po parashikojnë të kthehen në palestër ose klasa stërvitore, për të paktën 6 muajt e ardhshëm

Rritja e fituesit dixhital dhe në shtëpi

-40% e të anketuarve u ushtruan në shtëpi për herë të parë për shkak të COVID-19

-Gjatë karantinës, 74% e amerikanëve përdorën të paktën një aplikacion palestër

Midis T1 dhe T2 të vitit 2020, në fillimin e pandemisë, shkarkimet e aplikacioneve të fitnesit në shtëpi u rritën globalisht me 46%

Peloton vlerësohet të bëjë rreth 1.8 miliardë dollarë shitje për vitin 2020

Investimi në pajisje në shtëpi

-Mesatarisht 95.79 dollarë janë investuar nga amerikanët për palestër në shtëpi në tre muajt e fundit

-Tapetat e jogës, brezat e rezistencës dhe shtangat janë pajisjet kryesore të fitnesit në të cilat investojnë njerëzit gjatë pandemisë

-25% e amerikanëve blenë një biçikletë stërvitje

-60% e anëtarëve të palestrës shijuan stërvitjet e tyre në shtëpi deri në pikën ku ata planifikojnë të anulojnë anëtarësimet e tyre në palestër

Ndikimi i COVID-19 në sjelljen e stërvitjes

Ka pasur një rritje mesatare 88% të stërvitjes për njerëzit që normalisht ushtrohen 1-2 herë në javë

-Në një sondazh, 37% nga një mijë përdorues të klubeve të fitnesit deklarojnë se do të ushtrohen më shumë pas COVID. Mbi 50% thanë se kjo është për shkak të “vlerësimit të tyre të përtërirë për shëndetin dhe mirëqenien e tyre”

-50% e amerikanëve thonë se janë më pak aktivë gjatë mbylljeve të lidhura me pandeminë

-65% e të anketuarve raportojnë se të punosh vetëm në shtëpi gjatë bllokimit rriti besimin e tyre

-60% e burrave thanë se arsyeja e tyre kryesore për t’u stërvitur gjatë pandemisë ishte për shëndetin e tyre mendor

-Reduktimi i mërzisë (52%) ishte arsyeja kryesore pse gratë po punojnë gjatë pandemisë
Burimi: Statista

Një mini-lulëzim në industrinë e fitnesit po shkaktohet nga konsumatorët e lodhur nga COVID, të cilët kanë humbur ndërveprimin shoqëror dhe motivimin nga klasat personale. Mirëqenia mendore po bëhet po aq e rëndësishme sa fitnesi fizik, duke gjykuar nga rritja e shkarkimeve të aplikacioneve të meditimit. Veshjet sportive, të cilat ishin në rënie para krizës, kanë shijuar një nxitje të nxitur nga pandemia, në mes të bumit të punës në distancë.

80% e shqiptarëve nuk bëjnë aktivitet fizik

Vrapi, ecja në natyrë apo ushtrime të tjera fizike, që shtojnë aktivitetin e frymëmarrjes dhe ritmin e zemrës janë një sport i jo aq i preferuar për pjesën më të madhe të shqiptarëve, ndryshe nga vendet e tjera të Europës.

Sipas shifrave të Eurostat dhe të INSTAT, të përpunuara nga Monitor më parë, rezulton se femrat dhe meshkujt shqiptarë kanë përqindjen më të lartë të mungesës së aktivitetit fizik në Europë. 82% e grave dhe 76% e burrave nuk bëjnë asnjë aktivitet fizik gjatë një jave normale, sipas INSTAT. Mesatarisht rreth 80% e popullsisë në vend është inaktive.

Ndërsa mesatarja europiane e grave dhe burrave që nuk bëjnë fare aktivitet fizik është shumë më e ulët, përkatësisht 28.6% dhe 26%, sipas të dhënave të raportuara të Eurostat, që i përkasin vitit 2017.

Në Europë, më aktivët janë rumunët dhe estonezët, ku vetëm 3.9 dhe 4.7% e popullsisë nuk bëjnë asnjë aktivitet fizik. Më pas vijnë danezët, holandezët, gjermanët, suedezët, finlandezët. Ballkanasit, në përgjithësi, shquhen për dembelizëm. Pas Shqipërisë, në listë renditen serbët, me 76% të popullsisë që nuk kryen asnjë aktivitet fizik. /Monitor/

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here