Fitoterapia në trajtimin e çrregullimeve që lidhen me Sistemin Nervor Qendror

Përgatiti për shendeti.com.al Rilinda Klosi

*Doktor i Shkencave Farmaceutike / Profesor i Asociuar UT

Fitoterapia është një praktikë mjekësore e cila për parandalimin ose trajtimin e problemeve shëndetësore bazohet në përdorimin e produkteve të përftuara nga bimët. Duhet theksuar fakti se, në ndryshim nga praktikat tradicionale empirike, fitoterapia bazohet në studimet dhe dëshmitë shkencore. Janë të shumta provat klinike dhe studimetet farmakologjike për preparate fitoterapeutike specifike. Megjithatë, mënyra se si praktikohet fitoterapia është e ndryshme në vende të ndryshme të botës. Në shumë shtete këto produkte janë zgjedhje private e përdoruesve, ato shpesh shiten si shtesa ushqimore ose si produkte OTC (over- the- counter). Ndryshe ndodh në shtete si Japonia, ku një sërë produktesh bimore të standardizuara janë integruar në praktikën mjekësore zyrtare dhe në skemën e sigurimeve shëndetësore.

Një numër i madh speciesh bimore që ndeshen në natyrë përmbajnë përbërës aktivë me veprim në systemin nervor qendror (SNQ), i cili ndër të tjera kontrollon funksionet emocionale dhe intelektuale. Shumë bimë mjekësore dhe ekstraktet përkatëse janë përdorur historikisht në mënyrë empirike për trajtimin e çrregullimeve të SNQ-së. Dekadat e fundit, bazuar në udhëzuesit e Agjencisë Europiane të Barnave (EMA), vetëm një numër i kufizuar prej tyre është miratuar për përdorim. Kështu për shembull, Kava-Kava (Piper methysticum G. Forst) përdorej prej shumë kohësh si mjet qetësues. Pas vitit 2002, për shkak të hepatotoksicitetit të provuar në një sërë studimesh, përdorimi i produkteve bimore me përmbajtje ekstraktesh nga kava-kava është ndaluar në shumë shtete, duke përfshirë shtetet e Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fitoterapia mund të jetë e dobishme vetëm për trajtimin e çrregullimeve të lehta psikiatrike. Në raste ankthi ose depresioni të rëndë vetë-mjekimi nuk është i përshtatshëm, mbikëqyrja nga ana e mjekut është e domosdoshme. Studimet e kryera në kafshë kanë treguar se një sërë ekstraktesh bimore, të përdorura tradicionalisht në menaxhimin e çrregullimeve të sistemit nervor, kanë ndikim të theksuar në receptorët e SNQ-së, duke përfshirë aktivizimin dhe inhibimin. Prandaj, nga ana e autoriteteve përgjegjëse për shëndetin publik janë miratuar për përdorim vetëm produktet bimore për të cilat është provuar se raporti midis përfitimeve dhe efekteve anësore është pozitiv. Raportet e vlerësimit të EMA-s për këto bimë mjekësore përditësohen në vazhdimësi, bazuar në arritjet e studimeve shkencore bashkëkohore që lidhen me këtë fushë.

Në vazhdim përshkruhen shkurtimisht dy prej bimëve mjekësore të miratuara për përdorim në trajtimin e çrregullimeve të lehta të sistemit nervor.

Lulebasani

Lulebasani (Hypericum perforatum L.) është bimë barishtore shumëvjeçare e familjes Hypericaceae, me kërcell të degëzuar në pjesën e sipërme, me gjethe të vogla, lule me ngjyrë të verdhë të renditura në lulesa. Në vendin tonë lulebasani rritet kryesisht në zonat e ulëta, me përhapje deri në zonat subalpine. Për qëllime mjekimi grumbullohen majat e lulëzuara të bimës, zakonisht nga muaji maj deri në korrik. Rekomandohet grumbullimi në fillim të lulëzimit. Pjesët e prera, me kërcell 20 – 60 cm,  lidhen në tufa të vogla dhe thahen në hije, në vende të ajrosura. Materiali bimor i tharë ruhet në enë të përshtatshme, në mjedise të mbrojtura nga drita dhe lagështia. Lulebasani përfaqëson një nga bimët mjekësore më të përdorura globalisht. Në kushte shtëpie me materialin bimor përgatitet çaji për përdorim nga goja, si dhe ekstrakti vajor që aplikohet në lëkurë.

Kjo bimë mjekësore është përdorur ndër shekuj për trajtimin e një game të gjerë problemesh të ndryshme, midis tyre për shërimin e plagëve, trajtimin e infeksioneve, lehtësimin e simptomave të depresionit. Lulebasani përmban një numër të madh përbërësish fitokimikë biologjikisht aktivë. Ekstraktet bimore përgjithësisht kanë përbërje komplekse, prandaj procesi i ekstraktimit luan rol kryesor në përbërjen e produktit përfundimtar. Ndër përbërësit kryesorë përgjegjës për veprimin në SNQ renditen hipericina dhe hiperforina. Kompanitë farmaceutike, veçanërisht në Europë, prodhojnë formulime standarde të cilat tregtohen gjerësisht.

Në tregun tonë, krahas bimës mjekësore të tharë, produktet me origjinë lulebasani qarkullojnë kryesisht si preparate farmaceutike, shtesa ushqimore, tretësira alkoolike dhe vajore.

Përdorimi, format farmaceutike, dozimi

Përgatesat me përmbajtje ekstraktesh të lulebasanit (duke përfshirë çajin) rekomandohen për lehtësimin e simptomave të lodhjes nervore vetëm pasi të jenë përjashtuar episodet e depresionit madhor. Ato përdoren si trajtim mbështetës në gjendjet e stresit, të ankthit, në çrregullimet e gjumit. Ekstrakti i lëngët i përgatitur me vaj vegjetal aplikohet në lëkurë për trajtimin e plagëve, djegieve dhe acarimeve të lëkurës.

Çaji: 2 g material bimor i grimcuar mbulohet me 150 ml ujë të valuar në një enë me kapak dhe lihet të qëndrojë për10 minuta, pastaj kullohet. Dozimi për të rriturit: 2 herë ditën nga një filxhan çaji.

Ekstrakti i lëngët: përgatitet me alkool etilik 45% (v/v), në raportin material bimor:ekstraktues 1:4. Dozimi: nga 2 – 4 ml, tri herë ditën.

Vaji i lulebasanit: majat e lulëzuara të bimës (të freskëta ose të thara), të grimcuara, mbulohen me vaj vegjetal (vaj ulliri, luledielli etj) në një enë qelqi pa ngjyrë me kapak; përzjerja tundet fort. Më pas, ena ruhet për 6 javë në një vend të rahur nga dielli, tundet herë pas here derisa vaji të marrë ngjyrë të kuqe të thellë. Materiali bimor largohet. Vaji i lulebasanit ruhet në enë të mbyllur, në vend të freskët, larg dritës. Përdorimi për trajtimin e problemeve të lëkurës mund të zgjatë deri në 1 javë. Nëse vërehen shenja infeksioni, kërkohet konsultimi me mjekun.

Efekte të padëshiruara dhe kundërindikime. Përgatesat nga lulebasani, kur përdoren sipas dozimit të rekomanduar, përgjithësisht mund të shoqërohen me efekte anësore të lehta, si çrregullimet e lehta gastrointestinale, reaksionet alergjike në lëkurë. Në raste mbidozimi, ose të përdorimit për kohë të gjatë, shfaqen gjendje konfuzioni mendor.

Nuk rekomandohet përdorimi nga fëmijët dhe adoleshentët nën 18 vjeç, as nga gratë shtatzëna ose me fëmijë në gji. Këto përgatesa nuk duhet të kombinohen me preparate antidepresive.

Për shkak të ndërveprimeve, nuk rekomandohet përdorimi i përgatesave të lulebasanit njëkohësisht me antikoagulantët, citostatikët, antiviralët, statinat, digoksinën, finasteridin, diazepamin etj.

Paralajmërime

– Pacientët që marrin barna të përshkruara nga mjekët duhet të këshillohen me mjekun para se të përdorin ”Lulebasani”.

– Gjatë përdorimit të përgatesave me përmbajtje estraktesh të bimës duhet të shmanget ekspozimi në rrezet e forta UV.

– Përdorimi njëkohësisht me kontraceptivët oralë çon në reduktimin e përqendrimit në gjak, duke ndikuar në veprimin dhe sigurinë e tyre.

– Në rastet e ndërhyrjeve kirurgjikale të planifikuara, përdorimi i produkteve me përmbajtje ekstraktesh lulebasani duhet të ndërpritet, pasi ekziston mundësia e ndërveprimit me produktet që përdoren gjatë anestezisë.

Bar Blete

Bar Blete (Melissa officinalis L.) është bimë barishtore shumëvjeçare e familjes Lamiaceae, me gjethe në formë zemre, buzë të dhëmbëzuara, me erë të ngjashme me atë të limonit. Lulet e vogla, të renditura në vile, fillimisht kanë ngjyrë të bardhë që më pas ndryshon në rozë. Bima e ka origjinën nga vendet e pellgut lindor të detit Mesdhe, tashmë e natyralizuar në shumë vende të tjera të botës. Në vendin tonë bari i bletës takohet si bimë e zakonshme në zonat fushore. Kjo bimë ka qenë e njohur për vetitë kuruese që në lashtësi. Informacion i hershëm për bimën jepet nga Theophrastus, në vitet 300 para erës së re. Gjethet e barit të bletës janë përdorur tradicionalisht ndër shekuj në saje të vetive qetësuese, spazmolitike dhe antimikrobike. Ato grumbullohen pak para lulëzimit të bimës dhe thahen menjëherë në shtresa të holla, në hije, në vende të ajrosura. Materiali bimor i tharë ruhet në qese letre ose në enë qelqi. Bari i bletës shfrytëzohet për prodhimin e produkteve mjekësore bimore, të shtesave ushqimore, të vajit esencial, si dhe të produkteve kozmetike. Statusi regullator për këto produkte mjekësore bimore ndryshon në shtete të ndryshme. Në Gjermani dhe në Britaninë e Madhe kërkohet autorizimi përkatës për hedhjen e tyre në treg.

Gjethet e barit të bletës janë të pasura në komponime biologjikisht aktive. Ndër përbërësit kryesorë renditen vaji esencial, rrjedhësit e acidit cinamik, flavonoidet. Kërkesat për cilësinë e gjetheve të thara të bimës dhe të ekstraktit të thatë përshkruhen në Farmakopenë Europiane.

Vaji esencial, i përftuar me anë të distilimit, gjen përdorim në aromaterapi, po ashtu në prodhimin e produkteve të industrisë kozmetike dhe asaj ushqimore.

Përdorimi, format farmaceutike, dozimi

Gjethet e thara të barit të bletës janë miratuar nga Agjencia Europiane e Barnave si produkt mjekësor bimor për lehtësimin e simptomave të lehta të stresit mendor dhe për të ndihmuar gjumin në rastet e pagjumësisë, veçanërisht në rastet e çrregullimeve të lehta.

Ato rekomandohen gjithashtu për trajtimin e problemeve të ndryshme gastrointestinale, si për shembull fryrja e barkut nga grumbullimi i gazrave. Ekstraktet e standardizuara, në formë kremi, përdoren në trajtimin e herpes simplex.

Bari i bletes merret zakonisht në formë çaji.

Çaji: 1.5 – 4.5 g gjethe të thara dhe të grimcuara vendosen në një enë me kapak, ku shtohen 150 ml ujë i valuar, lihet të qëndrojë për 10 minuta, pastaj kullohet. Dozimi: nga një gotë çaji, tri herë ditën. Për të rriturit dhe adoleshentët mbi 12 vjeç kohëzgjatja e përdorimit është të shumtën 2 javë.

Ekstrakti i lëngët: ekstraktuesi alkool etilik 50% (v/v), raporti material bimor: ekstraktues 1:1. Dozimi: 2 – 4 ml, 1 – 3 herë ditën, vetëm për të rriturit.

Ekstrakti i thatë: kapsula të cilat përmbajnë 170 mg ekstrakt të thatë përdoren tradicionalisht për lehtësimin e simptomave të ankthit, për të ndihmuar gjumin, për lehtësimin e problemeve digjestive. Merren 2 kapsula, tri herë ditën. Nuk rekomandohet përdorimi nga personat në 18 vjeç.

Efekte të padëshiruara dhe kundërindikime. Ndonëse të rralla, nauzea dhe përgjumja janë të mundshme. Rreziku rritet nëse përgatesat nga bari i bletës kombinohen me alkoolin, qetësues të tjerë, barnat për trajtimin e tiroides, ose me antidiabetikët. Përdorimi duhet të shmanget nga personat që marrin barna antiretrovirale (trajtimi i HIV).

Përdorimi nga gratë shtatzëna ose me fëmijë në gji, apo nga fëmijët nën 12 vjeç nuk rekomandohet.

Paralajmërime

– Preparatet me përmbajtje bar blete mund të ndikojnë në aftësinë për drejtimin e automjetit, po ashtu në përdorimin e makinerive.

– Nëse simptomat zgjatin për më shumë se 2 javë, kërkohet konsultimi me mjekun.

 

Referenca

  1. Miraldi E., Medicinal plants and health in human history: from empirical use to modern phytotherapy. Journal of Siena Academy of Sciences 2019; 10 (1): 4081.
  2. Jutte R. et al., Herbal medicinal products – Evidence and tradition from historical perspective. Journal of Ethnopharmacology 2017; 207: 220 – 225.
  3. Bila A.R., Medicinal plants and their preparations in the European market: Why has the harmonization failed? The case of St John’s wort. Phytomedicine 2021; 81: 153421.
  4. Johanna T. Dwyer, Have safety and efficacy assessments of bioactives come of age? Molecular Aspects of Medicine 2023; Feb: 89: 101103.
  5. Assessment report on Piper methysticum G. Forst, rhizome. EMA/HMPC, November 2016.
  6. European Union herbal monograph on Hypericum perforatum L., herba. EMA/HMPC 2022.
  7. Nicolussi S. et al. Clinical relevance of St John’s wort drug interactions revised. British Journal of Pharmacology 2020; 177(6): 1212 – 1226.
  8. Petrisor G. et al. Melissa officinalis: composition, pharmacological effects and derived release systems – a review. International Journal of Molecular Sciences 2022; 23 (7): 3591.
  9. Draft community herbal monograph on Melissa officinalis L., EMA/HMPC 2016.
  10. Papoti V.T. et al. Phytochemical content of Melissa officinalis L. Herbal preparations appropriate for consumption. Processes 2019; 7: 88 – 99.
  11. Lukic I. et al. Application of integrated SFE-SSI for development of materials with antiviral properties. Processes 2022; 10 (4): 680 – 689.

 

 

 

 

  

Postime të ngjashme

Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e plagëve dhe pezmatimeve të lëkurës
5 ushqimet më të mira për lehtësimin e dhimbjeve të stomakut
6 ushqime që ulin sheqerin në gjak në mënyrë natyrale
5 ushqime shumë të rëndësishme për përmirësimin e shëndetit mendor
5 fruta që ndihmojnë në pastrimin e mëlçisë
Qershitë – Fruti i vogël me fuqi të mëdha
Hëngra 2 vezë për mëngjes çdo ditë për një muaj—Ja si ndryshoi dieta dhe rutina ime e mëngjesit
Frutat që ulin tensionin e lartë të gjakut në mënyrë natyrale, sipas ekspertëve