Fizikania mjekësore: Shumë aborte nuk duhen kryer

shtatzena

Në Shqipëri mjekët janë me po të njëjtin informim të shumë viteve më parë që, nëse ti thua e kam bërë skanerin por jam shtatzënë, të rekomandojnë direkt abortin

Bisedoi për gazetën “Shëndet+”: Denisa Canameti

Emri i Drilona Kishtës dhe puna e saj si fizikane mjekësore duhet fiksuar mirë si nga mjekët, ashtu edhe nga pacientët. Kjo për faktin e thjeshtë se shpesh mjekët rekomandojnë abort për çdo grua shtatzënë që i është nënshtruar ose duhet t’i nënshtrohet një ekzaminimi me rrezatim jonizues, ndërkohë që në të vërtetë është fizikani mjekësor ai që vendos për një gjë të tillë, pasi ka vlerësuar dozën që mund të marrë fetuesi në varësi të ekzaminimit.

Kishta, e vetmja që merret me vlerësimin direkt të dozave të pacientëve në diagnostik në Shqipëri, në një intervistë për gazetën “Shëndet+” thotë se shumë gra i janë nënshtruar dhe vazhdojnë t’i nënshtrohen abortit kur janë ekspozuar (kanë kryer ekzaminime me rrezatim jonizues) pa pasur nevojë për shkak të mungesës së informacionit, si dhe mungesës në spitale të fizikanit mjekësor e si rrjedhojë edhe mungesës së kontaktit të mjekëve gjinekologë me të.

Doktoreshë, pse është e rëndësishme që të kemi informacion para se t’i nënshtrohemi ekzaminimeve që kanë rrezatim jonizues, veçanërisht në rastet kur kemi paciente shtatzëna?

Në legjislacionin dhe rregulloret e vendit tonë është e ndaluar kryerja e ekzaminimeve në rastet e shtatzënave. Kur një shtatzënë i nënshtrohet ekzaminimeve me rrezatim jonizues, zakonisht ndodh nga padija e momentit, do të thotë që pacientja nuk e di që është shtatzënë ose nuk ka parë simbolet që duhet të jenë në çdo kabinet. Çdo kabinet ka simbolin që tregon se shtatzënat nuk duhet të ndodhen në atë ambient.

A ka një formular që duhet plotësuar apo ndonjë test që mund të bëhet paraprakisht për të eliminuar këto risqe?

Të gjithë mjekët dhe pacientet duhet të plotësojnë formularin e informimit të pacientit. Në këtë formular pacientes i jepet informimi dhe bëhet pyetja e shtatzënisë. Nëse ajo nuk e di? Në këtë rast nuk është detyrim ligjor kryerja e një testi shtatzënie. Është përgjegjësi e vetë pacientes. Por, kur ndodhemi përballë faktit që ekzaminimi me rrezatim jonizues ka ndodhur, duhen marrë masa për të vlerësuar dozën që ajo/ fetusi  mund të ketë marrë.  Nëse një grua shtatzënë e ka shumë emergjente një ekzaminim të kokës me një skaner apo një grafi cervikale për shkak të një aksidenti, është një faktor risku që duhet vlerësuar nga fizikantët mjekësorë dhe mjeku duke marrë masat mbrojtëse përkatëse për rrezatimin jonizues, si dhe për vazhdimin e shtatzënisë. Domethënë, ne “fizikanët mjekësorë” nuk përjashtojmë gratë shtatzëna nga kryerja e ekzaminimeve kur është i domosdoshem (jetik për jetën e tyre ), por duhet t’i bëjnë të mbrojtura.

Cilat janë ekzaminimet më problematike, me më shumë rrezatim?

Skaneri, tomografia e kompjuterizuar  dhe mjekësia bërthamore, skopia.

Duke i njohur këto rreziqe, a nuk duhet futur në kulturë pune që çdo gruaje aktive seksualisht t’i kërkohet një test shtatzënie para se të futet në ekzaminim?

Ky test shtatzënie  kërkohet  kur  përdoren dozat e jodit radioaktiv I-131 pasi doza e fetusit është shumë e madhe dhe aborti është i sigurt .

Por, në doza të vogla, në shintigrafinë e tiroides ose skaner, kur fetusi mund të jetë dy javësh dhe  pacientja  nuk e di, nuk është detyrim  që të kërkohet një test i tillë. Domethënë, është diçka midis pacientes dhe vetëdijes së saj dhe mjekut. Nuk mund të vihet detyrë ligjore që duhet  ky test para se t’i nënshtrohemi ekzaminimeve me rrezatim jonizues pasi pacientja informohet dhe mbetet në vendimet e saj ky ekspozim. Edhe vetë doza  që merr fetusi dhe pacientja, varet nga lloji i ekzaminimit që kryhet .

Prandaj bëhet një vlerësim nga fizikani mjekësor për procedurat e nuk rekomandohet aborti sapo pacientja referon që i është nënshtruar një ekzaminimi me rrezatim jonizues. Nuk mund t’i heqësh të drejtën e ekzaminimit një pacienteje që është shtatzënë. Thjesht duhet të vlerësohet situate dhe doza që  merr fetusi në ekzaminimin që kërkohet.

Si bëhet vlerësimi i situatës?

Janë masat që merren për mbrojtjen e fetusit: E para, varet nga lloji i ekzaminimit dhe emergjenca për kryerjen e këtij ekzaminimi, që do të thotë se, nëse është skaner koke, gruaja ka një veshje të plumuar me të cilën mbulohet barku. Nëse është për mjekësi bërthamore, duhet parë emergjenca e këtij ekzaminimi, sa domethënës është ky ekzaminim  kur gruas i janë komunikuar risqet që vijne nga rrezatimi jonizues (lënda radioaktive), pasi grate shtezane nuk duhet t’u afrohen ambjenteve të survejuara në kabinet me rrezatim jonizues, pra duhet të shmangin në maksimun ekspozimin me rrezatim jonizues.

Pika e parë pasi jemi përballë faktit që një grua shtatzënë është ekspozuar me rrezatim jonizues  është vlerësimi. Pra,  jemi para  faktit  ka ndodhur që të japin me padije nje doze rrezatimi një gruaje shtatzënë, duhet vlerësuar sa ka qenë doza e injektimit me lëndë radioaktive (kjo në mjekësi bërthamore), sa i është dhënë  koha e shtatzënisë etj , ose kur është kryer një ekzaminim skaneri, çfarë skaneri është kryer ose çfarë grafie apo skopie.

Nuk po u referohemi rasteve të angiografisë, sepse janë raste të përjashtuara, nuk kam pasur asnjëherë probleme. Në mometet e para duhet të lajmërohet përgjegjësi për mbrojtjen nga rrezatimet jonizuese (fizikani mjekësor) , i cili kërkon parametrat (të dhënat ) për të bërë vlerësimin, sa muajshe ose sa javëshe është gruaja shtatzënë, çfarë doze i është injektuar, çfarë ekzaminimi është kryer etj. dhe në bazë të protokolleve dhe metodave ndërkombëtare, bëhet një vlerësim i dozës së fetusit.

Në momentin që vlerësohet nga fizikani, në bazë të formulave dhe metodave përkatëse  merr parasysh gjithë faktorët e riskut që janë: Perioda biologjike e lëndëve radioaktive, kur është injektuar lënda  etj . Më pas nis investigimi: Për çfarë qëllimi është bërë ky diagnostikim dhe a është informuar gruaja për risqet e shtatzënisë nëse i nënshtrohej këtij ekzaminimi me rrezatim?

Sepse nëse është një tiroide, doza e fetusit e përllogaritur është 1.2mGy , që do të thotë 1/100  e dozës që nuk duhet të marrë fetusi dhe me këtë dozë nuk mund të bësh kurrë abort. Abort  rekomandohet  veç kur kjo dozë i kalon 100mGy.

I dinë mjekët këto gjëra? A bëjnë gabime mjekët?

Gabimi fatal i bërë nga mjekët e sotëm ose ajo që kam parë nga terreni, është që mjeket sygjerojnë abort pa bërë vlerësimin e dozës në fetus. Pra, kalojnë në hapin e fundit pa marrë të gjitha vlerësimet. Ka një informim që fjala rrezatim jonizues dhe grua shtatzënë janë të ndaluara, ndërkohë që në botë punohet në kabinete me rrezatim jonizues kur je shtatzënë po me rrezatim jonizues duke iu nënshtruar disa masave mbrojtëse dhe survejimit nga përgjegjësi për mbrojtjen nga rrezatimi . Në Shqipëri mjekët janë me po të njëjtin informim të shumë viteve më parë që, nëse ti thua e kam bërë skanerin por jam shtatzënë, të rekomandojnë direkt abortin. Nuk bëhet konsultim midis gjinekologut, fizikanit mjekësor që bën vlerësimin e dozave dhe mjekut diagnostikues/ imazherist për të parë situatën (vlerësimi i dozës) dhe për të ndjekur ecurinë e këtij fetusi.

Cila është rëndësia e fizikanit mjekësor?

Do të thoja që në këtë rast është jetike.

A duhet ta kërkojë pacienti vetë praninë e fizikanit mjekësor?

Për momentin po punohet që për pacientët të shkruhet doza. Pacientët në vendin tonë kryejnë skanera, grafi, skopi etj  pa limit dhe pa rekomandime nga profesionistët, duke pasur besim që është diçka e mirë, por në këtë rast dëmtojnë veten nga rrezatimi jonizues . Doza që merr pacienti në një skaner është i barabartë me dozën e 100 grafive. Pra, si dozë është shumë e lartë. Është një nga ekzaminimet që ka ekspozimin më të lartë në diagnostrik ku përjashtojmë angiogratitë (koronarografinë).

Duke i kryer ekzaminimet me rrezatim jonizues në mënyrë të parregullt, sipas dëshirës së vetë pacienteve do të thoja që është rritur ekspozimi,  por jemi në pika kritike për dozat e  pacientëve dhe hamendësoj që kjo vjen nga mungesa e informimit rreth rrezatimit jonizues si për mjekët, edhe për vetë pacientet.

Rast: Një grua 6-javëshe shtatzënë në një konsultë endokrinologu referon një ndryshim hormonal, flitej për një menopauzë të hershme. Në këtë kohë  gruaja iu nënshtrua një shintigrafie tiroideje për të parë funksionin e tiroides. Në këtë ekzaminim shintigrafie pacientes i injektohet një lëndë radioaktive. Pacientja nuk e dinte shtatzëninë e saj dhe pas 2 javësh informohet për shtatzëninë, pra kur ishte  8-javëshe.

Endokrinologu duke bashkëpunuar me mjekun bërthamor dhe mjeku bërthamor është shumë më afër fizikanit mjekësor për shkak të sigurisë që kërkojnë këto ekzaminime, kërkon vlerësim rasti pasi fjala e parë ishte: abort. Po vetë nëna këmbënguli për të marrë informacion pasi e donte fëmijën. Pra, ajo zonjë nuk ishte e prirur që ta bënte atë abort, ishte e lumtur se mund të kishte një fëmijë tjetër. Rasti i jepet për vlerësim fizikanit mjekësor dhe bëhet vlerësimi.

Dhe pasi u krye vlerësimi, rezultoi që doza e fetusit ishte 1.2 mGy, një dozë tmerrësisht e ulët dhe fetusi 6-javësh thuajse nuk ishte i dëmtuar fare, pra probabiliteti ishte shumë i ulët, rreth 5%.

Marrim përgjegjësinë për të ndjekur zhvillimin e fëmijës bashkë me gjinekologun. E kemi ndjekur bashkë deri në momentin e lindjes, ku fëmija gëzon shëndet të plotë. Është vajzë 6-muajshe e shëndetshme dhe jemi shumë të lumtur që nuk u bë abort.

Kaq e vështirë është që strukturat shëndetësore ta kuptojnë rëndësinë e fizikanit mjekësor?

Kam përshtypjen që vështirësia është në kuptimin e detyrave dhe përgjegjësinë që ka fizikani mjekësor, dhe është e vështirë për strukturat shëndetësore në Tiranë, jo më në rrethe. Mosdija e vetë mjekëve rreth këtij informacioni, çon në gabime të tilla. Në Shqipëri fizikanti mjekësor është një profil i ri pune. Situata është kritike, qoftë edhe nga vetë imazheristët që marrin një informim të përgjithshëm në shkollë.

Po t’i referohemi QSUT-së, kontrolli është bërë më i rreptë. Do të thotë që vetë mjekët para se të nisin një ekzaminim, kur në pajisje kanë kryer ndërhyrje inxhinierike, kërkojnë cilësinë e imazhit nga unë, vlerësimin e dozave, kërkojnë përgjigje për pyetje të tilla: pacienti ka kryer shintigrafi, pas sa kohe duhet të kryejë skanerin për të mbrojtur pacientin? Janë të ndërgjegjësuar.

Cilat janë hapat që duhen marrë për të bërë një ndërgjegjësim për të gjithë mjekët e pacientët edhe nëpër rrethe?

Organizim i seminareve dhe lobimi në media dhe dëenie e informacionit në mënyrë sa më të thjeshtë, që të jetë i kuptueshëm për të gjithë.

Pacientët tanë bëjnë një shintigrafi dhe ti i thua: “Duhet të rrish minimumi 3 orë pa puthur dhe pa iu afruar njerëzve të tjerë, sidomos grave shtatzënë dhe fëmijëve  dhe rrobat duhet t’i lash të veçuara”. Çfarë bëjnë pas kësaj pacientët? Marrin përgjigjen e ekzaminimit dhe shkojnë direkt te mjeku dhe ky mjek nuk e di që ai është i injektuar me lëndë radioaktive dhe ekspozohet, pra dëmtohet .

Kjo është arsyeja se pse QSUT-ja ka vendosur rregullin që përgjigjet e shintigrafisë të jepen një ditë më vonë. Sepse pacientët nuk janë të ndërgjegjësuar. Rrezatimet jonizuese  nuk kanë as dhimbje, nuk ndihen, as shikohen, pra nuk kanë asnjë shqetësim. Pacienti vjen dhe thotë: “Thjesht më bëri një gjilpërë”. Nuk e kupton që i është injektuar një lëndë radioaktive.

Rreziqe të tjera nga këto ekzaminime..? Fëmijët. Amerika  po lobon dhe disa shtete kanë nxjerrë rregulla për uljen e ekzaminimeve të skanerave tek fëmijët. Sepse nga studimet e kryera në 5 vjet doli rezultati që skaneri një fëmije i jep probabilitet për tumor dhe ul inteligjencën e tij.

A ka rëndësi cilësia e skanerit?

Kjo është primare dhe ajo që ka evoluar këto 2 vitet e fundit në QSUT është se për çdo ndërhyrje  inxhinierike dhe një herë në 3 muaj në skaner, angiografi apo pajisje të tjera me rrezatim jonizues, nuk mund të fillojë puna nëse unë nuk kam kryer testimet dhe dhënë aprovimin. Në rastin konkret ju them se për akseleratorin që është funksional në QSUT, nuk mund të nisnin testimet e pajisjes nga inxhinieret pa dhënë përgjegjësi i mbrojtjes nga rrezatimi (unë) miratimin që ambientet janë të sigurta.

***

Gratë që bëjnë ekzaminime gjatë shtatzënisë kanë mundësi të mos abortojnë

Jo në çdo moment rekomandohet abort ose moskryerja e këtij ekzaminimi. Nëse fizikani mjekësor është i pranishëm, mund të vlerësojë dozat dhe të krijojë mbrojtje për pacientin dhe mjekun. Këto nuk janë gjëra që i bëjmë ne, janë metoda të aplikuara edhe në Evropë. Unë i referohem legjislacionit  shqiptar dhe ndërkombëtar dhe mënyrave e metodave ndërkombëtare për vlerësimin e rasteve për çdo pacient, sidomos pediatrik dhe grave shtatzëne. Normalisht nuk mund t’i mohojmë askujt ekzaminimin. Nëse unë konstatoj një “ekspozim të parregullt të pacientëve”, nuk fal. Dhe fjala “nuk fal” mund të duket sikur dal kundër ndonjë  mjeku. Mjeku do të mbrojë veten në këtë rast, pasi vetë mjeku ka pjesën e interesit që ky ankimim të mos shkojë shumë më tej. Për shkak të informimit të paktë në fushën e ekspozimeve mjekësore. Por nëse një vajzë të shëndetëshme e pyesim: Mos vallë je shtatzënë? Ajo ofendohet, sepse nuk e di rëndësinë që ka kjo pyetje.

Ndërkohë, ekoja gjatë shtatzënisë nuk ka asnjë lloj problemi.

Postime të ngjashme

Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës