Bisedoi: Elona Tereziu
Nëse pretendoni të merrni ngjyrë duke qëndruar sa më gjatë në diell, ngënjeni veten. Lëkura e merr ngjyrën vetëm nga rrezet UVB të mëngjesit dhe ato të pasdites vonë. Përtej kësaj kohe, ku veprojnë rrezet UVA, vetëm sa digjeni, shkatërroni qelizat e lëkurës dhe dehidratoheni.
Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, Violeta Dajci mjeke dermatologe në QSUT flet lidhur mbi efektet e diellit në lëkurë, përkujdesjen dhe si të marrim ngjyrë shëndetshëm. Ndërkohë, përjashton qendrat solare duke theksuar se kjo është “si të blesh vdekjen me para”.
Çfarë kujdesi duhet të tregojmë në këtë stinë përsa i përket rrezatimit?
Kujdesi i parë është përdorimi i një kremi fotombrojtës, me faktor të lartë 50. Ky krem këshillohet të vendoset disa herë gjatë ditës, sepse asnjë nga kremrat, sado i mirë apo profesional të jetë, nuk e ka efektin mbrojtës përgjatë gjithë ditës. Ato arrijnë maksimumi në katër orë mbrojtje, kështu që të paktën një herë në mëngjes dhe një herë në drekë duhet rivendosur, përjashtuar periudhën e plazhit ku kremi rivendoset disa herë gjatë ditës, specifikisht për zonën e fytyrës një ose çdo dy orë.
Kremin në varësi të tipit të lëkurës e përzgjedh vetë personi vetë apo është e nevojshme një konsultë?
Një konsultë do të ishte gjëja më e mirë, sidomos për personat që kanë probleme, megjithatë kur kremrat janë dermokozmetik, ata që rekomandohen nga dermatologët, ose dhe nga farmacistët, kremrat patjetër janë shumë të mirë. Ato janë të specifikuar për lëkura të ndjeshme, për lëkura shumë të bardha, për nishane etj. Ka edhe kremra që janë posaçërisht për moshën e tretë, që kanë shumë diskeratoza (njolla kafe) në fytyrë ose shpinë. Këto keratoza janë ose solare, ose të shkaktuara nga dielli dhe kanë tendencën të zmadhohen deri në karcinoma të lëkurës, pra janë gjendje prekanceroze dhe, nëse nuk mbrohen ose nuk trajtohen mirë, mund të kalojnë dhe në kancer të lëkurës.
A vepron njësoj dielli si në lëkurën e femrave, ashtu edhe të meshkujve?
Në përballje me diellin femrat janë më të riskuara për arsye të hormoneve femërore, të cilat kanë një lloj tërheqjeje ndaj rrezeve të diellit. Për këtë arsye edhe praninë e njollave kafe e gjejmë më të shprehur tek femrat. Ndërsa për pjesën tjetër të djegieve, rrudhave e ndryshimeve që ndodhin në lëkurë janë të njëjta si në gjininë femrore, ashtu edhe tek meshkujt.
Sa rrezik paraqet dielli për kancer të lëkurës?
Njerzit nuk duhet të kenë frikë, por të bëjnë kujdes. Dielli ka rreze UVB dhe UVA. Rrezet UVB janë rrezet e mëngjesit (gjer në orën 10-11) dhe janë shumë të shëndetshme. Këto rreze bëjnë që trupi të marrë ngjyrë, pra, të formojë melaninë në mënyrë të njëtrajtshme. Ndërsa rrezet UVA të cilat fillojnë pas orës 10-11 janë rreze të dëmshme, të cilat shkatërrojnë qelizat, djegin lëkurën dhe e dehidratojnë atë gjer në shfaqjen e kancerit. Këto rreze të cilat fillojnë nga ora 10-16 nuk japin ngjyrë, por vetëm djegie të lëkurës dhe dëmtim të qelizave. Nëse ne pretendojmë të marrim ngjyrë gjatë këtij orari, vetëm gënjejmë veten. Ngjyra e lëkurës merret vetëm në mëngjes dhe pasdite.
Ne sugjerojmë rrezet e mëngjesit. Deri në orën 10 njerëzit mund të rrinë në diell edhe pa krem mbrojtës, sepse këto janë rreze të shëndetshme, që nuk e djegin lëkurën.
Vetë kanceret e lëkurës janë djegiet e herëpashershme ndër vite dhe formohen kryesisht tek moshat e treta dhe rrallë para moshës 50 vjeç. I gjejmë tek personat ku ka pasur histori abuzimi dhe djegie të vazhdueshme të lëkurës ose kryesisht në disa profesione që e kanë punën të tillë që duhet të qëndrojnë gjatë jashtë, siç janë muratorët, efektivët e policisë etj.
Kanceret e lëkurës mund të jenë bazoqelizor ose spinoiqelizor, por edhe melanoma. Nuk kanë shenja klinike të ndjeshmërisë dhe për këtë arsye në fakt dhe njerëzit e neglizhojnë duke mos u drejtuar tek mjeku. Ndër këto, më e rrezikshme është melanoma (kanceri i dytë për nga vdekshmëria në botë). Shfaq metastaza dhe ka veti të jashtëzakonshme invadimi (përhapje në qelizat e tjera). Njerëzit ndonjëherë nuk e marrin vesh që kanë pasur melanomë, vetëm kur ju ndodh metastaza dhe çuditen nga u ka ardhur.
Çfarë është më e rrezikshme se rrezet e diellit?
Solari. Një orë solar është e barabartë me dhjetë vjet ekspozim në rrezet e diellit. E thënë ndryshe, është si të blesh kancerin e lëkurës me para. Shumë shtete të Bashkimit Europian po e heqin me ligj, dhe në shumë të tjerë është i ndaluar, si për shembull Gjermania. Kjo për shkak të shtimit të melanomave në mënyrë drastike.
Studime të ndryshme kanë treguar se melanoma po rritet në mënyrë të frikshme, sidomos tek moshat e reja, gjë që dikur hasej vetëm në moshat e mëdha dhe që ishin ekspozuar shumë në diell. Unë aktualisht kam dy paciente të reja, të cilat edhe vetë e kuptojnë që shkaku ka qenë aplikimi i solareve në mënyrë të shfrenuar gjatë periudhës së adoleshencës.
Njerëzit kanë një tendence mjaft të gabuar që në plazh duhet të shkosh i nxirë. Por nëse ne e kemi kaq kompleks ekspozimin e trupit të bardhë para të tjerëve, mund të zgjedhim dhe një kënd, një vend jo shumë të populluar për ditët e para gjersa lëkura të marrë ngjyrë.
Melanoma nuk është një sëmundje që e bërë solarin sot dhe do të shfaqet nesër. Melanoma shfaqet pas disa vitesh, ndaj ruhuni, sepse është vërtet i rrezikshëm. Unë besoj se asnjë mjek dermatolog profesionist nuk e fut një aparaturë të tillë në klinikën e tij. Pavarësisht fitimit, solari është një aparaturë që sjell vdekjen./ Shendeti.com.al




