Floriana Garo: Buzëqeshja, arma ime

Bisedoi: Arlinda Gjypi

E kush mund ta mendojë se dikur edhe Floriana Garo ka pasur pikëpyetjet e saj në lidhje me veten? Tek e sheh në ekran, të qeshur gjatë gjithë kohës, tepër shik, të duket se ajo ka qenë gjithnjë ashtu: e lindur për ekranin, e bukur për kamerën dhe dominuese.

Floriana Garo (2)Por, si çdo njeri, edhe Floriana ka kaluar proceset e saj të jetës, që nga fëmijëria, në adoleshentën e brishtë e më tej në atë vajzën e bukur dhe të dëshiruar nga kushdo, e cila përfaqësoi Shqipërinë në “Miss World 2012”.

Sot ajo prezanton “Jo vetëm modë” në TV Klan, duke qenë një tërheqje dhe një model. Sepse Floriana nuk është nga ato vajza që vlerëson thjesht bukurinë. Në një intervistë për “Shëndet+” ajo rrëfen më tepër për veten dhe mënyrën se si e shikon jetën, shëndetin, familjen, punën.

Floriana, ç’do të thotë për ty “të kesh shëndet”?

Për mua të kesh shëndet do të thotë të ndihesh mirë fizikisht, por edhe emocionalisht. Të jesh njeri aktiv dhe plot energji.

I beson shprehjes “mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”?

Po, i besoj dhe mendoj se kombinohen mirë me njëra-tjetrën. Ka edhe përjashtime, sigurisht, por nëse je një natyre aktive dhe që pëlqen të kujdesesh për trupin tënd, gjasat janë që do të kesh më pak stres dhe do të ndihesh më mirë emocionalisht. Unë jam marrë me volejboll për 12 vjet dhe megjithëse kam pasur edhe shumë impenjime të tjera ndërkohë që luaja, energjia nuk më ka munguar kurrë.

Ç’marrëdhënie ke me mjekun?

Mamaja ime është mjeke kështu që marrëdhëniet i kam shumë të afërta. 🙂 Për çdo shqetësim në familje dhe më gjerë pyesim atë. Jam me shumë fat.

Floriana Garo (5)Për një dhimbje koke do të lexoje në internet, do të shkoje te mjeku apo do t’i drejtoheshe mjekësisë popullore?

Do të pyesja mamin. Asaj i besoj plotësisht. Internetin e konsultoj herë pas here, por nuk më duket shumë specifik për probleme të caktuara.

Cila është gjella e preferuar? Të pëlqen të gatuash vetë apo është më mirë kur t’i bëjnë gati?

Unë i shijoj shumë prodhimet e detit, krudot sidomos, dhe parapëlqej shumë të drekoj ose darkoj jashtë. Unë nuk gatuaj dhe nuk kam qenë asnjëherë një kuzhiniere e mirë.

Puna-shëndeti-familja. Cila ka më shumë rëndësi dhe si arrin t’i menaxhosh të tria?

Të tria janë shumë të rëndësishme dhe ndërlidhen shumë mirë me njëra-tjetrën. Mendoj se po nuk pate një shëndet të mirë, asgjë nuk ka më rëndësi.

Unë mundohem gjithnjë të ha shëndetshëm. Nuk e teproj kurrë me brumra, rrallë konsumoj alkol dhe nuk pi cigare. Jam aktive sa herë mundem edhe duke bërë ushtrime fizike në shtëpi kur nuk kam kohë.

Por përgjithësisht jam mjaft e zënë gjatë ditës dhe nuk abuzoj më të ngrënit. Punës i përkushtohem tërësisht në pjesën e parë të ditës dhe familjes në pjesën e dytë.

Mendoj se me përkushtim dhe me një menaxhim të mirë të kohës, arrin t’i bësh të gjitha siç duhet.

Floriana Garo (3)Cila është marrëdhënia jote me anëtarët e familjes?

Njeriu im më i afërt është partneri im, Tedi. Me të ndaj çdo gjë dhe jemi pikë mbështetjeje për njëri-tjetrin. Për sa i përket prindërve të mi, ata jetojnë në Durrës dhe i shoh një herë në jave, por flasim shpesh në telefon gjatë ditës.

Ata janë gjithnjë të pranishëm në gjithçka timen dhe i konsideroj si kritikët dhe dashamirësit e mi më të mëdhenj. Kam një marrëdhënie të afërt me mamanë dhe tezen e Tedit, të cilat gjithashtu më ndjekin në çdo dalje timen në ekran dhe më ofrojnë pa fund këshilla dhe mbështetje. Ndihem realish me shumë fat.

E ke ndjerë ndonjëherë nevojën për të hequr dorë nga puna, sepse të ka marrë dhe kohën që ia dedikon të dashurve të tu?

Jo. Mendoj që puna është pjesë e asaj që unë jam dhe përfaqësoj, dhe më mbush me krenari e pozitivitet. Vetëm mundohem t’i menaxhoj mirë punët që kam dhe sigurohem gjithnjë që të lë kohë të mjaftueshme për njerëzit e mi më të dashur.

Je njeri pesimist apo optimist? Çfarë të bën optimiste dhe çfarë të bën pesimiste?

Unë jam përgjithësisht optimiste. I shoh gjithnjë gjërat me pozitivitet dhe nuk e mendoj të keqen. Besoj se vetëm unë mund ta kontrolloj gjendjen time shpirtërore dhe kështu vetvetja më bën optimiste ose pesimiste, mënyra sesi mendoj në momente të caktuara. Por më pëlqen t’i shoh gjërat nga ana e tyre e ndriçuar.

Nëse do të të jepnin vetëm 60 sekonda kohë për të folur për veten, si do ta përshkruaje?

Nuk më pëlqen shumë të flas për veten, por mbase do ta cilësoja si dashamirëse, të sinqertë dhe pasionante për gjërat me rëndësi.

Ke pasur ndonjë problem apo histori me shëndetin që të ka bërë të vlerësosh më shumë çka të është dhënë?

Unë kam qenë mbipeshë në adoleshencë dhe kisha një vetëbesim shumë të ulët. Haja keq dhe kjo reflektohej në gjendjen time shpirtërore dhe mënyren sesi i bëja gjërat. Më pas e kalova këtë fazë dhe e vlerësova shumë më tepër të ngrënit shëndetshëm. Ka qenë edhe momenti kur kam këputur ligamentin e gjurit tek luaja volejboll.

Ka qenë moment i tmerrshëm dhe mendoja se nuk do të ecja më si më parë… Tani shpeshherë ndalem dhe reflektoj. Jam mirënjohëse që unë dhe të dashurit e mi gëzojmë shëndet të plotë.

Ç’marrëdhënie ke me dentistin? Beson se buzëqeshja është shumë e rëndësishme në marrëdhëniet me njerëzit? Sa shpesh buzëqesh?

Në fakt, pas mamit tim, dentistin e shoh më shpesh nga të gjithë mjekët e tjerë. Vazhdimisht bëj kontrolle, rregullime, pastrime të dhëmbëve.

Unë buzëqesh gjatë gjithë kohës dhe mendoj se buzëqeshja është ndër pikat e mia të forta. Kështu sigurohem që të jetë gjithmonë sa më e bukur! 🙂

Floriana Garo (4)Ç’ndodh kur stresohesh?

Shfryhem dhe pastaj jam ok. Nuk më zgjat shumë mërzitja dhe stresi.

Për cilën pjesë të karakterit do ta zgjidhje një mik/shoqe?

Sinqeritetin dhe dashamirësinë. Nuk i honeps dot njerëzit e shtirur dhe negativë.

Je një figurë publike, e përzgjedhur për bukurinë… Ç’mendim ke për kirurgjinë plastike?

Mendoj se kirurgjia plastike ka avancuar mjaft dhe jam e lumtur që tani të ndihmon të përmirësosh pjesë të trupit të cilat nuk të bëjnë të ndihesh mirë. Thjesht nuk i pëlqej ekzagjerimet dhe ndërhyrjet aty ku nuk është e nevojshme.

Ç’pjesë të trupit do të ndryshojë nëse do të të jepej mundësia?

Unë e dua veten dhe trupin tim kështu siç është dhe tani që jam e re, po e shijoj. Më vonë nuk e di si do të ndihem.

“Veshja e bën njeriun”. Sa qëndron për ty kjo shprehje dhe pse?

Për mua qëndron. Mendoj se një njeri i kuruar dhe i veshur me shije vlerësohet dhe merret më seriozisht. Kujdesi për veten tregon përkushtim i cili mund të manifestohet edhe në të tjera aspekte. Por kjo është disi edhe në varësi të profesionit dhe jetës që njeriu bën. Pra, një mjeke nuk pritet që të ketë të njëjtën përkujdesje për veten si një person që del në ekran.

Lexon shpesh për shëndetin?

Unë lexoj vazhdimisht dhe jam e mirinformuar vetë.

Ç’marrëdhënie ke me celularin? E praktikon këshillën e OBSH-së për telefonata të shkurtra dhe jo më shumë se 20 minuta në ditë?

Nuk më ka pëlqyer asnjëherë të rri gjatë në telefon. Më duket sikur më merr kohë nga gjëra të tjera të rëndësishme. Mundohem të jem sa më koncize në telefonatat që bëj, me përjashtim të rasteve kur janë me njerëz të dashur, të cilët nuk i shoh shpesh.

Cila është dhurata më e bukur që ke marrë?

Dashuria dhe përkushtimi.

Nëse një ditë do të bëheshe ministre e Shëndetësisë (asnjëhere nuk i dihet), çfarë do t’i ndryshoje shëndetësisë në Shqipëri?

Do të punoja për kushte dhe shërbim më të mirë në spitalet publike.

Cila është këshilla që e jep pa hesap te gjithkush?

Mos ha shumë dhe vonë në darkë.

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë
“Do të zvarritem…”/Celine Dion flet sëmundjen e rrallë neurologjike në dokumentarin e ri dhe jo vetëm!