Jo të gjithëve u ndodh që njerëzit t’i identifikojnë me emrin e vendit të punës. Për Fonin e Fiksit ky është një realitet i përditshëm
Bisedoi: Denisa Canameti
Fonin e Fiksit e njohin të gjithë. Sidomos për humorin e hollë dhe ironinë therëse me të cilën ai përcjell problematikat e aktualitetit shqiptar. Një njeri tejet pozitiv, ku këtë të fundit nuk “përton” ta shpërndajë në asnjë çast komunikimi. Të kërkon t’i drejtohesh me “ti”, nuk ka asnjë paragjykim për askënd, e pëlqen të bukurën, e bën humorin, ka botuar të përkthyer 18 libra, njeh shumë mirë gjuhën e trupit, por gjithsesi nuk e konsideron veten VIP. Kërkesës për intervistë nga redaksia e “Shëndet+”, ai e mirëpret me shumë dashamirësi dhe humor: “Shëndet të keni, edhe plus madje”!
Të gjithë të njohin si Foni i Fiksit, por karrierën si gazetar nuk e ke nisur në “Top Channel”, apo jo?
Jo, fillimisht kam qenë regjisor te “Tv Koha”. Pastaj kam kaluar te “Fiksi fare”. Te ‘Fiksi’ e kam nisur me këtë punë që bëj edhe sot. Vazhdoj të bëj të njëjtën gjë, të njëjtën punë: tema, intervista etj.
Të gërshetuarit e gazetarisë me humorin (gjë që të karakterizon) sa të ka ndihmuar dhe sa të ka penalizuar në jetën tënde profesionale?
Unë jam marrë që i vogël me këtë gjë. Kam shkuar tekste humorisike për estradat e asaj kohe (e para viteve ’90), qoftë profesioniste, qoftë amatore. Është në natyrën time të bëj humor, atë bëj edhe në punë. Ata që më vunë në këtë pozicion, panë këtë aftësi tek unë. Fiksi të jep lirshmërinë që të mund të futesh e të japësh humor, të improvizosh mbi një fakt ose ngjarje. Ndoshta kjo më bën pak të veçantë, mënyra sesi e sjell një ngjarje.
Është inkurajuese të jesh shumë vite në të njëjtin pozicion?
Nuk mund të them nëse është inkurajuese apo jo, por unë ndihem mirë kur dal në terren. Kjo sepse puna jonë nuk është punë rutinë. Atë që bëjmë sot, nuk e bëjmë nesër. Temën që e trajtoj sot, nuk e trajtoj nesër e ndoshta atë temë mund të mos e trajtoj për shumë vite të tjera.
Njerëzit të diferencojnë dhe të vlerësojnë për tematikat që trajton, përveç mënyrës sesi i trajton. Si i zgjedh temat?
Temat që vijnë tek ne kanë burime të ndryshme. Nëpërmjet sekretarisë telefonike, postës elektronike, mesazheve që u vijnë drejtuesve, takimeve të drejtpërdrejta me njerëzit, letrat etj. Shefat i përzgjedhin dhe i shpërndajnë te gazetarët. Temat sillen kështu, pastaj trajtimi që i bën është tjetër gjë. Mënyra sesi ti e thua, mënyra sesi arrin t’i lësh topin tjetrit (qesh) në fushën e tij është diçka më vete.
Deri tani ka ardhur edhe spontanisht.
Si do të ishte Foni i sforcuar?
Këtu është Foni, pyete (qesh). Nuk e di. Por një temë mund ta trajtoj shumë seriozisht, si dhe mund ta trajtoj me humor, ashtu siç dua unë. Nuk më vë njeri kufij sesi do ta trajtoj.
18 libra të përkthyer… Çfarë tregon kjo për ty përtej televizionit, përtej asaj që njerëzit vetëm shohin?
Bëj një jetë familjare shumë të qetë. Kam gruan dhe 2 fëmijë dhe si gjithë prindërit e tjerë bëj punët që duhet të bëjnë të gjithë burrat. Nuk harroj të marr plehrat gjithmonë kur iki në mëngjes.
Me çfarë oferte do të ndërroje këtë famën si “Foni i Fiksit”?
Unë jam i njohur ashtu siç mund të bëhet kushdo i njohur kur del në televizion. Nuk jam VIP , jam si gjithë gazetarët e tjerë. Nuk është se bëj ndonjë gjë të veçantë. Ajo që kam arritur unë në gjithë këto vite, është se njerëzit më kanë harruar emrin e babait dhe më thonë Foni i Fiksit (qesh). Është e këndshme. Më kanë ndihmuar shumë dhe bashkëpunëtorët, opertorë dhe montazhier. Natyrisht dhe Filip Çakuli. Por përveç asaj, ka dhe shumë gjëra të tjera, ka lodhje, ka mundime. Se jo gjithmonë mund të bësh humor, varet shumë nga rrethana. Jo rrallë duhet ta masësh shumë gojën.
Sa e thjeshtë është “ta mbash gojën”?
Kjo është aftësia: ta mbash atëherë kur duhet. Por nuk e kam kaluar masën ndonjëherë.
The më lart që nuk e konsideron veten VIP. Kë konsideron VIP?
VIP-i duhet të ketë shumë para në radhë të parë (qesh).
Gazetarët nuk kanë para?
Varet se çfarë punësh bëjnë. Nuk është e thënë të marrësh vetëm një rrogë, po të bësh punë të dytë të tretë… Ka gazetarë që marrin miliona, ka të tjerë që marrin rroga modeste. Kjo është jeta, ca shoferë, ca pasagjer. Varet se kë quan gazetar.
Marrëdhënia me mjekun…?
Jam shumë i kujdesshëm me shëndetin tim.
Check-up-in e ke bërë, sepse ti përfshihesh në projektin e Ministrisë së Shëndetësisë, check-up falas për moshën 40-65 vjeç?
Check-up-in e bëj vazhdimisht, por jo projektin ministrisë. Nuk kam pritur check-up-in e qeverisë, e bëj rregullisht vetë.
Si të duket projekti?
Nuk është puna si më duket mua. Unë kam dyshimet e mia. Nuk e di nëse njerëzit vërtet kanë nevojë për ata parametra që dalin nga këto analiza. Njerëzit në këtë moshë janë të destinuar të dinë: meshkujt për prostatën, për tiroiden, për diabetin, një kolonoskopi, këto janë më të domosdoshme sesa të dimë yndyrën apo kolesterolin. Jo se nuk duhen, por në këndvështrimin tim nuk janë aq domenthënëse, pjesa ku rrezikon më tepër shëndeti i njeriut.
Vetë zgjedh spitalet shtetërore apo private?
Shtetërore por, kur kam fat edhe privatet.
Marrëdhënia me dentistin…
E mirë. Nuk është se shkoj shpesh, por nuk e lë të arrijë në atë fazë sa të bëhet problem.
Merresh me palestër?
Më pëlqen, por nuk merrem dot. Çështje kohe, largësia.
Ti je pjesë e ekranit dhe e dimë që në ekran përgjithësisht promovohen figura estetikisht të bukura, jo “estetikisht” të zgjuara. Si e shikon këtë?
Është zgjedhje personale, nuk mund t’i gjykoj ata që bëjnë ndërhyrje estetike. Është një gjë që nuk më ka interesuar. Vetë nuk jam ndonjë figurë mjaft e bukur dhe tërheqëse. Ka njerëz që shkojnë dhe rregullojnë pjesë të ndryshme të fytyrës, heqin rrudhat, mbjellin flokët. Paraja ua krijon këtë komoditet dhe shumë mirë që kujdesen për veten. Nuk është turp të kujdesesh për veten. Pastaj se si dalin këto ndërhyrje, se sa e ekzagjerojnë, është tjetër gjë. Mua gjëja e bukur më pëlqen.
Për mjekësinë popullore ç’mendon?
E respektoj!
Respekt deri në përdorimin e një kamomili për qetësim nervash apo i respekton edhe kur bëhet fjalë për sëmundje të rëndësishme?
Unë nuk jam fort i angazhuar me këto problematika. Kam miq e shokë që merren me mjekësinë popullore. Thonë që ka rezultate. Mbaj mend një kushëririn tim nga Vlora i cili nuk rrinte dot në këmbë, as gjysmë ore, e kontrolluan në Vlorë, në Tiranë, vajti në Greqi, ilaçe pa hesap dhe si përfundim e çojmë te Arqile Boti. Ata kanë një përvojë të çuditshme. Kushëriri ishte dystaban nga këmbët.
Kam përkthyer një libër shumë interesant “Lexoni trupin tuaj: shëndeti sipas mjekësisë japoneze”.
Ata kanë një filozofi të çuditshme me atë që ne e quajmë mjekësi popullore . Ne zakonisht pasi bëjmë analizat e gjakut, urinës, grafi, skopi, shkojmë dhe kërkojmë shpëtim, kërkojmë mjek. Ata nuk merren me këto. Ata vetëm duke të parë, duke të dëgjuar, duke të nuhatur arrijnë të perceptojnë dhe të kuptojnë se cili organ i trupit është acaruar. Ata vetëm duke parë këpucët tuaja arrijnë të thonë se cili organ ju është acaruar. Pra, bota makroskopike e brendshme, del në atë mikroskopike të fytyrës, të duarve, të këmbëve etj.
Në Kinën e lashtë, doktori i mbretit kishte për detyrë të shikonte mbretin çdo ditë dhe nëse sëmurej mbreti, mjekut i pritej koka. Të gjitha shenjat që ia kishte dhënë më përpara në fytyrë, në duar, në këmbë gjithandej dhe ai duhet t’i lexonte. Dhe kjo vazhdon edhe sot në Kinë. Të vizituarit në mënyrë tradicionale. Ata jo se hedhin poshtë mënyrën tradicionale të ekzaminimit të sëmundjeve, megjithatë e bazon te kjo. Ata vetëm nëpërmjet rrudhave të ballit arrijnë të kuptojnë sesa i zgjuar, sa budalla, sa këmbëngulës je ti në jetë. Me anë të vetullave, prapë shikon shëndetin, me drejtimin e hundës shikojnë drejtimin e shtyllës kurrizore, te vrimat e hundëve shikojnë zhvillimin e mushkërive, ndërtimi i veshëve, i mjekrës, të thonë gjithçka për shëndetin. Është libër shumë interesant që unë kam që nga viti 2008 që e ribotoj.
Meqë ti i njeh gjuhën e trupit, arrin ta kuptosh kur ai po bën gjeste teknike apo kur është i natyrshëm?
Po, mund ta shikoj kur dikush është i nervozuar, kur po gënjen…
Nëse do të bëje një libër ku ti thoje të gjitha këto, do të kishe sukses…?
Shoqëria nuk do ta marrë për bazë atë që them unë, sepse është mësuar me pjesën që unë bëj shaka. E kam shumë të lehtë kur shikoj deputetët që ta kuptoj se kur po ia fut kot, ose kur do që t’i shmanget diçkaje, e kuptoj kur është i trajnuar, kur nuk është.
Te librin ‘Gjuha e trupit” gjithçka është e shpjeguar qartë dhe me figura. Se si do të dalësh në fotografi, në çfarë krahu duhet të rrish. Tani po bëj gati një tjetër libër. “48 ligjet e pushtetit” , është kryevepër. Historia botërore e 3000 vjetëve të fundit së luftës së pushtetit, në 600 faqe libër.
A kemi ne një lexues elitë?
Besoj që ka. Ka njerëz që lexojnë. Ky eksodi i shtëpive botuese për të nxjerrë si “diarre” libra, është mirë dhe keq. Përpiqem që librat që unë shkruaj apo perkthej, t’i rezistojnë kohës.
Foni, sot, në këtë intervistë, u zhveshe nga çdo lloj humori…
Jo, unë i veshur isha (qesh).
Më mirë në rolin e intervistuesit apo të intervistuarit?
Më mirë në rolin e intervistuesit. Është më e lehtë të intervistosh. Sepse ti kur interviston, ke disa armë. Ke pyetjen, ke aparatin e regjistrimit, ke atë “harkun e goditjes”. Kurse si i intervistuar nuk e di nga do të vijë ajo pyetje dhe sa shpuese do të jetë. Ti kishe dorë të lehtë. Faleminderit!



