Kryefaqja Të rinjtë Aktivitete Forumi i dytë “Lëviz për kopshtin tim”/ Përfaqësuesit e njësive: Më shumë...

Forumi i dytë “Lëviz për kopshtin tim”/ Përfaqësuesit e njësive: Më shumë buxhet në vitet në vijim!

0
Shpërndaje

 

Elena Beta

Mungesa e sistemit të ftohjes, nevoja për informimin e prindërve për standardet e kopshteve, prania e pakët e psikologut apo mjekut, si dhe mungesa e stafit të kualifikuar për të punuar me fëmijët me nevoja të veçantam ishin disa nga problemet që u shtruan gjatë forumit të dytë komunitar “Lëviz për Kopshtin Tim”

Forumi përfshiu kopshtet e njësisë bashkiake numër 6 të qytetit të Tiranës (Kopshti 21, 27K, 38, 34, 45) ku një pjesë e tyre janë përfshirë në nismën “Adopto një kopsht”. Të pranishëm ishin prindër të cilët kanë fëmijët në kopshte, drejtueset e kopshteve,  edukatoret, përfaqësues të këshillit bashkiak, përfaqësues të institucioneve, mjeku dhe psikologu, si dhe qytetarë të interesuar për më të mirën e fëmijëve dhe çfarë duhet përmirësuar në të ardhmen.

“Duke qenë se përfaqësoj zonën e Kombinatit, jam shumë i ndjeshëm ndaj çdo lloj problemi që mund të ketë kjo zonë, aq më tepër lidhur me kopshtet, prandaj dhe kam parë me kujdes situatën. Mund të them se njoh personalisht çdo drejtoreshë kopshti që ndodhet sot në këtë tryezë, dhe në bashkëpunim dhe me drejtoritë përkatëse jemi përpjekur të bëjmë më të mirën. Ndryshimi mes asaj që kemi gjetur dhe asaj që shumica prej këtyre kopshteve përfaqësojnë tani është e dukshme”. Kështu u shpreh z. Adriatik Merko, administrator i njësisë nr. 6 gjatë forumit të dytë komunitar “Lëviz për kopshtin tim”.

Merko theksoi situatën e kopshtit numër 34, i cili nga monitorimet e kryera rezultoi si tepër problematik (lexo këtu).

“Ky është një kopsht shumë i vjetër dhe është i uzurpuar nga familjarë. Së bashku me Bashkinë e Tiranës jemi në fazën e strehimit të 4 familjeve që aktualisht banojnë në një pjesë të ambienteve të kopshtit dhe shumë shpejt makthi i prindërve që kanë fëmijët në këtë kopsht do të marrë fund”, vijoi ai.

Gjatë prezantimit të rezultateve të nxjerra nga monitorimet e realizuara në 43 kopshtet e Tiranës, Arlinda Gjypi, menaxhere e programeve në shoqatën “Together for Life”, u shpreh se qëllimi i këtij projekti ishte të nxirrnin në pah zbatimin e standardeve fizike në kopshtet e kryeqytetit.

“Një nga gjërat që ne kemi vënë re është se shumë nga kopshtet të cilat janë të përfshita në rikonstruksion vazhdojnë të mos plotësojnë standardet e vendosura, e meqënëse kemi sot të pranishëm përfaqësues të pushtetit vendor, do të doja që diskutimi të përqëndrohet tek promblematikat aktuale dhe si mund të përmirësohen në vazhdim.

Drejtoresha e kopshtit nr. 38, Eneida foli për numrin e fëmijëve në kopsht, duke theksuar se aktualisht janë 25 fëmijë jashtë kapacitetit, si dhe theksoi situatën në ambientin e jashtëm të kopshtit dhe nevojën e më shumë lodrave në oborr.

I pranishëm në këtë forum ishte dhe përfaqësuesi i Këshillit Bashkiak, Fatmit Heti i cili foli rreth nismës ‘adopto një kopsht’ duke e cilësuar si një nismë shumë të mirë nga ana e Bashkisë.

“Të gjithë jemi prindër dhe duam kushtet më të mira për fëmijët apo nipërit dhe mbesat tanë. Kombinatin e ndan vetëm një rrugë nga zona e Sharrës dhe mund të them se situata këtu është shumë më e mirë se sa në Sharrë, ku edhe ato 2 kopshte ekzistente  janë në kushte të këqija. Prandaj vitin tjetër do të ketë më shumë buxhet për rregullimin e kopshteve. Bashkia ka pasur mbështetjen maksimale edhe të Këshillit Bashkiak, pa mbajtur krah politik, por sigurisht kemi nevojë dhe për kohë pasi nuk mund të rregullohet çdo gjë për një vit”, vijoi Heti.

Drejtoresha e kopshtit 21 K shtroi nevojën e pranisë së një çerdhe në zonën e Kombinatit, për shkak të mbipopullimit të  çerdhes aktuale, duke treguar dhe marrjen e 2 klasave nga kopshti 21 për t’u përdorur nga çerdhja e zonës.

Disa nga problemet që u shtruan gjatë diskutimit ishin mungesa e sistemit të ftohjes, nevoja për informimin e prindërve për standardet e kopshteve, prania e pakët e psikologut apo mjekut, si dhe mungesa e stafit të kualifikuar për të punuar me fëmijët me nevoja të veçanta.

Ardit Çela, përfaqësues i Këshillit Bashkiak, i pranishëm në këtë tryezë, si dhe banor i zonës së Kombinatit, foli për kryqëzimin e rrugës afër kopshteve, e cila konsiderohet si mjaft problematike e si burim i vazhdueshëm aksidentesh. Çela thksoi se brenda javës do të vijnë ekspertët e Bashkisë për të bërë matjet e për të filluar rregullimin  e këtij problemi duke vendosur mbrojtëset dhe semaforin. Ai përgëzoi nismën e Bashkisë për rikonstruktimin e një pjesë të konsiderueshme kopshtesh dhe foli për ndërtimin e kopshteve dhe çerdheve të tjera në mënyrë që të luftohet mbipopullimi dhe të ofrohen kushte më të mira për fëmijët e zonës.

Ky ishte forumi i dytë komunitar i organizuar në kuadër të projektit “Lëviz për kopshtin tim”, i cili zbatohet nga Shoqata ‘Together for Life’ dhe mbështetet nga Lëviz Albania me synimin për të nxitur angazhimin e qytetarëve të Tiranës për të ushtruar kontroll mbi vendimmarrjet dhe proceset këshillimore të Bashkisë për kopshtet e kryeqytetit./ Shendeti.com.al

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here