Kryefaqja Aktualitet Forumi i parë “Lëviz për Kopshtin Tim”: Më shumë standarde për të...

Forumi i parë “Lëviz për Kopshtin Tim”: Më shumë standarde për të ardhmen e fëmijëve!

0
Shpërndaje

 

Elena Beta

“Duke diskutuar për situatën e kopshteve, ne po luftojmë për fëmijët tanë, prandaj takime të tilla janë të rëndësishme për një të ardhme më të mirë për ta”. Kështu u shpreh Dorina Kuka, anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës, e pranishme në Forumin e Parë Komunitar të organizuar në kuadër të projektit “Lëviz për kopshtin tim” nga shoqata “Together for Life”, i cili mbështetet nga LëvizAlbania.

Forumi përfshiu kopshtet e njësisë bashkiake numër 3 të qytetit të Tiranës (Kopshti 1, 20, 22, 29, 60) ku një pjesë e tyre janë përfshirë në nismën “Adopto një kopsht”. Të pranishëm ishin prindër të cilët kanë fëmijët në kopshte, drejtueset e kopshteve,  edukatoret, përfaqësues të këshillit bashkiak, përfaqësues të institucioneve, mjeku dhe psikologu, si dhe qytetarë të interesuar për më të mirën e fëmijëve dhe çfarë duhet përmirësuar në të ardhmen.

Gjatë diskutimit tepër aktiv, Arlinda Gjypi, menaxhere e programeve në shoqatën “Together for Life”, prezantoi disa nga rezultatet e monitorimeve dhe anketimeve të kryera nga kjo shoqatë në kopshtet e Tiranës, të cilat synuan që të nxirrnin në pah zbatimin e standardeve fizike në 43 kopshtet e kryeqytetit.

“Ne kemi nxjerrë disa të dhëna të rëndësishme ku tregohen standardet e plotësuara dhe të paplotësuara në kopshtet e Tiranës. Sot këtu jemi për t’ju dhënë zë pikërisht juve që jeni prindër, edukatorë dhe që jeni çdo ditë me fëmijët. Duam të bëjmë të mundur që zëri juaj të dëgjohet nga drejtuesit e pushtetit vendor për të përmirësuar pikërisht situatën në të cilën ndodhen sot kopshtet e Tiranës”, u shpreh Gjypi.

Më pas, fjala u kaloi prindërve dhe edukatorëve, si dhe drejtueseve të kopshteve. “Kopshti ku çoj fëmijën tim ka problem mbikapacitetin. Janë shumë fëmijë dhe pak edukatorë. Ana fizike në këtë kopsht është rregulluar disi me investimet e fundit, por sërish ka probleme”, u shpreh Elton Shehu, kryetar i bordit të prindërve në kopshtin nr.20.

Altina Broka, drejtoresha e Kopshtit numër 60, i cili edhe nga të dhënat e mbledhura nga shoqata “Together for Life” ka rezultuar si një nga kopshtet më problematike, kërkoi nga përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak një parashtrim të situatës në mbledhjet e Këshillit.

Numri i ulët i kopshteve, numri i lartë i fëmijëve, mungesa e një mësuesi ndihmës, sidomos në rastet e fëmijëve me nevoja të veçanta apo tek fëmijët me probleme sociale, nevoja për lodra të parrezikshme brenda dhe jashtë ambienteve të kopshtit, krevate të vendosura sipas standardeve, kontributet që jepen nga prindërit, ishin disa nga prombemet që u parashtruan gjatë diskutimit si nga edukatoret dhe drejtueset e kopshteve, ashtu edhe nga vetë prindërit.

Mateo Spaho, anëtar i Këshillit Bashkiak u shpreh se ai së bashku me anëtarët e tjerë të pranishëm do të përpilojnë një kërkese drejtuar kreut të Këshillit Bashkiak ku të kërkohet se sa është kostoja për të vendosur kopshtet brenda standardeve, në mënyrë që pastaj të llogaritet fillimi i punës. Edhe anëtarja e këshillit Floida Kërpaçi, u shpreh se shpresonte që nga forumet të dilnin problematikat e çdo kopshti, në mënyrë që më pas ata të kërkonin ndërhyrjet në rastet më emergjente.

Ky ishte i pari nga 4 forume që do të organizohen në 4 njësi bashkiake të ndryshme të Tiranës. Këto forume organizohen në kuadër të projektit “Lëviz për kopshtin tim”, i cili zbatohet nga Shoqata Together for Life dhe mbështetet nga LëvizAlbania me synimin për të  nxitur angazhimin e qytetarëve të Tiranës për të ushtruar kontroll mbi vendimarrjet dhe proceset këshillimore të bashkisë për kopshtet e kryeqytetit./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here