Intervistë me Fran Frrokaj, kandidat i djathtë në Bashkinë Lezhë
Cilat janë planet tuaja lidhur me mjedisin?
Mjedisi do të jetë prioriteti në Bashkinë e re të Lezhës, pasi është një nga pikat kryesore në programin tim. Është pikërisht ky mjedis i cili është shkatërruar plotësisht nga kryetari aktual i bashkisë me paramendim. Lezha mund të jetë qyteti më i ndotur dhe më i papastër në të gjithë vendin tonë dhe kjo kërkon një ndërhyrje emergjente. Mjedisi në Lezhë është menaxhuar në mënyrën më skandaloze në këto 8 vite.
Sa për qind të buxhetit do të zërë mjedisi?
Në shtator pritet të dalë një ligj i ri për pushtetin vendor dhe do të shikohen edhe kompetencat që i jep pushtetit vendor ky ligj. Mua për Komunën Shënkoll që drejtoj, më ka mjaftuar buxheti për mjedisin dhe me të njëjtin vizion do të vazhdoj të punoj edhe për Bashkinë e Lezhës.
Lezha është një qytet që ka të ardhura dhe nuk ka pse të ketë shumë shpenzime, por kjo ndodh pasi administrata aktuale e bashkisë është tepër e fryrë.
A keni biseduar me një grup ekspertësh për problemet më të mprehta të qytetit? Si do t’i realizoni?
Normalisht qyteti ka probleme shumë me mjedisin, por është ende herët që të flas. Duhet të them se kam biseduar me një grup ekspertësh për problemet më të mprehta që ky qytet ka, dhe të gjitha këto do të jenë në programin tim elektoral. Në gjithë këto probleme do të marrin zgjidhje nëse unë do jem në krye të bashkisë pas 21-qershorit.
Ligji “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve” parashikon grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në çdo bashki brenda vitit 2018. Si do ta realizoni?
Normalisht ky është një projekt mjaft i rëndësishëm dhe një sfidë për të gjithë vendet evropiane. Duhet të them se kjo nuk është e pamundur, por duhet vullnet për ta realizuar. Në qytetin e Lezhës aplikohet një projekt i tillë prej disa vitesh, por duhet të them se ka dështuar plotësisht ndonëse janë harxhuar miliona lekë për ta realizuar. Sot Lezha është qyteti më i ndotur në vendin tonë dhe kjo kërkon një vëmendje për t’i dhënë fund kësaj situate dhe kjo do të jetë në prioritetin tim.
Gjelbërimi vazhdon të mbetet problem për çdo bashki. A përfshihet kjo në planet tuaja dhe çfarë konkretisht?
Është mëse e vërtetë dhe Lezha mban rekord për këtë fenomen. Në Lezhë nuk kemi asnjë hapësirë të gjelbërt, pasi të gjitha janë zaptuar me ndërtime. Janë dhënë leje ndërtimi kudo dhe sot në Lezhë nuk ke vend as të parkosh makinën, pasi të gjitha hapësirat janë zaptuar. Kjo duket se është bërë me qëllim nga ana e kreut të Bashkisë, i cili siç duket nuk e do qytetin e tij. Kjo është një situatë e papranueshme, pasi gjithçka është betonizur dhe unë do ta kem përparësi një gjë të tillë. Në programin tim do të jetë e qartë kjo çështje dhe do tju rikthejmë qytetarëve hapësirat publike të cilët i mungojnë këtij qyteti.
Sa i takon energjive të rinovueshme të cilat janë prioritet i vendeve të Bashkimit Evropian, a do keni ndonjë strategji për zhvillimin e tyre?
Këtu ka shumë energji të rinovueshme, edhe në Komunën Shënkoll, por edhe në zona të tjera. Ka patur shumë interes nga kompanitë e huaja dhe unë kam patur kontakte të vazhdueshme me ta dhe i kam lehtësuar nga të gjitha burokracitë.
Kjo zonë mund të themi se është një minierë për erërat të cilat mund të prodhojnë energji elektrike dhe është me një kosto mjaft të ulët. Unë do vazhdoj të kem kontakte me ta dhe ky është padyshim një prioritet imi.
Ujërat e Lumit Drin janë tërësisht të ndotura, pasi derdhen ujërat e zeza të qytetit në të. Si do të zgjidhet ky problem?
Ky është një problem mjaft shqetësues dhe unë do të interesohem pse impianti nuk funsionon. Ky do jetë një prioritet i imi, pasi është e pafalshme që ujërat të derdhen në lumë dhe më pas në det. Kjo ka qenë mungesë vullneti se ky problem do të kishte marrë me kohë zgjidhje, pasi kjo zonë është mjaft e frekuentuar.
Në Lezhë pemët e vjetra të zëvendësohen me të reja dhe kjo është konsideruar si masakër nga qytetarët. Ju si do të veproni nëse do të jeni në krye të bashkisë?
Unë mendoj se zgjidhja më e mirë për Lezhën është që të ndërrojë kryetari i Bashkisë, pasi sëbashku me këtë do të funksionojnë edhe të gjitha të tjerat. Për mua është një turp i madh për atë që ka bërë atë masakër në këtë qytet, pasi më kanë ardhur shumë reagime edhe nga vetë qytetarët nëpërmjet rrjeteve sociale. Unë nuk e kuptoj që një pemë që është bërë 50 apo 60-vjeçare të zëvendësohet të pritet me një të rënë të gishti. Kjo është e papranueshme. Po kërkojnë që Lezha të jetë atraktive për turizëm, por harrojnë se më parë duhet ta gëzojnë lezhjanët dhe unë asnjëherë nuk do e kisha bërë një gjë të tillë në prerjen e pemëve.



