Kryefaqja Lajm kryesor Frika nga dentisti, si ta menaxhojmë

Frika nga dentisti, si ta menaxhojmë

0
Shpërndaje

Dr. Lorena Duri, mjeke stomatologe

Është një fakt i pamohueshëm se kur përmendim në diskutimet tona fjalët “klinikë dentare”, “dentist/e”, “dhimbje dhëmbi”, “konsultë dentare”, shumica e individëve shfaqin frikë, stres dhe ankth që manifestohet në mimikë apo në fjalë e gjeste, madje tek disa rriten të rrahurat e zemrës, fillojnë djersitin e zbehen. Ky fenomen është akoma më i prekshëm në përditshmërinë tonë si mjekë stomatologë. Çdo ditë të punës sonë hasim pacientë të cilët shfaqin frikë dhe ankth kur ulen në poltron. Këta pacientë i ndajmë në dy kategori: Fëmijë dhe të rritur të cilët kanë pasur eksperienca jo të mira tek dentisti në të kaluarën. Për sa i përket kategorisë së parë e cila përfshin fëmijët, mund të themi se përfshin grupin më të vështirë të pacientëve për ne mjekët. Kjo, jo vetëm për faktin se ata nuk janë në gjendje të komunikojnë saktë atë çka ndiejnë dhe i shqetëson, por kërkon një bashkëpunim të mirë me prindërit, roli i të cilëve është kyç në këtë bashkëpunim. E theksojmë këtë të fundit pasi janë të shpeshta rastet kur fëmija i cili paraqitet për herë të parë në një klinikë dentare, sapo hyn, qan dhe bërtet pa asnjë shkak.

Kjo është një e dhënë që prindërit në shtëpi e negativizon figurën e mjekut duke përdorur shprehje të tipit “të çova tek doktori “, pa e kuptuar se ç’dëm po i shkaktojnë bashkëpunimit mjek-fëmijë. Prindi duhet t’i flasë fëmijës që në vegjëli në lidhje me figurën e mjekut dhe t’i shpjegojë atij rëndësinë e mjekut i cili e shëron, e qetëson fëmijën dhe nuk është një figurë që i shkakton dëm apo frikë fëmijës. Nëse prindi e edukon me këtë mënyrë, fëmija bindet më lehtë që të pranojë të mjekojë në kohë dhëmbët dhe për pasojë të shmangen efektet negative të mos mjekimit në kohë të dhëmbëve.

Prindi gjithashtu duhet të jetë i rregullt në lidhje me kontrollet periodike të fëmijës tek dentisti (çdo 6 muaj ) dhe jo ta shoqërojë tek mjeku vetëm në rastet kur fëmija e zgjon nga gjumi sepse i dhemb dhëmbi. Pra, është detyrë e prindit t’i transmetojë fëmijës një kulturë dentare që në vegjëli dhe nga ana tjetër mjeku duhet ta përforcojë këtë punë që prindi ka bërë duke e trajtuar fëmijën me durim e dashuri. Përveç fëmijëve, është një numër i madh të rriturish të cilët kanë frikë nga dentisti dhe i lënë dhëmbët për një kohë të gjatë pa mjekuar.

Një pjesë e mirë e tyre e kanë mbartur këtë frikë që nga fëmijëria, ndërsa pjesa tjetër e lidhin këtë frikë me një eksperiencë të mëparshme të dhimbshme. Është e vërtetë që disa vite më parë njohuritë në fushën e stomatologjisë ishin të kufizuara, po ashtu dhe teknologjia në këtë fushë. Shumë manipulime dentare ishin të dhimbshme sepse anestezi nuk kishte. Në ditët e sotme, shkenca dhe teknologjia ka përparuar dhe frika ndaj dentistit nuk është më e justifikuar. Anestezia dhe llojet e saj janë perfeksionuar, aget gjithashtu, në mënyrë që dhimbja gjatë bërjes së anestezisë të jetë e papërfillshme. Pajisjet dhe poltronat dentarë janë më komodë dhe bëjnë më pak zhurmë, gjithashtu pacienti mund të dëgjojë muzikë gjatë procesit të punës, nëse është i ndjeshëm ndaj zhurmave. Sot klinikat dentare janë dizenjuar në mënyrë të tillë që e bëjnë ambientin më paqësor dhe më relaksues për pacientët.

Me pak fjalë, në ditët e sotme nuk ka asnjë arsye konkrete për të pasur frikë nga dentisti. Ekziston një kategori e veçantë pacientësh të cilët kanë një frikë shumë të madhe, të cilët edhe pse zhvillojnë seanca të tëra këshillimi me dentistin nuk pranojnë kurrsesi të mjekojnë dhëmbët, ata vijnë disa herë në klinikë dhe largohen përsëri pa bërë asnjë mjekim dentar për shkak të frikës së ekzagjeruar. Këta quhen pacientë fobikë dhe kërkojnë mjekim të përgjithshëm me psikoterapi dhe ilaçe.

Disa këshilla për pacientët në lidhje me menaxhimin e frikës dhe ankthit nga dentisti:

  • Është mjaft e rëndësishme të kuptohet që frika dhe ankthi nuk e zgjidh problemin e shëndetit oral, përkundrazi e përkeqëson. Nëse dhëmbët nuk mjekohen atëherë struktura e tyre shkatërrohet vazhdimisht derisa dhëmbi bëhet i pavlefshëm dhe hiqet.
  • Diagnostikimi i hershëm i problemeve dhëmbore i kursen pacientit dhimbjen ,kohën dhe lekët.
  • Frika dhe ankthi nuk bazohet në diçka konkrete dhe pacienti duhet të punojë me veten në këtë pikë.
  • Para se të vendosni të kryeni ndonjë procedurë dentare lini një takim me mjekun dhe flisni me të në lidhje me frikërat tuaja.
  • Një ditë para se të shkoni të mjekoni dhëmbët, ushqehuni mirë me një dietë të pasur me proteina (rrisin prodhimin e lëndëve qetësuese për organizmin), eliminoni pijet me kafeinë të cilat rrisin ankthin, pushoni sa më shumë dhe flini herët.
  • Ditën që do të shkoni tek dentisti dëgjoni këngët tuaja të preferuara ose mund t’ia kërkoni dentistit t’i vendosë në sfond që t’i dëgjoni./ Shendeti.com.al

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here