Gastriti, faktorët që e përkeqësojnë

Përshtati në shqip: Blertina Koka

Gastriti është një term i përgjithshëm për një sërë gjendjesh shëndetësore me një të përbashkët: inflamacioni i shtresës së brendshme të stomakut. Shkaktari kryesor i gastritit është infeksioni bakterial nga helikobakter pylori. Përdorimi i rregullt i ilaçeve të caktuara për lehtësimin e dhimbjeve dhe abuzimi me alkoolin mund të shkaktojnë gjithashtu gastrit.

Gastriti mund të shfaqet papritur (gastriti akut), ose ngadalë me kalimin e kohës (gastriti kronik). Në disa raste, gastriti mund të shkaktojë ulcerë dhe rrit rrezikun e zhvillimit të kancerit të stomakut. Megjithatë, në shumicën e rasteve gastriti nuk është serioz dhe mund të kurohet me anë të një trajtimi të shpejtë.

Simptomat

Shenjat dhe simptomat e gastritit janë:

  • Gërryerje ose ndjesi djegie dhe dhimbje në pjesën e sipërme të stomakut, që mund të përkeqësohet ose përmirësohet me ngrënien.
  • Të përziera
  • Të vjella
  • Ndjesi e fryrjes në pjesën e sipërme të barkut pasi keni ngrënë

Kur duhet të vizitoheni tek mjeku?

Çdonjëri prej nesh ka pasur probleme me tretjen dhe acarim të stomakut. Pjesa më e madhe e këtyre rasteve zgjasin pak ditë dhe nuk kërkojnë kujdes mjekësor. Duhet të vizitoheni tek mjeku nëse shenjat dhe simptomat e gastritit zgjasin më shumë se një javë. Konsultohuni me mjekun nëse problemet në stomak shfaqen kur merrni ilaçe të ndryshme (me ose pa recetë), sidomos aspirinë ose ilaçe të tjera për lehtësimin e dhimbjeve.

Nëse villni gjak, keni gjak në jashtëqitje ose kjo e fundit është në ngjyrë shumë të errët, vizitohuni tek mjeku menjëherë për të përcaktuar shkaktarin.

Shkaktarët

Gastriti është inflamacion i shtresës së brendshme të stomakut. Ligështia ose dëmtimi i shtresës që mbron muret e stomakut (mukoza) lejon lëngjet tretëse të dëmtojnë dhe inflamojnë pjesën e brendshme të stomakut. Një sërë sëmundjesh dhe gjendjesh mund të rrisin rrezikun e gastritit, si sëmundja Crohn dhe sarkoidoza, një gjendje kur qelizat inflamatore rriten në trup.

Faktorët e rrezikut

Faktorët që mund të rrisin rrezikun e gastritit janë:

Infeksioni bakterial: Edhe pse infeksioni me bakterin “Helicobacter pylori’ është një nga infeksionet më të përhapura tek njerëzit, vetëm disa prej tyre preken nga gastriti ose probleme të tjera gastrointestinale.

Rreziku për t’u prekur nga ky bakter, sipas mjekëve, lidhet me trashëgimin dhe mënyrën e jetesës, si dieta ushqimore ose duhanpirja.

Përdorimi i rregull i ilaçeve për lehtësimin e dhimbjeve – Ilaçet e zakonshme për lehtësimin e dhimbjeve, si aspirina, ibuprofeni (Advil, Motrin IB, etj) dhe naprokseni (Aleve, Anaprox) – mund të shkaktojë si gastrit akut ose kronik. Përdorimi i këtyre ilaçeve rregullisht ose mbidoza e tyre mund të pakësojë një substancë të rëndësishme që mbron shtresën e brendshme të stomakut.

Mosha e vjetër – Të moshuarit janë më të rrezikuar nga gastriti duke qenë se shtresa  brendshme e stomakut fillon të hollohet me kalimin e moshës. Ata janë gjithashtu më të rrezikuar të preken nga infeksioni H. pylori ose sëmundje autoimunitare, krahasuar me të rinjtë.

Abuzimi me alkoolin – Alkooli mund të acarojë dhe gërryej shtesën e brendshme të stomakut, duke e bërë më të ndjeshme ndaj lëngjeve tretëse. Përdorimi i tepërt i alkoolit mund të shkaktojë gjithashtu gastrit akut.

Stresi – Gjendjet stresuese të shkaktuara nga dëmtimet, djegiet, operacioni ose infeksione të caktuara mund të shkaktojnë gastrit akut.

Vetë trupi sulmon qelizat në stomak – E quajtur gastriti autoimun, ky lloj gastriti ndodh kur trupi sulmon qelizat që rrethojnë pjesën e brendshme të stomakut.

Gastriti autoimun është më i zakonshëm tek njerëzit me sëmundje autoimunitare, si sëmundja Hashimoto dhe diabeti i tipit 1. Gastriti autoimun mund të lidhet gjithashtu me mungesën e vitaminës B12.

Sëmundje dhe gjendje të tjera shëndetësore – Gastriti mund të lidhet me gjendje të tjera mjekësore, si HIV/AIDS, sëmundja Crohn dhe infeksionet parazitare.

Ndërlikimet

Nëse lihet pa trajtuar, gastriti mund të shkaktojë ulcerë të stomakut dhe gjakderdhje. Në raste më të rralla, disa forma të gastritit kronik mund të rrisin rrezikun e kancerit të stomakut, sidomos nëse keni shtresë shumë të hollë të pjesës së brendshme të stomakut dhe ndryshime në qelizat rrethuese. Vini në dijeni mjekun nëse shenjat dhe simptomat nuk përmirësohen edhe pse keni marrë mjekime për gastritin.

 Burimi: Mayo Clinic / Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën