Gastro-hepatologjia, prej dy javësh pa shërbim kolonoskopie

QSUT 6-kateshiEsido Barkaj

Prej dy javësh asnjë pacient i shtruar në pavionin e gastro-hepatologjisë nuk mund të marrë shërbimin e plotë të kolonoskopisë. Shkak për këtë është bërë prishja e një valvule të aparaturës, e cila është tepër e kushtueshme. Pacientët shprehen të pakënaqur, pasi për ta është e lodhshme që këtë shërbim ta marrin në një godinë tjetër. Njëri prej tyre e solli problemin edhe në gazetën “Shëndet+”.

Në një prononcim për këtë gazetë, shefja e pavionit Adriana Babameto u shpreh se situata është nën kontroll, pasi pacientët që e kanë të nevojshëm këtë shërbim, dërgohen në pavionin e kirurgjisë në të cilën ndodhet një aparaturë tjetër.

Ndërkohë që për situatën  është vënë në dijeni drejtoria e QSUT-së, e cila pritet të marrë masat e duhura për zgjidhjen e këtij problemi sa më shpejt.

Pajisja e kolonoskopisë në pavionin e gastrohepatologjisë është prishur. Sa kohë ka që kjo aparaturë nuk funksionon?

Ka rreth 2 javë që nuk bëjmë kolonoskopi të plotë. Shkak është thyerja e njërës prej valvulave të drejtimit, e cila duhet të rregullohet.

Si po funksionon me pacientët që duan ta marrin këtë shërbim?

Pacientët që kanë nevojë për një endoskopi të poshtme të pjesshme, sepse kjo varet nga gjykimi që bën specialist, realizohet pranë këtij shërbimi. Ndërsa për kolonoskopinë e plotë, i zgjidhim të gjitha problemet tona në marrëveshje me shërbimin e kirurgjisë që e disponojnë këtë aparaturë. Ne kemi një orar të caktuar ku mjekët tanë shkojnë pranë këtij kabineti për të realizuar shërbimin e plotë.

A përballohet fluksi i pacientëve nga një aparaturë e vetme për të dyja pavionet?

Ne po e përballojmë për pacientët tonë që i kemi të shtruar. Ne bëjmë rreth 4 kolonoskopi në ditë, ndërsa fluksi së bashku me kirurgjinë mund të shkojë rreth 30 në ditë. Drejtoria e ka vënë në prioritet për ta rregulluar këtë aparat brenda ose jashtë Shqipërisë.

Është vënë në dijeni Ministria e Shëndetësisë?

Ne nuk kemi pse të shkojmë në ministri, pasi me Ministrinë e Shëndetësisë merret drejtoria.

Postime të ngjashme

Nobeli i Mjekësisë shkon për “çelësin e dritës” që ndez dhe fik neuronet
Gjashtë fëmijë të një kopshti përfundojnë në spital në Korçë, dyshohet për helmim
829 raste të reja me kancer gjiri në 2025, ISHP: Ulet vdekshmëria, ja qarqet me incidencën më të lartë
Vitamina D3: Përfitime për shëndetin dhe si ta merrni në mënyrën e duhur
Uri fizike apo emocionale? Endokrinologia shpjegon si ta kuptoni pse po hani
Dërgonin pacientë me kancer në klinikat private, SPAK mbyll hetimet për Onkologjikun
Fruthi rikthehet fuqishëm në SHBA, 5 viktima në Pensilvani/ Mbi 3,650 raste gjatë vitit 2026
Mjekja: Obeziteti te moshat pediatrike, kambanë alarmi