Kryefaqja Femijet Gastroenteriti tek fëmijët, trajtimi dhe parandalimi

Gastroenteriti tek fëmijët, trajtimi dhe parandalimi

0
Shpërndaje

Griselda Toçi, pediatre pranë poliklinikës nr.4, Tiranë

Sëmundjet infektive pediatrike janë një sfidë për mjekun pediatër dhe gjithashtu një ndikim dhe stres i rëndësishëm në jetën familjare. Gastroenteriti, nganjëherë i cilësuar si “grip i stomakut” (për shkak të etiologjisë kryesisht virale) është çrregullimi më i zakonshëm i tretjes në grupmoshat pediatrike. Gastroenteriti është një infeksion i zorrëve që shkakton diarre dhe mund të shoqërohet me  simptoma të tilla si të vjella dhe dhimbje barku. Në shumicën e rasteve infeksioni zhduket brenda pak ditësh, por nganjëherë zgjat më shumë. Rreziku kryesor është humbja e lëngjeve nga organizmi ose, siç quhet ndryshe, dehidratimi. Trajtimi kryesor është t’i jepni fëmijës tuaj sa më shumë lëngje për të pirë, ku bëjnë pjesë dhe tretësirat speciale rehidratuese siç është Tresoli. Pasi është realizuar hidratimi i mjaftueshëm, fëmija duhet të hajë sa më normalisht të jetë e mundur. Duhet kërkuar konsulta e mjekut pediatër nëse dyshohet se fëmija po dehidratohet ose nëse paraqet simptoma shqetësuese.

Çfarë është gastroenteriti?

Gastroenteriti është një inflamacion i traktit tretës i karakterizuar nga diarre (mbi 3 jashtëqitje ujore brenda 24 orëve), të vjella ose një kombinim i të dyjave dhe nga dhimbje barku, ethe dhe mungesë oreksi.

Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë të gastroenteritit?

Gastroenteriti zakonisht shkaktohet nga një infeksion viral, bakterial ose parazitar.
Viruse të tilla si rotavirusi janë shkaku më i zakonshëm i gastroenteritit. Gjithashtu adenoviruset janë cilësuar si shkaktarë të shpeshtë. Fëmijët zakonisht e marrin virusin shkaktar të gastroenteritit nga fëmijët e tjerë që kanë qenë të sëmurë me gastroenterit ose që kanë qenë të ekspozuar ndaj virusit në ambiente të tilla si ato në qendrat e kujdesit të fëmijëve, shkolla dhe mjedise të tjera ku ka mbipopullim. Gastroenteriti viral përgjithësisht përhapet me rrugë fekal-orale, nëpërmjet kontaminimit të duarve dhe higjienës së dobët (prekja e lodrave dhe futja e gishtave dhe duarve në gojë), por gjithashtu mund të përhapet nëpërmjet teshtimës apo pështymës.

Bakteret (si Escherichia coli, Salmonella ose Shigella) dhe parazitët (si Giardia) gjithashtu mund të shkaktojnë gastroenterit. Fëmijët mund ta marrin infeksionin bakterial nëpërmjet prekjes ose ngrënies së ushqimeve të kontaminuara, veçanërisht mish apo vezë të papërpunuara ose të përpunuara në mënyrë joadekuate, pirja e qumështit ose lëngut të papasterizuar dhe prekja e kafshëve që bartin baktere të caktuara.

Bakteret mund të rriten në shumë lloje të ushqimesh të lëna jashtë frigoriferit (ushqimi i marrë në piknik). Nëse bakteret “stafilokok” infektojnë ushqimin, shfaqet një situatë e papritur me të vjella dhe diarre për shkak të toksinës përmbajtëse të bakterit. Gastroenteriti i shkaktuar nga ushqimi që përmban mikroorganizma ose toksina bakteriale quhet helmim me ushqim.

Fëmijët mund të preken nga gastroenteritet bakteriale ose parazitare nëpërmjet transmetimit të infeksionit nga qentë apo macet me diarre, gëlltitja e ujit të ndotur të puseve apo pishinave. Herë pas here, gastroenteriti shkaktohet kur fëmijët përtypin gjëra që nuk duhen ngrënë, siç janë bimët e ndryshme në natyrë. Rrallë gastroenteriti mund të shfaqet si pasojë e një gjendje alergjike (gastroenteriti eozinofilik).

Cilat janë shfaqjet klinike dhe si vendoset diagnoza ?

Simptomat zakonisht janë një kombinim i të  vjellave, diarresë, dhimbjeve të barkut, etheve dhe oreksit të dobët. Zakonisht të vjellat (disa herë në ditë) mbizotërojnë në fillim të sëmundjes, veçanërisht kur shkaku është viral. Diarreja (7-8 herë në ditë) bëhet më e spikatur më vonë, por disa fëmijë i kanë të dyja në të njëjtën kohë. Në shkaqet virale, diarreja e ujshme mund të jetë simptoma kryesore. Diarreja me erë të rëndë, me përmbajtje mukusi e gjaku është karakteristike sidomos ne rastet kur si shkaktar janë agjentët bakterialë. Këto simptoma janë më të lehta tek fëmijët që kompesojnë humbjen diarreike dhe të të vjellave  nëpërmjet konsumimit të lëngjeve të mjaftueshme. Komplikimi më i shpeshtë i gastroenteriteve të rënda është dehidratimi, që ndodh kur lëngjet humbasin nëpërmjet të vjellave dhe diarresë. Fëmijët të cilët janë pak të dehidratuar kanë etje të shtuar, por fëmijët me dehidratim të rëndë shfaqin simptoma si  nervozitet ose gjendje gjumi (letargji). Foshnjat kanë më shumë gjasa sesa fëmijët më të rritur në moshë  të dehidratohen dhe të zhvillojnë efekte anësore serioze. Në varësi të shkakut fëmija mund të ketë temperaturë madje deri në konvulsione.

Diagnoza e gastroenteritit bazohet në simptomat e fëmijës dhe në përgjigjet e prindërve për pyetjet rreth asaj se me çfarë është ekspozuar fëmija. Zakonisht nuk nevojiten analiza diagnostike sepse format e lehta të gastroenteritit zgjatin një kohë të shkurtër dhe menaxhohen mirë. Megjithatë, testet laboratorike të përgjithshme (ekzaminimi i gjakut, bilanci elektroliteve, koprokultura) mund të ndihmojnë në përcaktimin e  shkakut të gastroenteritit dhe të identifikojnë ndonjë çekuilibër të elektroliteve dhe përbërësve të tjerë të gjakut.

Si ta kuptojmë që fëmija po dehidratohet?

Diarreja dhe të vjellat mund të shkaktojnë mungesë të lëngjeve në organizëm (dehidratim). Dehidratimi i rëndë mund të jetë fatal nëse nuk trajtohet shpejt sepse organet e trupit kanë nevojë për një sasi të caktuar të lëngjeve për të funksionuar normalisht.

Konsultohuni me mjekun pediatër nëse fëmija:

urinon në sasi të pakët (këtë e konstatojmë tek lagia e pelenave në rastet e foshnjave),

ka tharje të gojës, gjuhës dhe buzë të thata,

ka pakësim të lotëve gjatë qarjes,

bëhet i përgjumur dhe pa energji,

lëkura është e zbehtë,

ka duar ose këmbë të ftohta dhe

nëse ka frymëmarrje të shpeshta por të cekëta.

Cilat janë grupmoshat më të riskuara për të zhvilluar ndërlikime gjatë gastroenteriteve?

Grupmoshat më të riskuara për të zhvilluar një klinikë të rëndë janë kryesisht bebet nën moshën 1 vjeç (dhe veçanërisht ato nën 6 muaj). Kjo për shkak se foshnjat nuk kanë nevojë të humbasin shumë lëngje për të humbur një pjesë të konsiderueshme të lëngut total të trupit të tyre. Bebet nën moshën njëvjeçare ,të cilët kanë lindur nën peshë dhe nuk e kanë arritur ende peshën e tyre. Gjithashtu i riskuar është çdo foshnje ose fëmijë me diarre të rëndë dhe të vjella, veçanërisht nëse ka gjashtë ose më shumë episode diarreike, tre ose më shumë episode të vjellash gjatë 24 orëve të fundit.

Kur duhet të kërkohet ndihma mjekësore për gastroenteritet ?

Shumica e fëmijëve që kanë gastroenterit kanë simptoma të lehta që përmirësohen brenda pak ditësh. Gjëja më e rëndësishme është të sigurohemi se po marrin mjaftueshëm lëngje për të pirë dhe në pjesën më të madhe të rasteve nuk ka nevojë për ndihmë mjekësore . Sidoqoftë , duhet ndihma e mjekut në situatat e mëposhtme:

  • Nëse fëmija është nën moshën 6 muaj.
    • Nëse fëmija vuan nga patologji të tjera shoqëruese siç janë për shembull, problemet e zemrës ose veshkave, diabeti, historia e lindjes së parakohshme.
    • Nëse fëmija ka temperaturë të lartë (ethe).
    • Nëse dyshoni që fëmija po dehidrohet, pra po humb shume lëngje të organizmit nëpërmjet të vjellave apo diarresë.
    • Nëse fëmija duket i përgjumur ose i hutuar.
    • Nëse fëmija ka te vjella dhe diarre qe nuk ndalon .
    • Nëse ka diarre ose vjellje me përmbajtje gjaku.
    • Nëse fëmija ka dhimbje barku .
    • Nese infeksioni është marrë jashtë vendit gjatë ndonjë udhëtimi.
  • Nëse ndjeni se gjendja e femijes po përkeqësohet ( kush me mire se prindi është i vëmendshëm ndaj çdo detaji përkeqësues të fëmijës ).
    • Nëse simptomat nuk qetësohen (për shembull , të vjellat zgjasin më shumë se 1-2 ditë ose diarreja nuk qetesohet dhe pas 3-4 ditëve).

Si trajtohen gastroenteritet?

Trekëndëshi pediatrik mjek-fëmijë-prind është mjaft i rëndësishëm në informimin e prindit për menaxhimin dhe raportimin e duhur të gastroenteritit . Synimi parësor është të pengohet dehidratimi i fëmijes dhe kjo realizohet nëpërmjet dhënies së lëngjeve , përgatitjeve në kushte shtepie siç janë supa , lëngu orizit, kosi , ujë i thjeshtë ose solucione standarte të parapërgatitura si Tresoli.

Foshnjat duhet të vazhdojnë të ushqehen me  gji ose të pinë formulën.

Tek fëmijet nën 2 vjeç lëngjet jepen 50-100 ml pas çdo dalje diarreike me luge kafeje çdo 1-2 minuta , tek fëmijët 2-10 vjeç jepen 100-200ml pas cdo dalje diarreike.

Nese fëmija e vjell, rijepen lëngjet pas të vjellave deri në ndërprerjen e diarresë.

Dieta hidrike nuk duhet te zgjasë më shumë se 12-24 orë  dhe duhet kaluar në riushqyerjen e fëmijes me ushqime kalorike dhe antidiarreike si oriz, karota, banane dhe më pas bëhet kalimi në ushqim të plotë . Tek femijet nen 6 muaj dhënia e gjirit nuk duhet të ndërpritet në asnjë mënyrë dhe tek fëmijët mbi 6 muaj krahas ushqyerjes me gji të jepen ushqime plotësuese deri ne 6 herë në ditë.

Lëngjet me përmbajtje sode, pijet e gazuara, pijet energjike dhe pijet që përmbajnë kafeinë nuk duhet të jepen pasi këto pije përmbajnë shumë sheqer dhe mund ta përkeqësojnë diarrenë .

Në rastet e formave të rënda të gastroenteritit kur nevojitet asistencë mjekësore si në rastet e cituara më sipër hidratimi kryhet nëpërmjet perfuzioneve intravenoze dhe realizohet mjekimi specifik duke luftuar agjentin shkaktar në rastet e nevojshme.

Barnat antidiarreike të tilla si loperamide zakonisht nuk rekomandohen për fëmijët.

Nuk rekomandohet dhënia e medikamenteve kundër të vjellave tek infantët dhe fëmijët pasi mund të provokojnë reaksione distonike (kontraktime të forta dhe të pavullnetshme të muskujve ).

Në 80 % të rasteve shkaktohen nga viruset dhe nuk justifikohet dhënia rutinë e antibiotikëve. Jepen antibiotikë vetëm në rastet kur dyshohet për shkaktar bakterial dhe antiparazitarë në rastet e shkaktarëve parazitarë.
Probiotikët, të tilla si lactobacillus (zakonisht i pranishëm në kos), mund të shkurtojnë kohëzgjatjen e diarresë nëse merren shpejt pas fillimit të sëmundjes.

Parandalimi

Mënyra më e mirë për të parandaluar gastroenteritet është edukimi i  fëmijëve në larjen e duarve dhe shmangia e konsumimit të  ushqimeve të ruajtura në mënyrë të papërshtatshme.

Ushqimi i vendosur për konsum duhet të konsumohet brenda një ore.

Zona e ndërrimit të pelenave duhet të dezinfektohet pas çdo ndërrimi pelene.

Ushqyerja me gji është një mënyrë tjetër e thjeshtë dhe efektive për të ndihmuar në parandalimin e gastroenteritit.

Fëmijët me diarre nuk duhet të frekuentojnë kopshtet ose  çerdhet derisa simptomat e tyre të zhduken.

Prindërit mund të parandalojnë përhapjen e  sëmundjes duke mos i lejuar fëmijët e sëmurë të notojnë në ujëra publike, si pishina dhe t’i mësojnë fëmijët të shmangin gëlltitjen e ujit kur notojnë./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here