Gastropareza te pacientët me diabet, simptomat dhe trajtimi

Dr. Ada Myrto, mjeke gastrohepatologe

Gastropareza është një çrregullim që vonon zbrazjen e stomakut drejtë zorrës së hollë. Në gastroparezë kemi ngadalësim ose ndalim të përçimit të ushqimit nga stomaku për në zorrën e hollë.

Normalisht muskujt e stomakut janë nën kontrollin e një nervi të fuqishëm, të quajtur nervi Vagus. Si përgjigje ndaj stimulimit të bërë nga ky nerv, muskujt e stomakut kontraktohen dhe bëjnë të mundur  copëtimin dhe përzierjen e ushqimit me lëndët tretëse në stomak, si dhe kalimin e tij drejtë zorrës së hollë.

Nga se shkaktohet gastropareza?

Gastropareza ka shumë shkaqe, por shkaku më i shpeshtë është diabeti. Vlerat vazhdimisht të rritura të sheqerit në gjak me kalimin e kohës çojnë në ndryshime kimike të nervave si dhe dëmtim të enëve të gjakut që çojnë lëndët ushqimore dhe oksigjenin nervave. Një prej nervave që mund të dëmtohet është dhe nervi Vagus. Më të predispozuarit janë pacientet femra me diabet dhe ata që kanë më shumë se 10 vite të diagnostikuar me diabet dhe që kanë vlera të pa stabilizuara të sheqerit në gjak. Ky çrregullim vërehet më shpesh te personat me diabet të tipit I dhe më rrallë tek ata me diabet tip II.  Simptomat mund të jenë pak të shprehura ose shumë të shprehura.

Shenjat dhe simptomat

Simptomat më të shpeshta të gastroparezës janë:

  1. Nausea ( ndjesia e të vjellit)
  2. Refluksi gastroezofageal ( kthim i lëngjeve acide të stomakut në ezofag, situatë e cila shoqërohet shpesh me ndjesinë e djegies mbrapa kraharorit)
  3. Ndjesia e të ndjerit i ngopur edhe pas sasive të vogla ushqimi
  4. Disa orë pas ushqyerjes, të vjella ushqimore të patretura
  5. Rënia në peshë
  6. Spazma të stomakut
  7. Dhimbje stomaku
  8. Kllapotazh abdominal ( zhurmë tipike e lëngjeve stazike në stomak dhe në zorrë)
  9. Mungesë oreksi
  10. Okluzion intestinal ( mund të formohen bezoar të cilët janë përbërje të forta të ngurta që formohen nga një përzierje materiale ushqimore sikurse mukus, fibra perimesh, qime, apo materiale të tjera që stomaku nuk i tret dot dhe që bllokojnë kalimin e ushqimeve të tretshme për në zorrën e hollë). Kjo e fundit mund të çojë deri në ndërhyrje kirurgjikale.

Simptomat e gastroparezës janë më të shprehura kur pacienti konsumon ushqime me yndyrë dhe ato me përqindje të lartë fibrash, si dhe lëngje me përmbajtje të lartë karbonatesh (si p.sh. koka-kola, pijet energjike, lëngjet me gaz). Simptomat ndryshojnë nga pacienti në pacient dhe shpeshtësia e tyre gjithashtu varion. Gastropareza është shpesh e vështirë për t’u diagnostikuar sepse shenjat dhe simptomat e saj ngatërrohen me sëmundje të tjera.

Diagnostikimi

Gastropareza diagnostikohet përmes ankesave, historisë së sëmundjes së pacientit, ekzaminimit fizik, analizave të gjakut, si dhe përmes metodave të tjera ekzaminimi sikurse:

  1. Gastroskopia ( nëpërmjet një sonde me një kamerë në majë shikohet nga brenda stomaku dhe fillimi i zorrës së hollë, nëpërmjet këtij ekzaminimi përjashtohen problemet organike, ngushtimet të trajektit, formacionet tumorale dhe prania e ushqimeve të mbetura në stomak.
  2. Radiografi të përsëritura me barium. Pacienti nuk duhet të ushqehet 12 orë para ekzaminimit, i jepet barium ( lëndë radiolucente) dhe herë pas here bëhen radiografi dhe vërehet trajekti dhe koha që i duhet kësaj lënde të kaloj përmes stomakut dhe zorrës së hollë.
  3. Ekografia abdominale, e cila ka më shumë vlerë përjashtuese. Nëpërmjet këtij ekzaminimi vlerësohen më saktë organet si mëlçia, tëmthi, pankreasi dhe përjashtohen sëmundjet që i prekin këto organe.
  4. Video kapsula, e cila është një metodë e re ekzaminimi, pacienti gëlltit një kapsulë me një telekamër të vogël dhe regjistrohet rruga dhe koha që bën ajo përgjatë traktit tretës.

Trajtimi

Ndryshimi i mënyrës së ushqyerjes ndikon në kontrollimin e ashpërsisë së simptomave të gastroparezës. Disa nga këshillat që u jepen pacientëve më këtë problem janë:

  1. Shtimi i vakteve, 6 herë në ditë dhe me sasi të pakët ushqimore në vend të tre vakteve të bollshme. Në këtë mënyrë stomaku nuk tejmbushet dhe mund të zbrazet më thjeshtë.
  2. Përtypja e mirë dhe ushqyerja më ngadalë e ushqimeve.
  3. Lëvizja apo qëndrimi ulur dhe jo shtrirë deri dy orë pas ushqimit ndikon në zbrazjen më të shpejtë të stomakut drejtë zorrës së hollë.
  4. Evitimi i ushqimeve të pasura me yndyra dhe fibra. Ushqimet e pasura me yndyra dhe ato të pasura me fibra e ngadalësojnë tretjen, si për shembull brokoli dhe portokalli janë më të vështirë për t’u tretur. Duke mos u tretur mirë, këto ushqime qëndrojnë në stomak për një kohë të gjatë dhe pjesët e patretura mund të formojnë deri bezoare që mund të bllokojnë totalisht kalimin e ushqimeve drejt traktit tretës dhe pacienti mund t’i nënshtrohet kirurgjisë. Përveç saj, kur ushqimet e patretura qëndrojnë gjatë në stomak, mund të shkaktohet mbi-rritje e baktereve nga fermentimi dhe të bëhet shkak për mbivendosje infeksionesh bakteriale.
  5. Pacientit i rekomandohet të konsumojë të paktën 1.5 ujë në 24 orë për të evituar dehidratimin.
  6. I rekomandohet të evitojë pijet e karbonizuara, alkoolin dhe duhanin të cilat e shtojnë gastroparezën.
  7. I rekomandohen të marrë suplemente multivitaminike ditore, për të kompensuar mungesat në ushqyerje.
  8. Kur personi ka simptoma më të rënda, rekomandohet një dietë e pasur me likuide dhe ushqime me konsistencë të butë në trajtë pureje, të cilat kanë tendencë të zbrazen më shpejt nga stomaku.
  9. Në rastet akoma më të rënda, kur pacienti ka të përziera dhe të vjella, përveç medikamenteve dhe këshillave në ushqyerje, mund të përdoret ushqyerje parenterale (intravenoze) ose të realizohet junostomia (nëpërmjet një ndërhyrjeje kirurgjikale vendoset nga jashtë një tub në një pjesë të zorrës së hollë nëpërmjet të cilit jepen lëndët ushqimore.
  10. Te pacientët me diabet niveli i lartë i sheqerit në gjak ndikon drejtpërdrejtë në zbrazjen e stomakut, ndaj, sikurse e përmendëm më lart, rekomandohet të mbahen nën kontroll vlerat e tij në gjak, por nga ana tjetër vet gastropareza e bën të vështirë kontrollin e sheqerit. Kur ushqimi që ka qëndruar për një kohë të gjatë në stomak kalon në zorrën e hollë, bën rritje të menjëhershme të vlerave të sheqerit. Pacientit i rekomandohet të mbajë nën kontroll vlerat e tij duke shpeshtuar dozat e insulinës si dhe duke e bërë terapinë me insulinë pas vakteve dhe jo para dhe gjatë tyre.
  11. Janë studiuar disa medikamente që mund të përdoren në kushtet e gastroparezës, ku ndër to Metoclopramidi i cili stimulon kontraksionet e stomakut dhe për pasojë dhe zbrazjen gastrike. Ky medikament merret rreth 30 minuta para ushqimit. Një alternativë do të ishte dhe Eritromicina, antibiotik, i cili i dhënë me doza të vogla mund të përmirësojë zbrazjen e stomakut./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën