Gazetarët: Propozimi i Kryeministrit, hap mbrapa në lirinë e shprehjes

 

Jemi thellësisht të shqetësuar nga propozimi i Kryeministrit për të shtuar një nen në Kodin Penal që kriminalizon shpifjen ndaj zyrtarëve të lartë.

Propozimi i Kryeministrit është përgjithësues: “Shpifja e kryer botërisht ndaj një funksionari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.”

Edi RamaJemi thellësisht të shqetësuar, sepse ky nen mund të përdoret kundër mediave që në punën e tyre denoncojnë raste të abuzimit të funksionarëve publikë me detyrën.

Ky është një kthim pas në drejtim të lirisë së shprehjes, pasi shpifja dhe fyerja si vepër penale janë hequr nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë në shkurt të 2012-s, me dakordësinë e mazhorancës e opozitës së asaj kohe, pas një presioni disavjeccar të shoqatave të mediave dhe të organizatave ndërkombëtare.

Dekriminalizimi i shpifjes u përshëndet nga Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian dhe organizatat e medias, si konfirmim i të drejtës së lirisë së shprehjes që garantohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë (neni 22), në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut (neni 19), e në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (Neni 10).

Nisur nga reagimi i gjerë kundërshtues i mediave në vend, Kryeministri bëri një sqarim publik se neni në fjalë nuk ishte për mediat, por për sa kohë kjo gjë nuk specifikohet në propozimin e qeverisë, mediat kanë të drejtë të shqetësohen seriozisht nga kjo nismë personale e Kryeministrit të vendit.

Ky propozim i Kryeministrit u bë pa transparencë, pa u publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, pa u diskutuar me asnjë grup interesi, por i është përcjellë direkt për shqyrtim Parlamentit të Shqipërisë.

Kërkojmë që të na mbështesni në këtë shqetësim tonin publik, duke përdorur gjithë ndikimin tuaj që ky propozim i Kryeministrit të qartësohet duke specifikuar se nuk vlen për median. Edhe pa një nen të tillë, progres raporti i fundit i BE-së dhe Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit vendore kanë sjellë raste të censurës e kërcënimit të medias në Shqipëri. Një nen i tillë, në formën e paraqitur nga Kryeministri, është një kërcënim serioz në punën tonë të përditshme si gazetarë.

Aleksandër Cipa, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Armand Shkullaku, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë

Ylli Rakipi, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë

Gjergj Erebara, Birn Albania

Aranita Brahaj, organizata AIS / Open Data Albania

Postime të ngjashme

Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU
Alarm në Zvicër dhe Francë, identifikohen rastet e para me Hantavirus
Alarm në det: Shpërthen hantavirusi në anije turistike, 3 të vdekur
Shqipëria, drejt “superplakjes” raporti: Nevoja për shërbime të kujdesit afatgjatë në rritje
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë