Kryefaqja Dieta Gazrat, shkaqet dhe faktorët e rrezikut

Gazrat, shkaqet dhe faktorët e rrezikut

0
Shpërndaje

 

Përshtati në shqip: Arlinda Gjypi

Gazrat dhe dhimbjet nga gazrat mund të “godasin” në momentin më të keq të mundshëm: gjatë një takimi të rëndësishëm ose në një ashensor plot njerëz. Megjithëse gazrat që kalojnë nëpër zorrë zakonisht nuk janë serioze, ato gjithsesi janë të sikletshme.

Gjithçka që shkakton gaz të zorrëve ose shoqërohet me kapsllëk apo diarre mund të çojë në dhimbjet nga gazrat. Këto dhimbje zakonisht ndodhin kur gazrat mblidhen në zorrë dhe nuk dalin dot. Shumë njerëz nxjerrin gazra të paktën 10 herë në ditë.

Lajmi i mirë është se megjithëse ju mund të mos i ndaloni dot gazrat apo dhimbjet e gazrave, disa hapa të thjeshtë mund të ndihmojnë në uljen e sasi së gazrave që trupi juaj prodhon dhe t’ju lehtësojnë nga parehatia dhe sikleti.

Simptomat

Për shumicën e njerëzve, shenjat dhe simptomat e gazrave dhe dhimbjeve nga gazrat janë shumë të dukshme. Këto përfshijnë:

  • Lëshim gazrash të vullnetshëm ose të pavullnetshëm, qoftë si gromësima ose si gazra nga zorra e trashë.
  • Ngërçe apo dhimbje therëse, shpuese në zonën e barkut. Këto dhimbje mund të ndodhin kudo në bark dhe mund të ndrysojnë vend shpejt, si dhe të përmirësohen menjëherë
  • Një ndjenjë “kapjeje” në bark
  • Enjtje apo ngurtësim të barkut (fryrje)
  • Ndonjëherë dhimbjet nga gazrat mund të jenë të vazhdueshme dhe intensive sa duket sikur diçka nuk është në rregull.
  • Gazrat mund të ngatërrohen ndonjëherë me sëmundjet e zemrës, gurët e tëmthit ose apendicitin.

Kur të shkoni te doktori

Kalimi i gazrave në zorrë dhe nxjerra jashtë e tyre nga zorra e trashë konsiderohet normale kur ndodh rreth 10-20 herë në ditë. Megjithatë, kjo sasi ndryshon nga dita në ditë.

Flisni me doktorin nëse gazrat shoqërohen me:

  • dhimbje të vazhdueshme të barkut
  • feçe me gjak
  • ndryshim në ngjyrën e feçeve apo në jashtëqitje
  • rënie në peshë
  • dhimbje gjoksi
  • të përziera apo të vjella të vazhdueshme

Flisni me doktorin nëse gazrat apo dhimbjet nga gazrat janë të forta e të vazhdueshme dhe ndërhyjnë me aftësinë tuaj për të zhvilluar një jetë normale. Në shumicën e rasteve, trajtimet mjekësore mund të ndihmojnë në uljen dhe përmirësimin e problemit.

Shkaqet

Gazrat formohen kur bakteret në zorrën e trashë fermentojnë karbohidratet që nuk janë tretur në zorrën e hollë. Fatkeqësisht, ushqimet e shëndetshme të pasura me fibra janë zakonisht armiqtë më të këqij. Fibrat kanë shumë të mira shëndetësore, duke përfshirë mbajtjen e traktit tretës në gjendje të mirë dhe rregullimin e niveleve të kolesterolit dhe sheqerit në gjak. Por fibrat gjithashtu çojnë në krijim gazrash. Ushqimet me shumë fibra që shpesh krijojnë gazra përfshijnë:

  • Frutat
  • Perimet
  • Drithërat e plota
  • Bishtajoret

Shtesat me fibra që përmbajnë psyllium mund t’i shkaktojnë këto probleme, sidomos nëse janë shtuar menjëherë në regjimin ushqimor. Pijet e gazuara gjithashtu mund të shkaktojnë gazra.

Shkaqe të tjera për gazra të shtuara përfshijnë:

Gëlltitja e ajrit: ju gëlltisni ajër sa herë që hani apo pini. Gjithashtu mund të gëlltisni ajër kur jeni nervozë, hani shpejt, përtypni çamçakëz ose pini me pipëz. Ndonjëherë ky ajër e gjen rrugën për në traktin e poshtëm tretës.

Problem tjetër shëndetësor: Gazrat e tepërta mund të jenë simptoma të një problemi shëndetësor kronik. Shembujt përfshijnë sindromin e zorrës së irrituar, kolitin ulceroz etj. Gazrat e shtuara apo fryrja mund të jenë edhe simptoma të rritjes bakteriale në zorrën e hollë nga gjendje të tilla, si diabeti.

Intoleranca ushqimore: Nëse gazrat dhe fryrjet vijnë pas ngrënies së bulmetrave, kjo mund të jetë për shkak se trupi juaj nuk është i aftë të shpërbëjë sheqerin (laktozën) në bulmet. Të tjera intoleranca ushqimore përfshijnë ëmbëlsuesit atificialë që gjenden në ushqimet pa sheqer (sugar-free), çamçakëza apo lëpirëse. Shumë njerëz të shëndetshëm kanë gazra dhe diarre kur konsumojnë këta ëmbëlsues.

Kapsllëku: Kapsllëku mund ta vështirësojë kalimin e gazrave në zorrë duke çuar në fryrje dhe parehati.

Faktorët e rrezikut

Njerëzit mund të kenë probleme me gazrat nëse:

  • Jeni intolerantë ndaj laktozës ose glutenit
  • Hani dieta të pasura në fruta, perime, drithëra të plotë dhe bishtajore
  • Pini pije të gazuara
  • Keni një sëmundje kronike të zorrëve, si sindormin e zorrës së irrituar./ Shendeti.com.al

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here