Gerti Çarçani: Urgjenca e QSUT-së, si Guantanamo

Shëndeti është parësor. Por i lidhur ngushtësisht me familjen. Familja është e shenjtë dhe nuk e them unë këtë, por një shëndet i rregullt gjithmonë të vë në pozita më komode në punë dhe për të menduar më pas për shumë gjëra të tjera

gerti carcaniBisedoi: Arlinda Gjypi

Nuk nxehet kollaj, është optimist, ka një vajzë që e adhuron dhe një bashkëshorte e mama që e përkëdhelin gjithë kohës. Mendon se shëndeti është i lidhur ngushtë me aspekt të jetës së përditshme, megjithatë vizitat te mjeku i bën (si të gjithë) vetëm atëherë kur e prek ndonjë sëmundje. Sa për botërorin, nuk ngurron të thotë se tifozëve që e përjetojnë u bën dëm. Gerti Çarçani gjithsesi ishte aktiv gjatë gjithë kohës kur kombëtaret e globit u ndeshën me njëra-tjetrën. Italia e tij nuk fitoi, megjithatë zhgënjimi i zgjati thjesht deri në fund të ndeshjes. Teksa flet për gazetën “Shëndet+”, drejtuesi i “Mëngjesi në AS”, por edhe “Botëror në Skaner” (tashmë ka kaluar tek “Ora News TV”) nuk ngurron të thotë se në çështjet shëndetësore këmbëngul se ajo çka duhet të ndryshojë në Shqipëri, është shërbimi dhe vetëm shërbimi.

Ç’do të thotë për ty “të kesh shëndet”?

Një diçka shumë e rëndësishme, shumë e domosdoshme. “Mbi të gjitha shëndetin”, është fjala primare në shumë urime, por një realitet absolutisht i faktuar. Shumë shëndet, dhe më pas çdo rrethanë njeriu ka ditur ta përballojë dhe t’i përshtatet.

gerti carcani me nusen

Gerti Çarçani me bashkëshorten

I beson shprehjes “mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”?

Nuk është punë besimi këtu, por një fakt. Stacioni kryesor për njeriun, sipas meje, është shëndeti. Boshti kryesor ku më pas rrotullohet çdo gjë tjetër. Cenimi i shëndetit është më pas si një “virus” që prek me shpejtësi edhe peripeci të tjera të lidhura ngushtësisht me jetën e përditshme.

Ç’marrëdhënie ke me mjekun?

Jo ato raporte që mendon ti, ose realisht duhet të kisha. Kjo për shumë arsye, por si një mangësi imja, kryesisht neglizhuese, nuk i kam raportet e rregullta, normale, mbi kontrolle periodike “check-up-i” mbi shëndetin. Për fatin e keq, ende nuk jam nismëtar për një paketë analizash le të themi, në moment shëndeti normal. Si të gjithë, vetëm kur përfshihem nga ndonjë anamnezë, vetëm atëherë më duhet të vrapoj të bëj setin e analizave. Ndoshta e gjitha kjo nga ngarkesa e punës, por nuk do zgjasë shumë…

Për të të zënë gjumi do të pije një paracetamol apo një çaj kamomil?

Më mirë do të ishte me kamomilin e qetë, por kam frikë se të gjithë ne ngutemi të vrapojmë te paracetamoli, duke e shndërruar këtë produkt në një “lajm të parë”, dhe si një tablet komerciale, pa menduar aspak te ndonjë pasojë direkte.

Cila është gjella e preferuar? Të pëlqen të gatuash vetë apo është më mirë kur ta bëjnë gati të tjerët?

Gjella më e preferuar? Pyetje e ngatërruar, është njësoj sikur të të pyesja ty cila është veshja më e mirë… Ka shumë, por mbi të gjitha më pëlqen një pjatë e ngatërruar mikse që më bën ime më, që nuk ka emër. Mbase është prodhim i saj, dhe kështu mendoj, por me ngjit shumë. Tip patëllxhane të pjekura me rigon dhe jo vetëm…

Tani, të gatuaj vetë?! Kohë nuk kam, shumë nuk di të them të drejtën, kështu që i bie të ma bëjnë gati të tjerët. Prej kohësh është ime më, por edhe bashkëshortja që nuk më ndahen. Pak “i përkëdhelur”, por edhe të dua  nuk kam kohë të merrem me sobëra, vajra, me gatime apo ku ta di unë…

Gerti Carcani me vajzen

Gerti Çarçani dhe e bija Nicole

Puna-shëndeti-familja… cila ka më shumë rëndësi dhe si arrin t’i menaxhosh të tria?

Shëndeti është parësor. Por i lidhur ngushtësisht me familjen. Familja është e shenjtë dhe nuk e them unë këtë, por një shëndet i rregullt, gjithmonë të vë në pozita më komode në punë dhe për të menduar më pas për shumë gjëra të tjera.

Si i menaxhoj? Si të përballem me rrethanat. Tani, virozave dhe ndotjes mjedisore nuk i shmangemi dot. Puna ka ngarkesë, por përvoja e ka neutralizuar këtë gjë, ndërsa familja, natyrisht, është përditshmëria planifikuese, por edhe spontane. Më çlodh, Nicole, e bukura e babit ose tul-baba….

Cila është marrëdhënia me anëtarët e familjes?

Në familje jetoj me nënën time, me bashkëshorten, dhe me vajzën. Babanë nuk e kam. Do desha shumë të ishte, që të mund të shijonte pak vajzën time, sepse mrekullohej pas fëmijëve. Por, kjo është jeta. Marrëdhënia? Normale. Jetë e përditshme me rrethanat e ndryshme që sjell dita. Ah, po, zihem shpesh me nënën dhe bashkëshorten, pasi më “akuzojnë” që e përkedhel gocën shumë, dhe ia zgjat për çdo kapriçio fëminore. Do e bëj gjithmonë. Ua garantoj këtë…

E ke ndjerë ndonjëherë nevojën për të hequr dorë nga puna, sepse të ka marrë dhe kohën që ia dedikon të dashurve të tu?

Jooo. Do të ishte një diçka shumë e nxituar dhe në rëndesë të familjes. Unë, ju, si edhe shumë të tjerë jemi punëmarrës për të krijuar atë që mund të ishte mjaftueshmëria ekonomike në një familje normale. Kam qenë gjithmonë në punë, madje, edhe në një të dytë, edhe me orare ekstra. Thjesht për të pasur më shumë mundësi manovrimi, pasi jeta të përplas në shumë peripeci dhe situata, ku në fund vendos ana ekonomike. Po ta mbyll me një batutë: Me vërtetë e kishe këtë pyetje???

gerti carcani me vajzen

Gerti Çarçani dhe e bija Nicole

Je njeri pesimist apo optimist?

Jam shumë optimist. Mbase më shumë sesa duhet. Jam optimist sepse duhet, nuk jam pesimist sepse s’ka arsye të jesh, dhe jo vetëm unë. Në rrethana normale jete.

Nëse do të të jepnin vetëm 60 sekonda kohë për të folur për veten, si do ta përshkruaje?

Në 60 sekonda të flasësh për veten?! Me pak fjalë: Njeri me iniciativë, shumë këmbëngulës, praktik, dhe me një komunikim direkt për shumë probleme.

Nëse një ditë do të kishe në dorë të bëje ndryshime në sektorin e shëndetësisë, çfarë do t’i ndryshojë shëndetësisë në Shqipëri?

Shërbimin, shërbimin dhe vetëm shërbimin. Të gjithë ministrave, ish-ministrave të shëndetësisë që kam pasur në emisionin tim të mëngjesit në AS, ua kam kërkuar edhe publikisht këtë. Edhe ti nuk ma mohon dot këtë… Kur shkoj në urgjencën e QSUT-së, më duket vetja si në kampin e Guantanamos. Madje, aty mund të jetë më mirë…

(Intervista e plotë u botua në numrin e 15 korrikut 2014 të gazetës “Shëndet+”)

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin