Gjata: Emocion? Ne kirurgët përjetojmë emocione më të forta se një garë

Denisa Canameti / Shëndet+

“Kjo është intervista e parë pas zgjedhjeve. Nuk kam emocione. Ne kirurgët përjetojmë emocione më të forta se një garë”. Shprehet kështu për “Shëndet+” Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, i cili ditën e djeshme, me votë, u rikonfirmua në këtë post.

Në një bisedë të shkurtër për lexuesin tonë, doktor Beni tregon se cila ishte pika më e fortë e tij në këtë garë, pse mendon ai se u besua platforma e tij, si dhe jep fjalën që do të jetë gjithmonë transparent dhe i hapur me median.Arben Gjata

Doktor Arbeni, si e përcollët këtë garë të konsideruar nga mediat, por jo vetëm, të fortë dhe të egër? Pati emocion rezultati?

Emocione nuk kam. Ne kirurgët përjetojmë emocione më të forta sesa thjesht një garë.

Nga shërbimi i kirurgjisë, në karrigen e rektorit, është ky mesazh?

Në rradhë të parë jam kirurg. Janë pacientët që duhet t’i vizitoj, kam konsulta për të bërë. Natyrisht kam edhe pjesën tjetër që është po kaq e rëndësishme sa mbarëvajtja e universitetit.

Pse mendoni se platforma juaj u besua më shumë? Fitoi emri juaj si kirurg apo ajo që ju premtuat se do të bëni?  

Besoj që të dyja. Platforma ime nuk ka asgjë të parealizueshme, nuk ka asnjë premtim bosh . Duke qenë së bashku dhe me vullnet ato gjëra mund t’i realizojmë për të bërë gjëra të mira. Më e rëndësishmja është që të punojmë në ekip. Këtë e kam mësuar nga kirurgjia sepse në kirurgji nuk ka një mbinjeri, punohet në ekip, dhe nëse çalon një pjesë e ekipit rezultatet nuk dalin të dëshiruara. E dyta qëndron edhe te figura ime, sepse unë kam 31 vjet që punoj në këtë spital.

Dhe duke qenë se ne e njohim njeri tjetrin dhe integritetin e njëri tjetrit, them se kjo ka qenë një ndër kartat më të forta për të fituar zgjedhjet.

Puna e parë që keni ndërmend të bëni?

Do t’i ofroj mbështetje të hapur dekanëve të ardhshëm. Do ti ofroj bashkëpunim të plotë shefave të departamenteve, pavarësisht se kush do të jetë. Ne duhet të bashkëpunojmë se kemi punë shumë të madhe përpara

Keni ndonjë frikë?

Është një shprehje: Frikë duhet të kemi nga frika.

Kush ju uroj i pari? A patët shumë telefonata të papritura, nga njerëz që ndoshta ju kishin harruar?

Unë kam marrë shumë telefonata, të parën nga im bir që ishte në shtëpi. Më pas telefonata të shumta nga njerëz të ndryshëm që nga fshatrat e deri te personalitetet.

A pati skeptik?

Gjithmonë ka skeptik. Prisja të fitoja, edhe pse më thellë. Koha tregoi që edhe skeptikët kishin të drejtën e tyre sepse ishte një garë shumë e ngushtë.

Meqë është herët të flitet për punë, arritje, problematika të mbartura do t’ju pyes vetëm për çështjen e doktoraturave(është një shqetësim që qarkullon midis mjekëve)?

Ne kemi disa vjet që nuk janë hapur programe doktorature. Mendoj që programet e doktoraturës duhet të hapen, duhet të vazhdojë procesi i doktoraturave. Nuk do të jepen më doktoraturat siç janë dhënë. Ato doktoratura duhet të jenë të aprovuara nga departamentet. Departamentet  para se ta aprovojnë doktoraturën duhet të kenë projekte. Këto doktoratura, duhet të jenë pjesë e projekteve që kanë departamentet dhe këto projekte duhet të jenë të rakorduara me spitalin, me Ministrinë e Shëndetësisë, me Ministrinë e Arsimit, që të jenë pjesë e interesave të zhvillimit të shëndetësisë shqiptare. Mos të merren doktoraturat se dikush do të bëjë doktoraturë.

Një fjali për ata që të besuan?

Njerëzit që më njohin e dinë që i mbaj premtimet. Nuk hyj te njerëzit që gënjej, jam shumë I drejtpërdrejtë, ndoshta kjo nuk u pëlqen të gjithëve.

Postime të ngjashme

PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Këto 3 vitamina që ekspertët rekomandojnë të mos i merrni me stomak bosh
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU
Sa kafe mund të pimë në ditë pa rrezikuar shëndetin? Ja çfarë thonë studimet